Edmond Tupja
Ese/Reflektim nga Dita Botërore e Përkthimit
Pikëpyetje dhe pikëpamje
Ti më shkruan se ke mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi, se pasioni i përkthimit letrar të ka zënë për fyti që në gjimnaz, thuajse njëkohësisht me dashurinë për të bukurën, për gjuhën shqipe e sidomos për artin e të shkruarit, se ke botuar tashmë vargje e ndonjë tregim nga pena jote, se je orvatur të përkthesh në shqipe hem poezi, hem prozë autorësh francezë, anglo-amerikanë e italianë, se je rrekur të përkthesh diçka edhe nga shqipja në njërën prej këtyre tri gjuhëve, porse kjo përçapje e fundit të është dukur një çmenduri e vërtetë. Meqenëse më kërkon mendim e këshillë lidhur me pasionin tënd të përkthimit letrar, po përpiqem të ta përmbush dëshirën. Lexomë, pra, me durim dhe në të mërzitsha, fajin mos ia hidh përkthimit, por atij që po të shkruan për të.
*
Përkthimi është shumë i lashtë mbi këtë dhé, gati aq sa vetë gjuhët njerëzore. Në zanafillë ma ha mendja se duhet të ketë qenë përdorur në trajtën gojore për nevoja praktike, ato të komunikimit të përditshëm; më vonë, me lindjen e arteve në përgjithësi e të letërsisë në veçanti, duhet të ketë filluar të merret, me të shkruar, edhe me përcjelljen e vlerave letraro-estetike. Me sa di unë, një nga dëshmitë më të vjetra të veprimtarisë përkthimore është, sipas gjasës, kthimi i Biblës nga hebraishtja e lashtë në greqishte të vjetër. Kjo ka ndodhur në shekullin III e II para Jezu Krishtit. Ky përkthim mban emrin e “variantit të të Shtatëdhjetëve”. Thuhet se Ptolemeu II i Filadelfit caktoi shtatëdhjetë e dy rabinë që e njihnin shumë mirë greqishten e asaj kohe për ta përkthyer Librin e Shenjtë në këtë gjuhë nga hebraishtja e moçme brenda një afati të caktuar dhe secili për llogari të vet. Këta u mbyllën si murgj në ishullin Faros dhe, mbas shtatëdhjetë e dy ditëve, pasi e kishin mbaruar punën, u vu re, gjithmonë sipas gojëdhënës, se përkthimi i tyre ishte i njëjtë. Shumë kohë më vonë, nga viti 390 në vitin 405, duke u mbështetur në këtë përkthim, si edhe tek origjinali, duke studiuar gjithashtu variantet e mëparshme latine të Biblës (Vetus Itala), Shën Jeronimi (347-420), personalitet i kishës katolike dhe doktor i shkencave teologjike, që ishte me prejardhje ilire, kreu në Bethlehem përkthimin e Biblës që u quajt Vulgata (nga latinishtja textus vulgatus, çka do të thotë “tekst i përhapur”); andej nga fillimi i shekullit VII, ky tekst u bë varianti zyrtar i Biblës katolike. Shën Jeronimi mbahet sot si shenjtori që mbron përkthyesit. Kësaj figure të ndritur të përkthimit, gjuhëtari e përkthyesi Aurel Plasari i ka kushtuar një studim interesant e të hollësishëm botuar vite më parë në revistën “Nëntori”. Nga varianti latin i Shën Jeronimit, Bibla u përkthye dora-dorës në mjaft gjuhë të folura e vazhdon të përkthehet ende sot. Siç e sheh, roli i përkthyesve nuk ishte i pakët që në atë kohë. Veçse nuk duhet besuar se përkthyesit e kishin të lehtë jetën, sidomos kur përkthimet e tyre kontrolloheshin nga autoritetet e larta kishtare apo shtetërore të asaj kohe, sepse në fillim shkrimet e shenjta e, më pas, ato zyrtare duheshin përkthyer me besnikërinë më të madhe, madje sa më të verbër. Mjaft përkthyes e pësuan për guximin krijues apo rikrijues që kishin treguar në përkthimet e tyre. Kështu, për shembull, humanistin e përkthyesin francez Etienne Dolet (1509-1546) e varën për herezi e ateizëm, sepse nuk e kishte përkthyer tamam sipas “frymës e fjalës” së