Vendimi i Komitetit Ekzekutiv e ka kundërshtar atë të Federatës Serbe, duke u shprehur pro tifozëve shqiptarë në Beograd dhe atyre serbë në “Elbasan Arena”
Një luftë e ftohtë ka nisur midis Federatës Shqiptare dhe asaj Serbe. Kjo, pasi të dyja instancat drejtuese të vendeve janë në kundërshti për sa u përket tifozëve në stadiume. Një konfrontim idesh që duket se ka mbetur në duart e UEFA-s për t’u zgjidhur. Gjithçka nisi nga deklaratat e serbëve, të cilët deklaruan se nuk mund të sigurojnë dot jetën e tifozëve shqiptarë. Ndërsa Federata jonë mban qëndrim tjetër, e cila është pro ardhjes dhe shkuarjes së tifozëve përkatës. Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit shqiptar në mbledhjen e djeshme vendosi të mos pranonte kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë për një marrëveshje dypalëshe, sipas së cilës, ndeshjet Serbi-Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në “Elbasan Arena” të zhvillohen pa praninë e tifozëve të skuadrës udhëtuese. Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, sipas rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ua shpërndajnë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij. KE shpreh bindjen se me pjesëmarrjen e tifozëve, kjo ndeshje dhe në përgjithësi futbolli, nuk humb një dimension shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ky institucion beson se duhet krijuar një atmosferë sa më bashkëpunuese, duke e konsideruar ballafaqimin e 14 tetorit thjesht një ndeshje futbolli, pa etiketime politike dhe etnike. Në frymën e bashkëpunimit për zhvillimin sa më normal të kësaj ndeshje, më datë 13 tetor, një ditë përpara takimit, do të zhvillohet një miqësore mes Veteranëve të Futbollit të Serbisë dhe atyre të Shqipërisë. Ky ballafaqim, i emrave të njohur të futbollit të të dy vendeve, do t’i shërbejë krijimit të një klime sa më të mirë përpara takimit zyrtar Serbi-Shqipëri.
Advokat: Ndaj Shqipërisë duhet të ruhemi
Tekniku i Serbisë ka deklaruar se përballjet me Shqipërinë dhe Armeninë do të jenë të vështira, sepse, sipas tij, të dyja këto janë skuadra të rrezikshme. Serbia më 11 nëntor do të ndeshet me Armeninë, kurse tri ditë më vonë do të përballet me kombëtaren shqiptare, në kuadër të takimeve kualifikuese për Euro 2016. “Nuk duhet t’i nënvlerësojmë Armeninë dhe Shqipërinë, pasi janë skuadra të rrezikshme. Gjëja e rëndësishme është se skuadra ime i njeh kundërshtarët dhe duhet të jetë e koncentruar. Për ne, çdo ndeshje është si një finale”, – ka thënë Advokat. “Ne hyjmë gjithmonë në lojë për të fituar. Besoj në këtë ekip dhe mendoj se është i mirë. Kam ndjenja të mira për dy ndeshjet e para kualifikuese”, – tha ai.
Mustafi kritikon Shqipërinë
Mbrojtësi i kombëtares gjermane dhe lojtari i ri i Valencias shpjegoi pse nuk pranoi të luante për kuqezinjtë, por zgjodhi Gjermaninë, me të cilën u shpall kampion bote në Brazil. “Familja ime është shqiptare, por unë kam lindur dhe jam rritur në Gjermani. Kam luajtur në të gjitha skuadrat e moshave të Gjermanisë, që nga U-15 deri tek U-21. E dashuroj Gjermaninë, pasi më ka bërë atë që jam sot. Për mua nuk ishte e vështirë zgjedhja”, – thotë Mustafi. “Shqipëria duhet të gjejë futbollistë të rinj, të talentuar, që t’i shndërrojë në lojtarë të mëdhenj, dhe jo të presë që futbollistët e formuar jashtë kufijve shqiptarë të luajnë për të, vetëm sepse kanë origjinë shqiptare. Kur një futbollist bëhet i mirë, kërkohet nga të gjithë. Duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk është zgjedhja më e mirë”, – tha Mustafi.
Maskerano: Barcelona u mund nga gabimet
Mbrojtësi i Barcelonës, Havier Maskerano, mendon se skuadra e tij është mposhtur nga PSG-ja, për shkak të gabimeve të zakonshme. PSG parmbrëmë në “Parkun e princave” mundi Barcelonën 3-2, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Argjentinasi i katalanasve thotë se skuadra e tij duhet ta harrojë disfatën kundër kampionëve të Francës dhe të mendojë për sfidat e ardhshme. “Ne nuk e nisem mirë lojën. Gabimet e zakonshme na ndëshkuan. Ne shënuam golin e dytë, por goli i tretë që morëm na penalizoi”, – ka thënë Maskerano. “Ne duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme dhe të ngrejmë kokën”, – tha ai.
Maxarri: Interi mësoi nga humbjet
Trajneri i Interit, Valter Maxarri, u shpreh se ekipi i tij do të mësojë nga gabimet e bëra në disfatën tronditëse ndaj Kaljarit të dielën. Gjiganti italian arriti të barazonte rezultatin në sfidën ndaj Kaljarit, por më pas këta të fundit shfrytëzuan gabimet dhe fituan me rezultat 4-1 që ka shtuar presionin mbi trajnerin zikaltër. “Tentojmë të jemi të balancuar. Rezultati ndaj Kaljarit nuk ishte Interi, unë nuk besoj se ne jemi të tillë, sigurisht ajo ai Interi që fitoi ndaj Sasuolos. Djemtë janë të zhgënjyer ashtu sikurse unë nga ajo humbje dhe ne duam t’i evitojmë ato. Ne kemi një ndeshje tjetër në Evropë dhe duam që të kthehemi në drejtimin e duhur”, – deklaroi Maxarri.
Jovetiç: Roma e meritoi barazimin
Malazezi Jovetiç ka lavdëruar Romën dhe thotë se ata merituan plotësisht një pikë në takimin e mbrëmshëm. Jovetiç u inkuadrua si zëvendësues në barazimin e parmbrëmshëm në kuadër të Ligës së Kampioneve, duke bërë rikthimin pas një muaji qëndrimi jashtë për shkak të lëndimit. Por as ai nuk ishte në gjendje të bëjë ndryshimin. “Ishte një Roma e mahnitshme. Ata erdhën këtu për të luajtur dhe e merituan rezultatin. Ne shënuam herët, pastaj ramë në gjumë. Ne ia dolëm më mirë në pjesën e dytë, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të shënuar fitore. A e nënvlerësuam Romën? Jo, këtu ne luajmë çdo ndeshje në 100 për qind, vetëm se Roma luajti më mirë dhe ne nuk ishim në gjendje t’i mposhtim ata. Ata e merituan plotësisht pikën”, – ka thënë ish-ylli i Fiorentinës.
Liverpuli, ofertë për Higuainin
Liverpuli, në kërkim të një tjetër sulmuesi. Pavarësisht se “redsat” gjatë afatit kalimtar veror blenë sulmuesin italian Mario Baloteli, klubi nga “Anfield” duket se nuk është i kënaqur me repartin e sulmit. Mediat në ishull shkruajnë se “të kuqtë” e Anglisë ia kanë vënë syrin sulmuesit të Napolit, Gonzalo Higuain. Liverpuli është i gatshëm t’i ofrojë Napolit 31 milionë euro për sulmuesin argjentinas. Thuhet se ish-sulmuesi i Realit të Madridit gjatë dimrit mund të largohet nga napolitanët dhe Liverpuli mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, ndonëse argjentinasi kërkohet edhe nga Arsenali.