Dhuna në familje/ I dehur gjithë ditën në lokale, debaton pa shkak dhe i thyen krahun gruas

0
498

Sonila Mesareja

 Gjykata e dënon me 140 ditë burg, i pandehuri shpreh pendesë dhe betohet para togave të zeza se nuk do ta prekë më me dorë gruan e tij

 dhuneI dehur gjithë ditën nëpër lokale të ndryshme të lagjes apo qytetit, shkon në shtëpi, debaton me të shoqen dhe më pas e dhunon atë, jo duke e qëlluar me shpulla si përherë, por kësaj radhe më keq, duke e goditur me një karrige. Pasoja një krah i thyer për gruan, nënën e dy fëmijëve të tij, dhe burri i vënë pas hekurave. I pandehuri K. Demiri pranon dhunën para policisë dhe shpreh pendesë, madje para gjykatës edhe duke u betuar se nuk do e prekë më me dorë. Gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 140 ditë burg, ndërsa prokurori kërkoi më herët dënimin e tij me 1 vit burg.

 

Akuza

Para togave të zeza, prokurori i çështjes renditi dinamikën e ngjarjes dhe një profil të të pandehurit. Sipas akuzës, i pandehuri K. Demiri është banor i qytetit të Tiranës dhe me punë roje objekti në parkingun e autobusave të linjës Sharrë – Uzina Dinamo. I pandehuri është martuar me shtetasen E. Demiri dhe se nga kjo martesë ata kanë dy fëmijë. Marrëdhëniet bashkëshortore fillimisht kanë qenë të mira, por me kalimin e viteve ato kanë filluar të përkeqësohen pasi i pandehuri Kastriot Demiri konsumonte pije alkoolike dhe nën efektin e tyre ai ushtronte dhunë fizike dhe psikike mbi të.

 

Ngjarja

Sipas akuzës, më datë 29.06.2014, rreth orës 18.00, i pandehuri K. Demiri ka dalë nga banesa e tij për të shkuar në punë si roje tek parkingu i autobusave të linjës Sharre – Uzina Dinamo. Një ditë më pas, pasi ka lënë shërbimin, ai nuk është kthyer në banesë por ka qëndruar duke pirë alkool nëpër lokale të ndryshme dhe rreth orës 19.00, në gjendje të dehur ka shkuar në banesë. Pasi ka hyrë brenda, aty ai ka gjetur vetëm bashkëshorten e tij E. Demiri dhe menjëherë pa asnjë shkak ai ka filluar ta fyejë dhe ta shajë atë. Gjatë këtij debati midis tyre, i pandehuri ka marrë një karrige dhe me të ka goditur në parakrahun e majtë bashkëshorten e tij duke i shkaktuar dëmtime serioze në parakrah dhe po kështu e ka goditur edhe me grusht. Pas këtij konflikti, menjëherë e dëmtuara ka njoftuar shërbimet e policisë se Komisariatit nr.6, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Policia gjyqësore ka marrë kallëzimin e të dëmtuarës dhe më pas e ka dërguar atë për ndihme mjekësore ku nga ekzaminimet e bere ka rezultuar se kishte krisje të kockës së parakrahut të majtë, e cila konstatohet edhe nga radiografia e kryer në spital.

 

Gjyqi

Pas hetimit dosja mbërrin në gjykatë, ku që në seancën e parë, i pandehuri shpreh pendesë dhe kërkon të gjykohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrën uljen e një të tretës së dënimit. Kërkesa u pranua, prokurori kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg, ndërsa para verdiktit të gjykatës, avokatja kërkoi një dënim të barabartë me kohën e paraburgimit dhe nëse nuk pranohej të vihej në provë, duke u dënuar me kusht. Vetë i pandehuri Demiri deklaroi para gjykatës se “unë e dua shumë familjen time dhe betohem para jush që kjo gjë nuk do të ndodhi më. Unë jam shumë i penduar për veprën e kryer dhe kërkoj mëshirë”. Gjykata në përfundim e dënoi me 140 ditë burg.