origjinalit një fragment nga shkrimet e shenjta. Gjithsesi, meqë njeriu nuk mund t’i mësojë dot brenda një jete njerëzore të gjitha gjuhët e botës, madje as ato më të përhapurat e më të përdorshmet, shoqëria dhe tërë autoritetet e saj e kuptuan se pa përkthyesit rruga e mundimshme drejt njohjes do të ishte edhe më rraskapitëse. Qysh atëherë, roli i përkthyesve në shoqërinë njerëzore erdhi e u bë gjithnjë e më i rëndësishëm aq sa sot, me të drejtë, një filozof e shkrimtar si Umberto Eco thekson se “zanati i përkthyesit është një profesion që i përket së ardhmes”, çka do të thotë se bota moderne nuk do të mund të bëjë dot pa përkthyes, sado të përsosen metodat e mësimdhënies së gjuhëve të huaja e sado njerëzit t’i mësojnë ato e të thellojnë njohjen e përdorimin e tyre, sado të stërhollohen ordinatorët, të cilët vështirë se do ta bëjnë ndonjëherë të panevojshëm profesionin e përkthyesit. Në historinë e njerëzimit, përkthimi do të luajë, ashtu si deri më sot, një rol të veçantë e të pazëvendësueshëm në përshpejtimin e zhvillimit të tij. Kjo duket aq më tepër e besueshme që, duke parë edhe dështimin e gjuhëve artificialisht “universale”, siç ka qenë rasti për esperanton dhe volapukun ndër të tjera, njerëzimi nuk do të flasë kurrë një gjuhë të vetme për arsyen e thjeshtë se popujt janë e do të jenë vazhdimisht të ndryshëm, kush më shumë e kush më pak, për nga historia e kultura, mendësitë e qytetërimi.
Edhe te ne, në Shqipëri, përkthimi është një veprimtari intelektuale e artistike e hershme. Të parët që u morën me përkthime ndër shqiptarët qenë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, “katër B-të” siç i quan Vedat Kokona; pastaj vijnë disa nga rilindësit tanë më të shquar, si Kristoforidhi, Naim Frashëri e Çajupi; më vonë kemi Fishtën, Prenushin, Konicën, Lumo Skëndon, Fan Nolin, Koliqin e Dom Lazër Shanton. Nga fundi i viteve ’30, kemi H. Lacajn, F. Alkajn, P. Gjeçin, S. Luarasin, S. Cacin e A. Varfin. Në vitet ’50, ’60 e ‘70 afirmohen disa nga këta dhe dalin në skenë përkthyes të tjerë, si: H. Selfo e V. Kokona, të ndjekur nga L. Poradeci, Dh. Pasko, A. Hashorva, H. Kokalari, P. Zheji, M. Treska, Z. Simoni, B. Doko, E. Fico, A. Kristo, V. Vinçani, R. Shvarc, S. Çomora, V. Buharaja, P. Gjergo, P. Jorgoni, Gj. Shllaku, J. Bllaci, K. Evangjeli, D. Omari, A. Koçi e shumë të tjerë. Në vitet ’80 e ’90 shfaqen të tjerë përkthyes, më të rinj, si: A. Plasari, P. Misha, Sh. Çuçka, E. Ymeri, B. Shehu, M. Kumbaro, B. Çabej, M. Meksi, V. Kalemi, G. Hadaj, K. Hadëri, A. Marashi, A. e F. Papleka, N. Varfi, R. Vuçini, F. Andrea dhe U. Buçpapa, si edhe S. Pasho, A. Çani, G. Çoçoli, R. Çollaku e A. Tufa. Një vend i veçantë u duhet kushtuar atyre që kryen e vijojnë të kryejnë “çmendurinë e përkthimit” duke përkthyer nga shqipja në gjuhë të huaj; po përmend të paarritshmin Jusuf Vrioni që ka përkthyer në tërësinë e saj veprën letrare të Ismail Kadaresë, kushëririn e tij, Aziz Vrionin,Vedat Kokonën, Zafer Vilën, Hamit Kokalarin, Robert Shvarcin, Aleko Shkurtin, Halit Deden, Kolë Lukën, Nuri Hamzaranë, Riko Konicën, Z. Simonin, P. Qeskun, E. Ymerin, M. Kumbaron, A. Leskajn, S. Pashon, M. Meksin e disa të tjerë. Nga ana tjetër, le të kujtojmë se mjaft nga shkrimtarët tanë më të njohur janë marrë edhe me përkthime si, për shembull, Fan Noli, M. Kuteli e L. Poradeci, ndërsa, nga më bashkëkohorët do të përmendja D. Çulin, B. Shehun, F. Kongolin, B. Mustafajn, I. dhe H. Kadarenë, D. Agollin, N. Jorgaqin e N. Lerën.
