Senad Nikshiqi
Liqen apo kënetë? Kjo është pyetja që shtrohet prej vitesh për liqenin e Shkodrës. I njohur në lashtësi si Palus Labeatis, pasqyra e tij ujore gjendet në një lartësi 6 metra mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² me një gjatësi brigjesh prej 57 km i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi, ku më 1983 e shpalli Park Kombëtar liqenin. Ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ultë të “marsheve” në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i bardhë. Fauna e liqenit ka qenë e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Evropë i cili fatkeqësisht është drejt zhdukjes. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra ose të paktën aq mendohet të ketë qenë. Në skajin juglindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin ky liqen.
Derdhja e liqenit
Në këtë liqen nga ana malazeze derdhet lumi i Moraçës e nga ana shqiptare, në mes të rrugës Shkodër-Shirokë merr formë lumi Buna si vazhdim. Bregu i tij është 11 milje dhe shtrihet nga lindja në perëndim. Pranë liqenit është mali i Taraboshit. Pak para derdhjes së lumit Drin në lumin Buna, ndodhen 10 dajlane për gjuetinë e peshkut; më të famshmit janë krapi, qefulli, ngjala dhe blini të cilët fatkeqësisht janë edhe ato drejt zhdukjes.
Banorët
Që prej vitit të kaluar kanë nisur punimet për shëtitoren e Shirokës dhe rrugën e saj. Banorët atje vitin e kaluar pretendonin se ujërat e zeza që merren në Shirokë dhe Zogaj derdhen direkt në liqenin e Shkodrës. Agetina Keçaj shprehet se edhe projekti ka ndryshuar destinacion. “Projekti i pedonales që përfshin edhe qendrën e Shirokës nuk po zbatohet siç duhet sepse është devijuar shumë. Edhe pse mu premtua që ujërat e zeza nuk do të merren më në pusetën pranë shtëpisë sime, situate vijon e njëjtë. Era e rëndë që kundërmon dhe rreziku i ndonjë epidemie janë një rrezik për ne. Tubacionet nuk janë vendosur siç parashikon projekti. Tubat ndodhen vetëm pak metra poshtë banesës sonë. Për të mos mjaftuar të gjitha ujërat që merren në qendër të Shirokës derdhen pak metra më tutje në liqen. Vendi ku janë depozituar është poshtë varreza katolike. Një gropë e madhe fekalesh është krijuar tashmë teksa përzihen me ujërat e liqenit duke sjellë dëme të mëdha ekologjike e duke krijuar një skandal të vërtetë. Pyetja që unë shtroj është se kush e mbron liqenin kur vetë drejtuesit e institucioneve vendore vazhdojnë ta shkatërrojnë atë pa u shqetësuar nga askush”, – përfundon Agetina, një banore autoktone e Shirokës.
Ndotja
Vetëm sasitë totale të prodhimit të mbetjeve në një dit në bregun e liqenit të Shkodrës dhe sistemi i depozitimit të mbetjeve që shpesh herë për të mos thënë thuajse përherë nuk funksionon, japin shifra të frikshme për ndotjen e liqenit të Shkodrës. Dy tabelat e mëposhtme tregojnë qartazi gjendjen në mënyrë të detajuar. Në fakt në realitet situate është edhe më shumë problematike sesa paraqitet në shifra dhe dokumentacione zyrtare. Çdo ditë në liqenin në Shkodrës mbetjet urbane, ndërtimore, ujërat e zeza, ndotja kimike apo By Pass i lënë në mëshirë të fatit ende pa nisur mirë janë disa prej faktorëve kryesorë që kanë alarmuar tashmë të gjithë për ndotjen dhe shkatërrimin që po i bëhet liqenit të Shkodrës dita-ditës. Edhe pse janë dhënë shumë fonde që shkojnë në miliona euro në terren situate është emergjente. Liqeni po humb gjithçka duke u kthyer qartazi në një kënetë jofunksionale. Sapo futesh buzë rrugës poshtë së cilës ndodhet liqeni i Shkodrës shfaqet një tabelë e ndryshkur që është sinjali i parë që tregon se cila është situata dhe se cila ka qenë vëmendja atje. Ajo zonë nuk ka asnjë studim urbanistik për të mos folur për ndonjë plan të zbatuar. Shiroka në pjesë të ndryshme të saj të ngjan si një gërmadhë ku inertet ndodhen prej më shumë se dy vitesh aty të papastruara. Kudo në bregun e liqenit ajo zonë është e mbushur me mbeturina. Në shumë pjesë imazhi nuk është aspak i bukur e po ashtu era e rëndë që kundërmon vende vende të bllokon frymëmarrjen. Në të njëjtën kohë ajo gjëndje nga papastërtitë në shumë raste bën që turistët e frekuentuesit nga Shkodra e vende të tjera të Shqipërisë të largohen duke ulur kështu numrin e vizitorëve. Liqeni tashmë çdo ditë e më shumë po kthehet në një moçalishte të vërtetë çka ka sjellë zhdukjen e shumë specieve të florës e faunës që deri para pak kohësh ishte shumë e pasur. Gjendja ka degraduar sëtepërmi aq sa jo rrallë herë Krapi, peshku tradicional i liqenit vjen nga Podgorica e Malit të Zi për tu tregtuar në Shkodër. Liqeni është i boshatisur dhe jeta atje është si e vdekur edhe pse jemi në sezon turistik.
Vlerësimi i sasisë totale të mbetjeve të prodhuara në një ditë dhe në një vit në bregun e liqenit.
Qendra | Popullsia | Sasia kg/ditë | Sasia Ton/vit |
Rrethi i Shkodrës
|
|||
Shiroka | 304 | 456.4 | 166.6
|
Zogaj | 396 | 138.6 | 50.6 |
Nëntotal | 1700 | 595.0 | 217.2 |
Rrethi i Koplikut
|
|||
Koplik i sipërm | 1259 | 440.7 | 160.8 |
Bogiq | 670 | 234.5 | 85.6 |
Dobre | 693 | 242.6 | 88.5 |
Culaj | 573 | 200.6 | 73.2 |
Kalldrun | 554 | 193.9 | 70.8 |
Sterbeq | 636 | 222.6 | 81.2 |
Jubicë | 572 | 200.2 | 73.1 |
Kamicë-Flakë | 957 | 335.0 | 122.3 |
Nëntotali | 5914 | 2069.9 | 755.5 |
Totali | 7614 | 2664.9 | 972.7 |
Rritja e popullsisë dhe nevoja për aktivitete çlodhëse dhe turizëm në bregun e liqenit në të ardhmen do të rrisë numrin e njerëzve dhe si rrjedhim edhe sasinë e mbetjeve. PMM duhet të parashikojë rritjen e depozitimit të mbetjeve dhe nevojën për sisteme më të mëdha mbledhjeje.
Sistemi i depozitimit të mbetjeve.
Vendi i mbetjeve | Rrethi | Mënyra e depozitimit | Mënyra e mbledhjes | Frekuenca e mbledhjes | Institucioni mbikëqyrës |
Shiroka | Shkodër | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 2 ditë | Rrethi Shkodër |
Zogaj | Shkodër | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Shkoder |
Koplik i sipërm | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 2 ditë | Rrethi Koplik |
Bogiq | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Dobre | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Culaj | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Kalldrun | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Sterbeq | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Jubicë | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 4 ditë | Rrethi Koplik |
Kamicë-Flakë | Koplik | Kazan mbetjesh | Transportim në landfill | Çdo 2 ditë | Rrethi Koplik |
Dështimi dhe gjunjëzimi institucioneve lokale
Reagimi i Bashkisë Shkodër
Për të parën herë, kryetari Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, ka pranuar derdhjen e mbeturinave në liqenin e Shkodrës dhe ndotjen e përditshme të tij. I pyetur për këtë situatë kryebashkiaku konfirmoi se biznese të ndryshme që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e Shirokë – Zogaj derdhin mbetje dhe ujërat e zeza në liqen. “Ne e dimë problematikën që ekziston. Natyrisht që në liqenin e Shkodrës derdhen mbetje apo ujëra të zeza. Kjo situatë ka prej shumë vitesh që është në këtë gjendje edhe pse ne jemi munduar që ta minimizojmë. Është e vështirë. Jemi munduar të sensibilizojmë për këtë situatë përmes aktiviteteve të ndryshme por sërish ka problem që sa më shpejt të jetë e mundur duhet të eliminohen”, – deklaron Luka. Kryebashkiaku Luka i pyetur se pse nuk ndëshkohen shkelësit e ligjit tha se nuk është e mundur që për çdo subjekt biznesi të vendosen roje për të bërë të mundur gjobitjen ndërkohë që pyetjen në adresë të tij e quajti me ironi, mënyre hetuese. Luka tha se janë disa institucione që janë ndëshkuar me gjobë për ndotjen e shkaktuar në liqen por nuk deklaroi se cilat janë këto institucione. “Ne nuk mund të vendosim nga një polic për çdo subjekt që operon në Shirokë apo Zogaj. Numri i tyre është i madh tashmë. Jemi munduar që të operojmë aq sa kemi pasur mundësi por natyrisht që të vetëm nuk mundemi që ta ndalojmë plotësisht këtë fenomen. Pastaj këto problem nuk mund të marrin një zgjidhje përmes mënyra hetues që ju ndërmerrni. Për të thënë të vërtetën ka pasur disa institucione që janë ndëshkuar për ndotjen e liqenit të Shkodrës të cilat për arsye të ndryshme nuk preferoj t’i bëj publike. E kemi në vëmendjen tonë këtë shqetësim dhe synojmë që të ulim sasinë e ndotjes edhe pse dihet që nuk është e lehtë”. – ka përfunduar kryebashkiaku i Shkodrës duke pranuar dështimin.
Reagimi i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër
Nga ana tjetër Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, e drejtuar nga Leonard Kepi, “mbyll” gojën për ndotjen në liqenin e Shkodrës dhe derdhjen e ujërave të zeza teksa në rrugë jo zyrtare edhe ai konfirmon derdhjen e ujërave të zeza në liqen. Drejtori Kepi është munduar që të heqë përgjegjësinë nga institucioni që drejton duke ditur fare mirë se firma që po zbaton projektin nuk mundet që të veprojë sipas dëshirës e madje të shkatërrojë edhe më shumë liqenin e Shkodrës duke derdhur ujërat e zeza. Ndërmarrja e ujësjellësit me vetëm një shkresë të vetme, duke parë abuzimet e herëpashershme, ka mundësi që të bllokojë tërësisht punimet e të kërkojë llogari e po ashtu të bëjë të mundur ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza në liqen. Pra nga njëra anë ai ka pranuar, ndonëse jo zyrtarisht se firma përmes mjetit të ndërmarrjes së ujësjellësit ka derdhur ujërat e zeza në liqen. Duke qenë se aty projekti kap shifrën e miliona eurove, pala shqiptare, konkretisht vetë ujësjellësi apo edhe instanca të tjera nuk kanë forcën e duhur për të ndërhyrë. I pyetur edhe për devijimin e projektit në qendër të Shirokës, sërish drejtori Kepi ka pranuar që është devijuar por ka deklaruar se nuk ka pasur forcën e duhur për ta zbatuar projektin fillestar duke qenë se është ndaluar nga disa prej banorëve të Shirokës të cilët kanë banesat apo muret rrethuese pikërisht në vendin ku duhej të kalonin tubacionet. Edhe pse i vetëdijshëm për këto shkelje flagrante e për situatën skandaloze, ndërmarrja ujësjellës kanalizime nuk ka bërë asnjë hap për ta ndaluar këtë situatë që po çon në shkatërrimin e plotë të liqenit të Shkodrës. Në këtë mënyrë, drejtori Kepi nuk ka denjuar që të flasë e të japë një reagim zyrtar se pse Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve po lejon shkatërrimin e liqenit edhe pse si mision ka mbrojtjen e tij.
