Champions League/ Venger në presion para Gallatasarajit, Siemone e konsideron Juven një finale

0
148

arsen vengerTekniku i “topçinjve” është shprehur se humbja ndaj Borusias së Dortmundit ka bërë që presioni të bjerë më shumë mbi ekipin e tij, që duhet të fitojë medoemos sfidën ndaj Gallatasarajit

 “El Cholo” është shprehur se ndaj Juventusit mund të fitohet, vetëm nëse skuadra e tij do të japë maksimumin, ashtu siç bën kundër Realit apo Barcelonës

Liga e Kampioneve do të vazhdojë të na garantojë spektakël edhe mbrëmjen e sotshme me sfidat midis të mëdhenjve të futbollit evropian. Dy nga sfidat më të rëndësishme duket se do të jetë përballja midis Arsenalit dhe Gallatasarajit, ndërsa “big match” i mbrëmjes duket përballja midis Atletiko Madrid dhe Juventus. Ndeshja midis anglezëve dhe turqve ka një veçanti, pasi “topçinjtë” u mundën në sfidën e radhës ndaj Borusias së Dortmundit dhe i duhet të bëjë një lojë të fortë ndaj Gallatës për të marrë trepikëshin e parë. Ndërsa në krahun tjetër sfida midis madrilenëve dhe torinzëve është një klasike, që luhet midis dy kampionëve të ligave përkatëse. Dy filozofi, të cilat do të tregojnë se kush është më superior. Te Arsenali nuk është një ndeshje e lehtë. Kjo, pasi janë me zero pikë dhe kanë një ndeshje mjaft të vështirë ndaj një rivali që vjet arriti të eliminonte Juventusin. E vetmja gjë pozitive është rikthimi i Uillshajërit nën urdhrat e teknikut francez. “Xheku do të jetë i grumbulluar me skuadrën, por nëse do ta aktivizoj ose jo, kjo mbetet për t’u vlerësuar. Kemi humbur dy lojtarë takimin që kaloi, Artetan dhe Ramsein, por mund të ishin tre, nëse Uillshajër do t’i duhej më shumë kohë për t’u riaftësuar”. Në takimin e “Signal Iduna Park”, topçinjtë rezistuan vetëm 45 minuta ndaj verdhezinjve të Jurgen Klopit, që fituan pastër me rezultatin 2-0, ndaj Venger e pranon se Arsenali ndien presionin e fitores së detyruar në shtëpi. “Sigurisht që kemi më shumë presion për ta fituar takimin, sepse kemi humbur në sfidën e parë me Dortmundin. Në Champions funksionon gjithmonë kështu: Duhet t’i fitosh takimet e shtëpisë dhe pastaj duhet të synosh të marrësh rezultat pozitiv jashtë”. 67-vjeçari, duke vlerësuar kundërshtarin, kujtoi se në radhët e Gallatasarajit luajnë lojtarë shumë cilësorë. “Pres një kundërshtar të mirë organizuar, që ka në përbërje lojtarë me shumë cilësi, të cilët ne i njohim shumë mirë. Gallatasaraji është skuadra që zakonisht dominon në futbollin turk dhe ka blerë lojtarë me emër”. Për sa i përket sulmuesit Deni Uellbek, Venger deklaroi se ish-futbollisti i Mançester Junajtidit është integruar shumë shpejt te Arsenali, ku ka gjetur shumë lojtarë me të cilët ka punuar te përfaqësuesja e Anglisë.

 

