Protestë para Kryeministrisë/ Studentët e universiteteve të mbyllura: MAS po na heq të drejtën për të studiuar

0
129

Driçim Çaka

 “Zonja ministre, mbaj premtimin”, “Zoti Kryeministër mos na mohoni studimet”, “Ministria e Arsimit të na njohë dhe të na vlerësojë vitet e studimit” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar studentët

 foto studentetMbyllja e universiteteve private po lë “në rrugë” mijëra studentë, të cilët nuk i kanë pasur dosjet e plota në universitetet private që u është hequr licenca. Pavarësisht se Ministria e Arsimit pak ditë më parë u siguroi vazhdimin e studimeve, të rinjtë nuk janë pranuar të regjistrohen as në universitet publike dhe as në ato private. Për këtë arsye ditën e djeshme qindra studentë kanë protestuar përballë Kryeministrisë duke i bërë thirrje Kryeministrit që të mos i lërë në rrugë. “Ne nuk mund të përdoremi për të bërë politikë”, “Zonja ministre mbaj premtimin”, “Zoti Kryeministër mos na mohoni studimet”, “Ministria e Arsimit të na njohë dhe të na vlerësojë vitet e studimit” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar studentët. “Kemi pasur një shkollë, qeveria vendosi ta mbyllte dhe na premtoi se studimet tona nuk do të hidheshin poshtë. Në këtë moment, Ministria e Arsimit nuk na lejon të regjistrohemi, kur kanë ngelur dhe vetëm pak ditë për t’u regjistruar dhe më pas ne humbim të drejtën e studimit”, – u shpreh një student për gazetën.

 

Studentët

“Na është deklaruar që të gjitha dosjet që nuk kanë listë notash apo dokumentacionin që ka kërkuar Ministria e Arsimit nuk do të kenë mundësinë të vijojnë studimet në universitetet private apo publike. Pikërisht për këtë fakt ndryshe nga çka është deklaruar në fillim nga Ministria e Arsimit do të kishim mbështetje, do kishim mundësinë të vazhdonim ku të kishim dëshirën. Jemi ndodhur përballë krejt të kundërtës”, – u shpreh një student, i cili nuk është pranuar për të vazhduar studimet në shtet. “Universitetet nuk na regjistrojnë se thonë se në dosje nuk është dokumentacioni i plotë. Nuk kemi notat e 3 viteve Ne shkojmë në universitetin që është mbyllur ata na thonë se e kanë dorëzuar në MAS, shkojmë te ministria na thonë se universiteti nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë”, – tha një tjetër student. Protesta zgjati pak, por studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat nëse Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla nuk do të gjejnë një zgjidhje për ti regjistruar në universitete publike ose private.

 

Regjistrimi

Udhëzimi nr. 33 i Ministrisë së Arsimit përcakton se nga data 29 shtator deri në orën 12:00 të datës 3 tetor 2014, nga ana e studentëve, kryhet aplikimi, me dokumente origjinale për programet e studimit të ofruara nga fakulteti përkatës, sipas listave të programeve të studimit të ekuivalentuara. Brenda datës 3 tetor 2014, IAL-të publike dërgojnë në MAS listat e aplikantëve duke specifikuar kandidatët të cilët pas shqyrtimit të dosjeve, rezultojnë me dosje të rregullta, të shoqëruar me planin e veprimeve për ekuivalentimin e studimeve të kryera, si dhe i shpallin ato publikisht në vende të dukshme. Komisionet e vlerësimit dhe ekuivalentimit të ngritur pranë IAL-ve publike kryejnë vlerësimin dhe ekuivalentimin e dosjeve të kandidatëve që rezultojnë të rregullta me qëllim ekuivalentimin e rezultateve individuale të secilit prej studentëve gjatë ndjekjes së programeve përkatëse të studimit në IAL-të private të cilëve u është hequr licenca, deri në orën 12:00 të datës 8 tetor 2014. Ekuivalentimi individual bëhet duke u bazuar në ekuivalentimin paraprak për program studimi.

 

Tarifat që do të paguajnë studentët e privatit

Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kuotat e veçanta që do të aprovohen për vitin akademik 2014-2015 për studentët e transferuar nga IAL-të që iu është hequr licenca. MAS do të propozojë tarifat vjetore të studimit si më poshtë:

Për programet e studimit bachelor – 110. 000 lekë (Përveç programeve bachelor në: arte, sporte, mjekësi, arkitekturë-ndërtim, për të cilat do të propozohet tarifa 290.000 Lekë)

Për programet e studimit master – 160.000 lekë.

 

Dokumentet që u duhen studentëve për regjistrim

-Lista e notave dhe kreditet e fituara për çdo lëndë.

-Për studentët qe aplikojnë për transferim të studimeve në programe studimi të ciklit të parë, fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.

-Kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit.

-Dokument bankar që vërteton pagesën e tarifës prej 3.000 lekë për aplikimin e kryer.

-Numrin e matrikullimit.

-Certifikatën e mbrojtjes së gjuhës shqipe (për shtetasit e huaj).

-Dy fotografi personale.

 

Përhapja/ “Gjuha Blu” edhe në Berat, izolohen fermerët që kanë bagëti të sëmura

“Gjuha blu”, sëmundja që prek bagëtitë e imta, është përhapur edhe në shumë fshatra të Qarkut të Beratit. Nga një inspektim i bërë në terren rezulton se gati në të gjithë qarkun ka rënë kjo sëmundje, ndërkohë që zonat më problematike janë komunat Roshnik, Sinjë, fshatrat e rrethit të Skraparit, Urës Vajgurore. Veterinerët gjatë takimit për masat bënë me dije se në bashkëpunim me policinë nuk do të lejohet që kafshët e prekura të mbërrijnë në treg. Aktualisht, të gjithë fermerëve u janë shpërndarë fletëpalosje me informacionet bazë për sëmundjen e gjuhës blu.

 

 Nga 1 tetori/ Qyteti Studenti, 45 mijë lekë për t’u regjistruar në konvikt

Regjistrimet për të përfituar një dhomë në Qytetin Studenti do të nisin nga 1 tetori, ndërkohë që kriteret për t’u strehuar në godina do të jenë edhe në bazë të preferencave që do të kenë vetë studentët. “Kapaciteti total i 26 konvikteve është gjashtë mijë studentë, ku dy mijë studentë priten që të jenë të viteve të para. Në çdo konvikt janë të afishuara listat emërore të studentëve që rikthehen për vit të dytë, të tretë, të katërt e në vazhdim. Me afishimin e këtyre listave automatikisht kanë dalë dhe vendet bosh që i kemi menaxhuar dhe i kemi ndarë sipas fakulteteve, çdo godinë ka fakultetin e tij”, – bën të ditur Anila Shehu, drejtore e Qytetit Studenti. Tarifa që duhet të paguajë çdo studentë është 4500 lekë të reja çdo muaj, dhe për këtë vit ajo nuk ka ndryshuar. “Tarifa nuk ka ndryshuar, është e njëjtë në vlerë me vitin e kaluar, është 4500 lekë të reja në muaj për çdo studentë. Kemi bërë një plan ndërhyrje për çdo konvikt. Të them të vërtetën këtë vit nuk janë bërë investime. Megjithatë ne jemi duke bashkëpunuar dhe duke kërkuar që të kemi një partneritet publik e privat që të arrijmë në rikonstruksionin e disa konvikteve këtu në Qytet Studenti”, – tha Shehu. Kërkesat e larta nga studentët që kërkojnë të strehon në godinat e Qytetit Studenti, edhe këtë vit do të bëjnë që në dhoma të ketë nga tre deri në katër persona.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency