Votimi i ligjeve/ Kuvendi miraton projektligje me 71 vota, mazhoranca “humb” shumicën e cilësuar

0
200

 Florenc Drizari

Në votim mungon Kryeministri Rama si dhe 14 deputetë të koalicionit PS-LSI

 seance-metaMazhoranca shënon numrin më të ulët të votave në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën e djeshme plenare mazhoranca votoi ligje edhe me 71 vota, ndërkohë që në letër shumica parlamentare ka 85 deputetë. Edhe pse në votimin për prezencën shtypën butonat 72 deputetë, projektligji “Për Urdhrin e Stomatologut në Republikën e Shqipërisë”, u votua në parim nga deputetët e majtë me 71 vota.

Në seancë ra në sy mungesa e disa deputetëve të PS-së dhe të LSI-së, përfshirë edhe Kryeministrin. Disa nga deputetët që munguan ishin: Kryeministri Edi Rama, deputetët Vasilika Hysi, Petrit Vasili, Miranda Rira, Valentina Leskaj, Fidel Ylli, Ervin Koçi, Vangjel Dule, Koço Kokëdhima, Arta Dade, Eduard Shalsi. Pas nisjes së procesit të votimit, mazhorancës iu bashkuan edhe tre deputetë të tjerë socialistë, duke bërë që ligjet e mbetura të votoheshin më 73 vota. Deputetët e PS-së, Fatmir Toçi, Ylli Zeçisti dhe Musa Ulqini, u rikthyen në seancë pas votimit të prezencës dhe të disa projektligjeve. Më herët, mungesa e deputetëve të mazhorancës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë si dhe në komisionet parlamentare, ka ngjallur debat në radhët e Partisë Socialiste. Në disa mbledhje të grupit parlamentar të PS-së, kryesocialisti Edi Rama, ka urdhëruar se deputetët duhet të jenë prezent në punimet e Kuvendit dhe se procesi i shqyrtimit të ligjeve, nuk duhet vonuar. Por duket se ky “urdhër” është thyer disa herë nga deputetët e PS-së. Në disa mbledhje të komisioneve parlamentare është konstatuar mungesë kuorumi në votimin e ligjeve dhe shpesh herë, kryetarët komisioneve janë detyruar të shtyjnë mbledhjet. Më të përsëritura këto vakanca janë evidentuar në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin për Sigurinë Kombëtare. Pas bojkotit të opozitës, duket se mazhoranca ka pasur vështirësi për të plotësuar numrat në këto komisione, paçka se në letër koalicioni PS-LSI i ka anëtarët e nevojshëm për të vijuar normalisht mbledhjet.

Më herët në Kuvend mazhoranca është detyruar në sallën e seancave plenare edhe të tërheqë nga votimi projektligje të cilësuara si tejet të rëndësishme për qeverisjen, ligje të cilat kërkonin shumicë prej 84 votash. Ngjarja i përket mungesës së pesë deputetëve “rebelë” për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në sesionin e kaluar të verës, ngjarje e cila u mbyll me rikthimin e tyre në Kuvend dhe votimin e projektligjeve që ishin përcaktuar në axhendën e Kuvendit.

Ndërkaq, në seancën e djeshme, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”. Deputeti më i ri i Kuvendit, Ervin Bushati, do të jetë anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës dhe deputetja Erjeta Alhysa, anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik; ndërsa deputetet Luljeta Arapi dhe Anila Agalliu, anëtare në Komisionin për Punën Çështjen Sociale dhe Shëndetësinë.

Në seancën e së enjtes mungoi sërish opozita, e cila ka nisur bojkotin e Kuvendit në mesin e muajit korrik. Pas incidentit të ndodhur mes deputetit të PD-së dhe dy deputetëve të PS-së në korridoret e Kuvendit, opozita kërkon ndjesë publike nga Kryeministri Rama si dhe zbardhjen e të kaluarës së disa prej deputetëve të PS-së. Lidhur me sherrin e ndodhur në verën e kaluar në Kuvend, prokuroria ka ngritur akuza për dy deputetët Ndreu dhe Ndoka, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë.

 

Kuvend, s’ishin të pranishëm në votim

Kryeministri Edi Rama
Deputetët:
Vasilika Hysi
Petrit Vasili
Miranda Rira
Valentina Leskaj
Fidel Ylli
Ervin Koçi
Vangjel Dule
Koço Kokëdhima
Arta Dade
Eduard Shalsi

 

 

Meta me ambasadoren e re të BE-së: Pjekuri politike për reformat

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një takim me ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, deklaroi se marrja e statusit kandidat i shton përgjegjësitë klasës politike për përmbushjen e reformave kyçe në vend. Meta shtoi se këto reforma në kuadër të axhendës evropiane të Shqipërisë kërkojnë pjekuri politike, gjithëpërfshirje dhe një klimë më konsensuale. Më tej, Meta e uroi Ambasadoren Vlahutin për marrjen e detyrës së re në drejtim të Prezencës së Bashkimit Evropian në Shqipëri duke rikonfirmuar njëkohësisht vullnetin e plotë të Kuvendit për forcimin e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e BE në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

 

Kandidaturat për AMA-n, mazhoranca përjashton dy kandidatura

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi me procedurat për plotësimin e vendeve vakante të AMA-s. Nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza, deklaroi se në dy mbledhjet e djeshme, anëtarët vendosën që të miratonin vendimin nr. 3 për përjashtimin nga gara për postin e anëtarit të AMA-s kandidatin Ndriçim Mehmeti dhe me vendimin nr 4. përjashtimin e kandidates Alketa Rama. Në mbledhjet e kaluara Komisioni vendosi përjashtimin e kandidaturës së Zhaklina Petros. Ndërkohë, mbledhja e djeshme për shqyrtimin e 24 kandidaturave për anëtarë të AMA-s u zhvillua me dyer të mbyllura pas seancës së plenare.