Në Kosovë e Maqedoni gjithashtu, ka përkthyes të spikatur, si Eqrem Basha, Nehat S. Hoxha, Mensur Raifi, Rexhep Ismaili, M. Kërveshi e Mazllum Sanli, pa harruar brezin e vjetër të tyre, si Esat Mekuli, Vehap Shita, Fadil Bujari, J. Gërvalla, Ymer Jaka e Masar Stavileci.
Së fundi, të mos harrojmë se edhe në Departamentin e Gjuhës Frënge të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja disa nga pedagogët, si M. Kumbaro, S. Pasho, V. Havari, J. Kostari, N. Varfi, L. Canaj e D. Xhoxhaj, merren rregullisht me përkthime, pa harruar të ndjerin P. Sinani, që përktheu, ndër të tjera, edhe Kujtimet e Adrianit të Marguerite Yourcenar-it; në departamentet e tjera gjithashtu numërohen mjaft pedagogë që ushtrojnë një veprimtari të tillë.
*
Ti më kërkon tani të të jap një përkufizim të përkthimit.
Ç’është e vërteta, ekzistojnë shumë të tillë, sepse në botën e sotme ka lloj-lloj teorish përkthimi. Përkufizimi që do të lexosh pas pak është fare i thjeshtë; atë e kam nxjerrë nga praktika ime si përkthyes, por në dritën e leximeve të mia teorike; sidoqoftë, ai nuk është e nuk mëton të jetë i përsosur. Sipas meje, nga një këndvështrim teorik, “përkthimi është një veprimtari psiko-gjuhësore e ushtruar nga dikush me gojë a me shkrim për të vendosur komunikimin midis bashkësish a individësh që nuk flasin të njëjtën gjuhë dhe që duan të komunikojnë me njëri-tjetrin. Në rastin e përkthimit letrar, kjo veprimtari ka një rezonancë estetike”. Kur them “nga një këndvështrim teorik”, kam parasysh faktin që sot ekziston në botën e qytetëruar një shkencë e përkthimit që quhet traduktologji (në frëngjishte traductologie) themeluar nga Danica Seleskovitch dhe Marianne Lederer, të cilat kam pasur nderin t’i kem profesoreshat e mia në Shkollën e Lartë të Përkthyesve e të Interpretëve (E.S.I.T.) në Paris. Falë përpjekjeve shkencore të këtyre dy figurave të teorisë e praktikës së përkthimit, sot përkthimi nuk është më si dikur një nëndegë e gjuhësisë, por shkencë më vete. Pra, përkthimi është shkencë; si i tillë, ai mban lidhje të ngushta me gjuhësinë, psikologjinë, leksikologjinë e leksikografinë. Gjithsesi, të mos harrojmë se, para se të ngrihej në këtë nivel, ai ka qenë gjithashtu dhe vazhdon të jetë një teknikë; si i tillë, ai mban lidhje me gramatikën, stilistikën dhe artin e të shkruarit. Le të kujtojmë se pak më lart të thashë që përkthimi është edhe zanat; por kur themi “zanat”, na shkon mendja te fjala “artizanat” e cila fillon me fjalën “art”. Me këtë dua të them se përkthimi është edhe art. Është i tillë sepse përkthyesi letrar (dhe çdo përkthyes tjetër që përkthen me shkrim qoftë edhe një tekst teknik), gjatë procesit përkthimor kryen, ndër të tjera, një përvetësim estetik të një realiteti gjuhësor (artistik a të një lloji tjetër) që vetë rrjedh nga një përvetësim tashmë estetik i një realiteti jashtëgjuhësor. Po ta them më thjesht: Fan Noli nuk ka hedhur në letër një ngjarje që e ka jetuar vetë drejtpërsëdrejti, por çka ka lexuar të shkruar tashmë nga Shakespeare-i. Pra, përderisa kemi përvetësim estetik, qoftë të një realiteti tashmë estetik, kemi art. Dhe kemi art, sepse kemi krijim të mirëfilltë, ndonëse