 

Hakmarrja/ I vë zjarrin banesës së xhaxhait pasi i rrahin babain, dënohet 5 muaj burg

Gjykata e Tiranës ka dënuar me pesë muaj burg një të ri, pasi akuzohet se në shenjë hakmarrjeje për dhunën e ushtruar ndaj të atit, i ka vënë zjarrin banesës së xhaxhait. Fakti është pranuar nga vetë i pandehuri Frensis Spaho, i cili ka shpjeguar edhe rrethanat e kryerjes së veprimeve për të cilat është dënuar. Sipas akuzës, më datë 19 qershor të këtij viti, rreth mesditës, në vendin e quajtur ‘Bruzi’, i pandehuri Frensis Spaho ka djegur me zjarr banesën e xhaxhait të tij Alfred Sotiri ( Spaho). Pasi ka kryer veprën penale, i pandehuri 23-vjeçar është larguar nga vendi i ngjarjes. Më pas është ndaluar dhe i pyetur rreth ngjarjes, ai ka deklaruar se është ai që e ka djegur banesën, e cila sipas tij është në pronësi të babait të tij Luan Spaho. Po sipas 23-vjeçarit, më datës 14 qershor, pesë ditë para ngjarjes, babai i të pandehurit është goditur në qafë nga vëllai i tij Besnik Spaho dhe për këtë shkak i pandehuri i ka vënë zjarrin shtëpisë së xhaxhait në shenjë hakmarrje. Në këto kushte, policia gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrance të tij, ndërsa sipas aktit të ekspertimit të datës 21 korrik të po këtij viti, rezulton se vlera e dëmit të shkaktuar nga djegia është 42. 635 lekë. Spaho u dënua me 7 muaj e 15 ditë burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit për të vuajtur i mbeti 5 muaj.

 

Viti ligjor në Angli/ Ministri Naço takon krerë të lartë të drejtësisë britanike

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, vijon takimet e nivelit të lartë, në kuadër të një vizite pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar. Z. Naço ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së Vitit Ligjor në Angli dhe Uells, i ftuar nga Sekretari i Shtetit për Drejtësinë, z. Chris Grayling, autoriteti më i lartë përgjegjës për funksionimin efikas dhe pavarësinë e gjykatave, më të cilin është takuar gjatë pritjes tradicionale me Lordët. Pas kësaj ceremonie tradicionale në Westminster Abbey, e cila mbledh çdo vit gjyqtarë, Ministra të Drejtësisë nga e gjithë bota, si dhe personalitete të shquara të fushës së drejtësisë nga Anglia, Uellsi dhe vende të tjera të BE-së, z. Naço ka zhvilluar një takim me homologun e tij, Ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Z. Simon Hughes. Gjatë takimit Ministri Naço ka bërë një ekspoze të hapave të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Drejtësisë, dhe është ndaluar veçanërisht në përpjekjet e bëra nga ana e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Z. Naço e informoi homologun e tij mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, rëndësinë e reformimit të Gjykatës së Lartë, risitë në ligjin “Antimafia” etj. Gjithashtu, Ministri Naço e njohu z. Hughes me zhvillimin e konferencës për reformën në drejtësi, e cila do të mbledhë sëbashku më 6 tetor të gjithë aktorët e sistemit, për të diskutuar të ardhmen e kësaj reforme. Ministri u shpreh se konferenca do të jetë një shembull për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes në këtë reformë. Partneritetin dhe asistencën e Mbretërisë së Bashkuar, Ministri Naço i ka konsideruar të një rëndësie të madhe, ndërsa vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë ka qenë i shkëlqyer dhe se ndihma e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka munguar kurrë. Ndërkohë që z. Hughes, ndër të tjera shtoi se duhen përshëndetur masat e marra përsa i përket transferimit të të burgosurve. Gjithashtu Z. Hughes shprehu interesin dhe angazhimin e tij lidhur me një projekt të përbashkët me Shërbimin e Provës në Shqipëri, dhe siguroi për bashkëpunim të mëtejshëm për projekte të tjera me interes të ndërsjellë.