Simeone: Ndaj Juves japim maksimumin

Atletiko Madrid është mobilizuar në maksimum. Kjo, pasi do të presë në “Vinsente Kalderon” Juventusin. Një ekip që ka një histori triumfi ndaj spanjollëve dhe e ka treguar se ka fat të mirë sa herë që luan në Madrid. “El Cholo” që ka bërë historinë me bardhekuqtë, e konsideron finale sfidën përballë “Zonjës së Vjetër”, këtë të mërkurë me Juventusin në UEFA Champions League. “Los Colchoneros” vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3-2 në Athinë ndaj Olimpiakosit dhe sipas “El Cholos” që kampionët e Spanjës të mposhtin një rival shumë të fortë, siç janë bardhezinjtë e Alegrit, duhet të shfaqin nivelin e tyre më të mirë. “Ndaj Juventusit është një finale për ne, ashtu siç do të jenë edhe dy sfidat e ardhshme të La Ligas ndaj Valencias dhe Espanjolit. Bardhezinjtë gjithmonë kanë qenë një skuadër kompetitive, ata mund të vënë në vështirësi cilindo kundërshtar, pasi janë të shpejtë mbrapa dhe të gjithë futbollistët kanë një teknikë mbresëlënëse. Për të fituar ndaj tyre duhet të shfaqim nivelin tonë më të mirë të mundshëm, pasi në të kundërt diçka e tillë është pamundur. Unë kam shumë respekt dhe njëkohësisht shumë admirim për punën dhe për ato që ka arritur Juventusi në vitet e fundit”. Për sfidën ndaj Juventusit, Simeone konfirmoi si titullar portierin Miguel Angel Moja, ndërkohë që i pyetur se cili do të jetë partneri i Mandzukiçit në sulm argjentinasi u përgjigj në këtë mënyrë: “Të gjithë janë përgjigjur shumë mirë në ndeshjet e fundit por edhe në seancat stërvitore. Raul Himenez, Grizman, Raul Garsia, por edhe Çerçi. Çdonjëri prej këtyre futbollistëve mund të jetë partneri i Marios në sulm”. Në fund 44-vjeçari nga Buenos Airesi shkëputi një mendim edhe për Karlito Tevezin, njeriun simbol të Juventusit në këtë sezon. “Tevezi është një lojtar i jashtëzakonshëm. Sa më afër portës të jetë, aq më shumë rrezik përcjell. Nuk duhet t’i lëmë atij hapësirat e nevojshme dhe as kontrollin e topit, pasi mund të na ndëshkojë në çdo moment”.

 

Dëmtohet Roshi, mungon në tetor

Për De Biazin nis dhimbja e kokës. Kjo, pasi do t’i duhet të bëjë pa “sprintierin” e kuqezinjve, Odise Roshin. Lojtari ishte një ndër më të mirët në sfidën ndaj Portugalisë, pasi ishte i vetmi që e nxirrte para ekipin. Një humbje e madhe, pasi lojtari ka pësuar një dëmtim në muskulin e këmbës së djathtë dhe këtë të hënë i është nënshtruar dhe një rezonance magnetike, e cila ka evidentuar problemin e tij muskulor. Sipas mjekut të ekipit të Bundesligës së 2-të, Uve Stëver, Roshi mund të jetë gati për t’u rikthyer në fushë vetëm pas pauzës së përfaqësueseve duke nënkuptuar se mesfushori, që dha asistin e golit të Balës në Portugali, nuk do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet me Danimarkën më 11 tetor dhe Serbinë më 14 tetor. Lojtari u dëmtua gjatë ndeshjes që u luajt midis FSV Frankfurt dhe St Paul në fundjavë.

 

 Çështja e tifozëve shqiptarë në Serbi çohet në UEFA

Serbia ka arritur që për praninë e tifozëve shqiptarë në ndeshjen me kombëtaren shqiptare “t’ia gjuajë topin” Federatës Evropiane të Futbollit. Federata Serbe e Futbollit ka arritur ta ngrejë deri në nivelet e UEFA-së çështjen e paraqitjes së tifozëve shqiptarë në stadiumin e Partizanit në Beograd për ndeshjen e 14 tetorit me Shqipërinë. “Deri te kjo ka ardhur, pasi serbët kanë kërkuar të mos ketë tifozë mysafirë, as në Beograd dhe as në Elbasan”, – raportojnë mediet beogradase. Federata Serbe nuk ka qenë në gjendje të garantojë sigurinë për tifozët shqiptarë, deri sa drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë insistuar që tifozët serbë të jenë prezent në Elbasan. Kur mund të ketë një vendim të UEFA-së në lidhje me këtë çështje mbetet të shikohet në ditët në vazhdim.

 

 Brazili dhe Kosova, afër marrëveshjes për miqësore

Brazili i madh mund të zbarkojë më 18 nëntor në Kosovë. Negociatat janë duke u zhvilluar mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe asaj të Brazilit. Madje, këta të fundit kanë dhënë ofertën e tyre për ndeshjen. Kombëtarja e Brazilit ka gjasa të mëdha të zbarkojë në Prishtinë më 18 nëntor. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës për mediat kosovare. Sipas këtyre zërave gjasat janë të mëdha që një miqësore e tillë të ndodh. Madje, edhe gazeta Arena raporton se Federata e Kosovës ka marrë ofertën nga Federata e Futbollit e Brazilit. Data 18 e muajit nëntor është e lirë nga FIFA. Brazili, ashtu si Kosova ende nuk kanë gjetur kundërshtar për muajin nëntor.