kemi, njëkohësisht, edhe rikrijim. Kemi krijim në rrafshin gjuhësor, meqenëse Shakespeare-i nuk e ka shkruar Hamletin, për shembull, në gjuhën shqipe, por në atë angleze; në gjuhën shqipe atë e ka shkruar Fan Noli; domethënë se në shqipe atë e ka krijuar ky i fundit. Kemi rikrijim në rrafshin e fabulës, meqenëse historinë e Hamletit e ka treguar i pari Shakespeare-i; Fan Noli vetëm sa e ritregon si përmbajtje, por me fjalë krejt të ndryshme nga ato të Shakespeare-it, domethënë me fjalë shqipe. Për ta ilustruar këtë, mund ta krahasojmë përkthyesin me skulptorin; ky, kur gdhend, ka zakonisht një model para syve (flas këtu të paktën për skulpturën figurative); këtë model nuk e ka krijuar ai, atë ai vetëm do ta rikrijojë, sigurisht sipas mënyrës së vet, duke e përvetësuar artistikisht, në një lëndë tjetër, e cila do t’i bindet frymëzimit të tij. A nuk bën edhe përkthyesi të njëjtën gjë? Skulptura është art, natyrisht, prandaj edhe përkthimi s’ka përse të mos konsiderohet si i tillë. Edhe krahasimi i përkthyesit me piktorin apo muzikantin do të qëndronte: përkthyesi mund të krahasohet shumë me tepër me piktorin sesa me fotografin, shumë më tepër me muzikantin sesa me magnetofonin.
Siç e sheh, pra, përkthimi s’mund të mos jetë edhe art, dhe kjo nuk më duket aq e zorshme për t’u kuptuar. Ky përkufizim tjetër, i katërfishtë, duhet mbajtur kurdoherë parasysh, sidomos tani që, te ne, nga disa autoritete të larta shkencore përkthimit i hiqet arbitrarisht karakteri shkencor (Lexo, lidhur me këtë, në anekset në fund të këtij libri, letrën e hapur që i kam drejtuar ministrit të Arsimit dhe që është botuar në gazetën Koha Jonë të datës 5 shkurt 1999).
*
Ekziston apo nuk ekziston një teori e mirëfilltë përkthimi, më pyet ti, apo ka vetëm praktikë a përvojë përkthimi?
Një ditë, në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” takova rastësisht një mik, përkthyes i mirënjohur. Sigurisht, kur një përkthyes takon një përkthyes tjetër, që të dy, herët a vonë, do të flasin për përkthimin. Filloi kështu midis nesh një bisedë plot pasion, kur, befas, miku im më thotë se përkthimi ekziston kryesisht vetëm si praktikë dhe se të mëtosh që ekziston një (e aq më tepër disa) teori përkthimi është deri diku çmenduri. Nuk do të të tregoj vazhdimin e bisedës sonë, por po përfitoj nga rasti për të të sqaruar lidhur me këtë çështje.
Qysh në lashtësi, përkthyesit, pas një përvoje të gjatë në zanatin e tyre, nuk kanë ngurruar të bënin përgjithësime. Kështu, nga praktika e tyre, është krijuar një shumë dijesh, të cilat, për vetë karakterin e tyre përgjithësues, kanë formuar pak nga pak njëfarë indi praktiko-teorik që, me kalimin e kohës dhe me shtrirjen e thellimin e veprimtarisë përkthimore, është kthyer në teori të mirëfilltë. Në fund të fundit, një teori është një organizim logjik. S’ka asgjë të keqe që, pasi ke përkthyer gjatë, të mendosh e të nxjerrësh përfundime nga ajo që ke bërë, në mënyrë që edhe të tjerët, përkthyesit e ardhshëm, të përfitojnë sadopak nga përvoja jote. Është e vërtetë që nuk e mëson dot notin pa u futur në ujë, veçse me siguri bëhesh notar edhe më i mirë duke e racionalizuar praktikën, përvojën tënde prej notari.