Alarmi i specialistëve të mjedisit, reagon profesor Mahir Hoti
Forumi shqiptar i liqenit të Shkodrës, i drejtuar nga profesor Mahir Hoti, ish-rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe një specialist i problemeve të mjedisit rrëfen gjithçka për situatën problematika në liqenin e Shkodrës. “Kam bërë një studim para pak kohësh ku përfshihet pjesa e plotë e disertacionit për liqenin. Kam mbajtur kumtesa kombëtare e ndërkombëtare ku kam trajtuar kryesisht aspekte fiziko-gjeografike, hidrologjike për mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin turistik në liqenin e Shkodrës. Kemi zhvilluar takime të mbështetur nga konferenca e rektorëve gjerman. Kemi mbajtur konferenca bilateral me Malin e Zi si dhe kemi qenë pjesë e disa projekteve të IPA, programit ndërkufitar Shqipëri – Mali Zi dhe pjesërisht kemi marrë pjesë në projektin e bankës botërore 2008-2012. Ky projekt përfshinte 1.9 milionë dollar për Shqipërinë dhe 2.1 milionë dollar për Malin e Zi. Në Shqipëri është ndarë në 18 projekte të ndryshme. Natyrisht që është një shifër e madhe dhe një përhapje që nuk shërben pozitivisht sa i takon efektivitetit në liqenin e Shkodrës. Duhej të ishte më i përmbledhur dhe duhej të kishte fokus ndërhyrës. Mali i Zi nga ana e tij e kishte më të përmbledhur dhe më efikas. 15 shoqata mjedisore ka vetëm Shkodra që të gjitha herë pas here kanë përfituar nga projekte të ndryshme por që nuk janë ndjerë aspak në mbrojtjen e liqenit dhe përmirësimin e situatës”- tregon Hoti. Flet edhe për problematikat. “Ndotja nga mbetjet urbane, ndërtimore, derdhja pjesore e ujërave të zeza të qytetit të Shkodrës në kufirin Bunë – Liqen. Po ashtu ndërtimet e panumërta me leje dhe pa leje e ndotja kimike që është edhe më e dëmshmja janë faktorët që po shkatërrojnë liqenin e Shkodrës. Dihet botërisht tashmë që kombinati i aluminit në Podgoricë në Malin e Zi hedh në lumin Moraça mbetje të procesit teknologjik që më pas përfundojnë në liqenin e Shkodrës. Hidhet ujë i kontaminuar dhe metalet e rënda të cilat janë një problem i madh për dëmtimin e liqenit të Shkodrës. Shoqatat e kanë ngritur këtë problem mes të cilave edhe “GreenHome” në Malin e Zip por deri tani ende nuk ka një zgjidhje për këtë situatë alarmante që vijon prej vitesh. Nga ana tjetër By Pass-i i Shkodrës për destinacionin që u nis për të rregulluar diçka përsa i përket kohëve dhe situatave të përmbytjes, për një tjetër degëzim dhe shfrytëzim si shëtitore, realisht funksioni i tij ka dëmtuar më tepër. Me mijëra e mijëra metër kub zhavorr janë hedhur aty duke u dukur si kodra të vërteta. Uji i liqenit merr me vete duke gërryer këtë zhavorr të hedhur çka e ka cekuar ndjeshëm liqenin dhe e ka kthyer në një zonë pranë pedonales, në pjesë trekëndore kënetore duke zvogëluar gjithashtu gropën liqenore” – shprehet specialist Hoti. Profesori flet edhe për dëmet e shkaktuara. “Biodiversiteti, dëmtimi i peshkut, rezervat e peshkut janë pakësuar shumë. Ka një prishje të ekuilibrit mes specieve cilësore dhe jocilësore. Janë drejt pakësimit të ndjeshëm, krapi, skorta, gjuca (autoktone), ngjala apo blini që tashmë është një mysafir shumë i rrallë. Ka një shtim të karasit që ushqehet me vezët e krapit apo të llojeve të tjera