Përderisa sot ekziston, siç e përmenda pak më lart, një shkencë që quhet traduktologji (në shqipe mund të thoshim përkthimologji), ajo mbështetet patjetër në një teori të dalë, logjikisht, nga një praktikë përkthimore qindravjeçare. Përsiatjet e para teorike për përkthimin i gjejmë në shekullin V te vetë Shën Jeronimi, por, më pranë nesh, zhvillime të mirëfillta teorike gjejmë: në shekullin XVI te Martin Luther-i (Qarkore për përkthimin, 1530), si edhe tek Etienne Dolet-i (Si të përkthejmë mirë nga një gjuhë në tjetrën, 1540) e te Du Bellay, i cili u kushton problemeve të përkthimit tre kapituj të librit të tij Mbrojtja e vlerësimi i gjuhës frënge (1549); në shekullin XVII, në Francë, De Méziriac boton një Ligjëratë mbi përkthimin, De Tende një traktat me titull Mbi përkthimin ose rregullat që duhen ndjekur për të mësuar si të përkthesh dhe Huet një Traktat përkthimi (1661); në Angli, Dillon shkruan një Esé për përkthimin e vargjeve (1684), kurse Denham boton, në një letër drejtuar Sir Richard Fanshawe-it (1658), një lloj arti poetik të përkthyesit; në Gjermani, Schottel i kushton mënyrës të të përkthyerit siç duhet një kapitull të librit të tij Gjuha kryesore gjermane (1663); në shekullin XVIII, në Francë, një numër autorësh, ndër të cilët D’Alembert (Vëzhgime mbi artin e përkthimit, 1763) e Rivarol (Ligjëratë paraprake për përkthimin e “Ferrit”, 1783), botojnë shkrime të ndryshme teorike mbi përkthimin; në Angli, Tytler, lord Woodhouselee, nxjerr të parin traktat të mirëfilltë teorik mbi përkthimin, të quajtur Esé mbi parimet e përkthimit (1791), por Campbell, i cili, më 1789, kishte botuar një libër mbi historinë dhe teorinë e përkthimit, e akuzon për plagjiaturë; në Gjermani, një mori autorësh trajtojnë probleme teorike e praktike të përkthimit, ndër ta Herder me librin Mbi zanafillën e gjuhës (1722) dhe poeti Novalis me artikullin Poleni (1798) në revistën Athenaum që botonte Schlegel-i; në shekullin XIX, në Francë, veçojmë Madame de Staël me esénë Mbi frymën e përkthimeve (1820) dhe de Saint-Constant me librin Nocione të thjeshta përkthimi (1808-1811) që u kushtohet kryekëput problemeve të mirëfillta teorike në fushën e përkthimit; në Angli, ndër të tjerë, Arnold boton Duke përkthyer Homerin (1861), ndërsa F. Newman nxjerr, po atë vit, Përkthimet e Homerit në dritën e teorisë e të praktikës së përkthimit; në Gjermani, personalitete të shumta të artit dhe shkencës, si Gëte e Humboldt, sjellin vlerësime teorike mbi përkthimin, por duhen përmendur Schleiermacher me librin e tij Mbi metodat e ndryshme të përkthimit (1813), ku, për të parën herë, problemi i përkthimit trajtohet në lidhje me atë të komunikimit, J. Keller me Kufijtë e artit të përkthimit (1892), ku përcaktohen caqet e përkthimit, dhe filologu klasik Cauer me Arti i përkthimit (1894), ku bëhet fjalë për artin e përkthimit në përgjithësi; së fundi, në shekullin XX, që cilësohet si epoka e Përkthimit dhe e përkthimeve, numri i teoricienëve të përkthimit është rritur aq shumë saqë unë do të citoj vetëm disa prej tyre, si: në Francë, Danica Seleskovitch e Marianne Lederer; në Kanada, Jean Delisle; në Zvicër, Hannelore Lee-Jahnke; në Angli, Steiner e Newmark; në Gjermani, Reiss e Wilss; në Itali, Umberto Eco.
Të gjitha këto, i dashur mik, për të të thënë se përkthimi, që ka filluar si praktikë, ekziston sot edhe si teori dhe se, në më të shumtën e rasteve, këtë teori e kanë ngritur vetë përkthyesit. Madje, në botën e sotme, ka shkolla të mirëfillta përkthimi e interpretimi, ku mësimdhënia e teorisë nuk mungon kurrë. Kështu, vetëm në Paris gjendet Shkolla e Lartë e Përkthyesve dhe e Interpretëve (E.S.I.T.) themeluar më 1957, ku kam pasur fatin të bëja studime të thelluara pasuniversitare, si edhe Instituti i Lartë i Interpretimit e i Përkthimit (I.S.I.T.); në Universitetin e Gjenevës është Shkolla e Përkthimit dhe e Interpretimit (E.T.I.) themeluar më 1941, kurse në universitetin “Marc Bloch” të Strasbourgut ndodhet Instituti i Përkthyesve, Interpretëve dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Gjithsesi, teoria e mirëfilltë e përkthimit, që duhet kuptuar si një përsiatje e hulumtim teorik rreth përkthimit si objekt studimi, nuk e shndërron si me magji një përkthyes të dobët në përkthyes të mirë (dhe këtu jam krejt ne një mendje me Robert Shvarcin); ajo nuk e bën atë as më të zgjuar, as më të ndjeshëm ndaj tekstit që duhet të përkthejë. Por “ajo na mundëson, ndër të tjera, – thotë Robert Larose në librin e tij Teoritë bashkëkohore të përkthimit (1989) – që të ngremë në sistem vetë procesin e përkthimit dhe të përfitojmë nga parimet e rregullat e saj për t’u orientuar më mirë në mënyrën tonë të të përkthyerit. Ajo shërben gjithashtu si kuadër referimi kur bëhet fjalë për vlerësimin e teksteve të përkthyera sepse na krijon mundësi, falë dritës që hedh mbi mënyrat e ndryshme të të përkthyerit, për të dalluar, sipas rastit, parametrat që duhen mbajtur parasysh nga ata që duhen mënjanuar.”
*
Me të drejtë, si kureshtar që je (dhe kureshtja është një veti që duhet ta karakterizojë intelektualin në përgjithësi dhe përkthyesin në veçanti), ti më pyet se cili ka qenë e vazhdon të jetë debati kryesor në fushën e përkthimit.
Me sa di unë e nga ç’kam lexuar, teoricienët e përkthimit janë ndarë prej shumë kohësh në dy grupe, ata që janë për një përkthim besnik, sa më afër jo vetëm ideve, por edhe fjalëve të tekstit origjinal, dhe ata që janë për një përkthim të lirë, larg formës e, shpesh, jo fort pranë ideve të tekstit origjinal. Këtë dasi e ilustrojnë më së miri dy lloj përkthimesh, ai i shkrimeve të shenjta, pra i teksteve fetare, dhe ai i teksteve letrare. I pari mbështetet në përkthimin thuajse fjalë për fjalë. Rasti më i skajshëm është ai i “papërkthyeshmërisë” së Kuranit; meqë fjala e Zotit është e papërkthyeshme, hoxhallarët e tërë vendeve të botës lutjet dhe leximin e Kuranit e bëjnë në arabisht; bëjnë përjashtim budistët që mund t’i mësojnë këshillat e Budës secili në gjuhën e vet amtare. Përkthimi i llojit të dytë, pra ai i teksteve letrare, gjatë shekujve është luhatur midis përshtatjes së lirë, ose, siç thuhet në frëngjishte, les belles infidèles (bukuroshet e pabesa), dhe besnikërisë fjalë për fjalë. Përkrahësit e përkthimit të lirë shkojnë deri aty sa ndryshojnë, duke i pasuruar në më të shumtën e rasteve, mendimin dhe idetë e autorit, por duke iu përmbajtur stilit të tij. Kështu, për shembull, në Francën e shekullit XVII Iliada dhe Një mijë e një netët u janë përshtatur shijeve të lexuesit bashkëkohor francez deri te sjellja, veshja dhe