jocilësore”. Specialisti dhe kryetari i forumit shqiptar të liqenit të Shkodrës ka të gatshëm edhe një plan emergjent mbrojtjeje. “Duhet të ndalohet menjëherë çdo ndërtim me leje apo pa leje duhet të ketë projekte zbatuese dhe jo vetëm ndërgjegjësuese. Duhet të ketë masa konkrete, intervenim për pastrimin, heqja e materialeve të ndryshme dhe në një perspektivë të largët heqjen në një masë të mundur të barishteve që kanë depërtuar thellë nga periferia drejt liqenit, përndryshe rrezikon shtimin e livadheve në kurriz të liqenit. Nuk duhet parë i shkëputur nga lumi Buna, sepse është shkarkuesi i ujërave të liqenit. Dora e shtetit të ndërhyjë fuqishëm, një efektivitet më i madh i shoqatave mjedisore, fondet të adresohen tamam për ndërhyrje në atë ekosistem origjinal që të huajt fatkeqësisht e çmojnë më shumë se vendasit. Kurora gjelbëruese e qytetit dhe malit të Taraboshit që i shërben liqenit duhet pyllëzuar dhe jo shpyllëzuar siç po ndodh çdo ditë. Dikur thellësia mesatare e liqenit të Shkodrës ka qenë afro 12 metër ndërsa sot diskutohet diku tek 7 metër. Në vitin 2012 ministria e mjedisit ishte e parafundit me 0.9% nga fondet e buxhetit të shtetit ndërkohë që në Gjermani është e treta” – përfundon profesor Mahir Hoti.
Alminda Mema, qendra e informimit “Aarhus”
24 specie të ndryshme rrezikojnë zhdukjen si shkak i ndotjes në nivele të larta në liqenin e Shkodrës dhe dëmtimeve që ky liqen pëson çdo ditë. Derdhja e mbeturinave, mospastrimi i liqenit, dëmtimet e përditshme e po ashtu lënia në harresë të plotë thuajse rrezikojnë zhdukjen e 24 specieve, kryesisht shpendë. Konfirmimi erdhi në ditën botërore të biodiversitetit nga Alminda Mema, koordinatore e “Aarhus”. “Ne sot në ditën botërore të biodiversitetit kemi paraqitur këtu para Bashkisë Shkodër disa specie të ndryshme që rrezikojnë zhdukjen dhe janë drejt pakësimit të ndjeshëm. Peshkimi i paligjshëm dhe gjuetia e paligjshme e shpendëve janë dy problemet kryesore bashkë me ndotja dhe papastërtitë. Nuk ka një infrastrukturë në Shirokë dhe Zogaj e po ashtu në rrezik është zhdukja e biodiversitetit. Rreth 24 specie që ne i kemi paraqitur rrezikojnë zhdukjen dhe më problematika është situata për shpendin e rrallë në Evropë pelikani kaçurrel, fluturën barake por edhe specie të tjera”, – thotë Mema. Qytetarët e Shkodrës kanë vizituar ekspozitën teksa janë njohur me problemin. Ata kanë shfaqur keqardhje për rrezikun e zhdukjes të 24 specieve të ndryshme të cilat dikur pasuronin liqenin e Shkodrës e ndërsa sot mungesa e tyre e varfëron së tepërmi atë.
Reagimi i Këshillit të Bashkisë
Infrastruktura në bregun e liqenit të Shkodrës ka qenë një prej problemeve të ngritura në Këshillin e Bashkisë Shkodër. Ka qenë këshilltari Mustafa Lici ai i cili tha se Bashkia Shkodër e ka lënë krejtësisht në harresë atë pjesë. Sipas Licit bregu i liqenit ka patur një pasuri mjaft të çmuar sa i takon llojeve të ndryshme të drunjve apo resurseve të tjera të cilat sipas tij po shkatërrohen dita-ditës ndaj ka kërkuar që të investohet në atë zonë. Ky shqetësim i këshilltarit Lici nuk ka gjetur një përgjigje nga drejtuesit e Bashkisë. Vitet e fundit bregu i liqenit e po ashtu edhe vetë liqeni i Shkodrës kanë pësuar dëme të mëdha e vazhdojnë ende sot.
Konferencë për ruajtjen e liqenit
“Nxitja e komunitetit për ruajtjen e liqenit të Shkodrës” ka qenë tema e konferencës përmbyllëse të projektit me të njëjtin emër. Një studim i cili ka nisur që nga viti 2010 me një grup specialistësh të mjedisit në të dy anët e kufirit, Shkodër dhe Malin e Zi, vende të cilat lagen nga liqeni më i madh në Ballkan. Pedagogu Sulejman Sulçe njëherësh drejtues i projektit tha se tashmë ka ardhur koha që në liqenin e Shkodrës të veprohet konkretisht duke qenë se çdo ditë e më shumë po dëmtohet. Sulçe tha se në liqen duhet të investohet për vendosjen e dy impianteve si në Malin e Zi ashtu edhe në pjesën shqiptare të liqenit. Pas këtij projekti, nga konkluzionet tashmë dihet se cila është situata reale e liqenit dhe se si duhet vepruar për mbrojtjen e tij.
Marrëveshje 20 milionë euro me Gjermaninë për liqenin e Shkodrës
Shqipëria dhe Gjermania firmosën një marrëveshje me vlerë prej 20 milionë euro për mbrojtjen dhe ruajtjen e liqenit të Shkodrës. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto deklaroi se marrëveshja e firmosur me ambasadorin gjerman në Shqipëri, me vlerë 20 milionë euro për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Shkodrës do të jetë efektive dhe do të ketë impakt të menjëhershëm. Këto deklarata Ministri i transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto i bëri nga Shkodra.
6 konventat dhe statuset për mbrojtjen dhe ruajtjen e liqenit të Shkodrës që thuajse tërësisht nuk janë zbatuar nga qeveria, pushteti lokal, por edhe shoqatat mjedisore.
Konventa e Helsinkit!
Objektivat kryesorë të Konventës së Helsinkit për ujërat ndërkufitarë janë masat që shtetet duhet të marrin për të kontrolluar, parandaluar dhe ulur çdo lloj ndikimi ndërkufitar. Duke pasur parasysh karakterin ndërkufitar të ujërave dhe faktin që ndotja e shkaktuar në një anë të Liqenit të Shkodrës mund të ketë një ndikim në të gjithë zonën e liqenit, fokusi i konventës është mbrojtja nga burimet pikësore të ndotjes. Nga shtetet përkatëse kërkohet gjithashtu sigurimi i ruajtjes dhe restaurimit të ekosistemeve. Ujërat ndërkufitarë duhet të përdoren duke pasur si qëllim menaxhimin ekologjik dhe racional të ujit, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e burimeve ujore. Sipas Konventës së Helsinkit, në të gjitha aktivitetet e ndërmarra në njërën anë të liqenit, duhet konsideruar ndikimi i tyre ndërkufitar. Në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit në artikullin 3-të të Konventës jepen parimet kryesore ku vendet duhet të referohen për çdo çështje specifike. Pjesët më të rëndësishme të Konventës së Helsinkit janë monitorimi i përbashkët, programet e vlerësimit, takimet bilaterale, shkëmbimi i informacioneve dhe ndihma e ndërsjellë që duhet të zhvillohet ndërmjet shteteve. Shqipëria ka firmosur Konventën e Helsinkit në datë 5.1.1994 dhe Mali i Zi nuk është ende anëtar i kësaj Konvente.
Konventa e Bazelit!
Konventa e Bazelit ka si fokus kryesor menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetje të përcaktuara si “mbetje të tjera”. Prandaj objektivi i konventës i referohet frenimit të lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera si dhe aplikimit të një sistemi rregullator për lëvizjet ndërkufitare të mbetjeve të lejuara. Në datë 29.6.1999 Shqipëria ka hyrë në konventën e Bazelit kurse Mali i Zi ka filluar procesin e hyrjes në datë 23.10. 2006.