fjalët e personazheve. Ndër përkthyesit tanë më të shquar, këtë prirje e vëmë re herë pas here te Fan Noli (sidomos me Don Kishotin e Servantesit) dhe te Petro Zheji (sidomos me vazhdimin e Don Kishotit). Përkundrazi, në shekullin XIX, po në Francë, përkthyesit u prirën drejt një përkthimi rreptësisht besnik; kështu, Nervali i bëri një përkthim “fotografik” Gëtes dhe Leconte de Lisle përktheu fjalë për fjalë Iliadën dhe Odisenë. Vetëm në shekullin XX, përkthyesit, në shumicën e tyre, hoqën dorë nga qëndrimet e skajshme, duke iu përmbajtur përkthimit interpretativ, besnik ndaj mendimit, ideve e ndjenjave të autorit, ndaj stilit të tij, por të lirë në mënyrën e të rishprehurit të tyre në gjuhën e vet amtare pa harruar lexuesin të cilit i drejtohen. Siç e nënvizon Robert Larose, “cilësia e një përkthimi sot mbështetet në kritere të reja, ndër të cilat efektshmëria e komunikimit dhe respektimi i tekstit origjinal… sepse këto vitet e fundit nuk bëhet më fjalë të zgjedhësh midis përkthimit fjalë për fjalë dhe atij të lirë, por midis përkthimit dialektikisht funksional dhe atij jofunksional”.
*
Ti dëshiron të dish sa lloj përkthimesh ka apo mendohet të ketë.
Në këtë pikë ekzistojnë disa klasifikime. Kemi, fillimisht, përkthimin me gojë dhe përkthimin me shkrim. I pari, që quhet interpretim, është shumë i lashtë, meqenëse, siç thuhet, “në fillim ishte fjala”. Në të folmen e përkthyesve interpretë (domethënë që përkthejnë me gojë) përdoret termi përkthim konsekutiv, ose në vijim, për ato raste kur përkthyesi fillon të përkthejë kur oratori, pasi ka folur mesatarisht katër a pesë minuta, hesht për ta lënë atë t’i përkthejë publikut të pranishëm ato që sapo ka thënë. Nga ana tjetër, përdoret termi përkthim simultan, ose i njëkohshëm, për ato raste kur, gjatë konferencave ndërkombëtare, prej kabinës së vet, me kufje në vesh për ta dëgjuar oratorin e huaj që ndodhet në sallë para publikut të pranishëm, dhe me një mikrofon para gojës për ta përkthyer, përkthyesi flet njëkohësisht me këtë orator, veçse në gjuhën e publikut, i cili ndjek, sigurisht me kufje, përkthimin e tij. Të jesh përkthyes interpret është shumë më e vështirë se ç’pandehet dhe në botë ka sot shkolla ku, për t’u formuar si i tillë, duhet të dish disa gjuhë e të kesh disa prirje që nuk i kanë të gjithë. Së fundi, në përkthimin me gojë futet edhe i quajturi përkthim me të parë, domethënë kur përkthejmë një tekst me zë të lartë, aty për aty, për një publik të caktuar, i cili nuk ka kohë të presë që t’ia përkthejmë me shkrim.
Le të kalojmë tani te përkthimi me shkrim. Në ndryshim nga ai me gojë, gjatë të cilit një ligjëratë kthehet nga njëra gjuhë në tjetrën, këtu bëhet fjalë për tekste kuptimi i të cilave rishprehet në një gjuhë tjetër. Këto tekste mund të jenë të natyrave të ndryshme, letrare, pragmatike, shkencore apo teknike. Edhe këtu, për të qenë një përkthyes i denjë për këtë emër, nevojiten disa aftësi a dhunti të veçanta. Me këtë rast, kam dëshirë të përmend një paragjykim që ndeshet rëndom në jetën intelektuale shqiptare dhe sipas të cilit mjafton të kesh studiuar për disa kohë një gjuhë të huaj që të vetemërohesh automatikisht përkthyes. Kjo shpjegon sasinë jo të vogël të përkthimeve të dobëta në tregun e sotëm të librit në Shqipëri.
(Nga libri Këshilla një përkthyesi të ri, 2007, Onufri)