Replika prej disa ditësh mes dy federatave duket se tashmë ka arritur kulmin e saj për sa u përket tifozerive. Pas refuzimi të tifozëve kosovarë në stadium nga Federata Serbe, ajo Shqiptare ka replikuar, duke e cilësuar si absurde kërkesën e tyre
Telenovela e tifozëve shqiptarë në Beograd nuk ka fund. Kjo, pasi pas disa bisedimesh midis dy federatave për të lejuar tifozët shqiptarë ka ardhur përgjigjja nga Federata Serbe për t’i lejuar, por me kushtin që ata me shtetësi kosovare apo maqedonase të mos lejohen. Pas kësaj ka ardhur dhe reagimi nga pala shqiptare, që në mbështetje të tifozerisë kuqezi ka dalë në mbrojtje të mbështetësve të vetë. FSHF i është përgjigjur me një letër Federatës tjetër, që flet për çështjen e tifozëve kosovarë. Një kërkesë që, sipas Federatës sonë, është e kotë dhe nuk ka ndonjë arsye se pse duhet bërë ky dallim, pasi nuk mund të ndalohen dot tifozët që janë në mbështetje të skuadrës sonë. Udhëtimi i Beogradit deri më tani duket i vështirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë nuk do të kemi tifozë shqiptarë në Beograd. Kjo, pasi ky diskriminim i bërë nga serbët është i pakuptimtë. Në deklaratën e Federatës shkruhej. “Federata Shqiptare e Futbollit i quan kushtet e vendosura nga ju, për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari, ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion për të bërë të tilla regjistrime. Në praktikën tonë të komunikimit, me të gjitha federatat e tjera anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s, për organizmin e ndeshjeve të futbollit (zyrtare apo miqësore), kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to, njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar është shoqëruar nga tifozët e tij kudo në Evropë, madje edhe jashtë kontinentit, si në Argjentinë apo SHBA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombësve tanë, që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA etj., nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares sonë. Vënia e kushteve të tilla mendojmë se ka ndikim jo të mirë në krijimin e një fryme pozitive, bashkëpunimi dhe besimi reciprok në organizmin e aktiviteteve futbollistike dhe jo vetëm. Ideja juaj për organizmin e ndeshjes miqësore mes veteranëve të të dyja vendeve, e përshëndetur dhe e miratuar nga ana jonë, do të jetë një nga ato sinjale të uljes së tensionit dhe bashkëpunimit të sinqertë mes dy federatave, që së bashku, do të përcjellim tek tifozët. Për arsyet që përmendëm më lart, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë, pa kushte. Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës suaj ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë për të ndjekur ndeshjen Serbi – Shqipëri, në Beograd më 14 tetor”. Një deklaratë që, me sa duket, përmbledh më së miri dhe mban qëndrimin e qeverisë së futbollit shqiptar në lidhje me këtë rregull që duket një absurditet. Tashmë pritet edhe vendimi nga Federata Serbe, a do të miratojë që tifozët kosovarë dhe maqedonas të jenë në stadium. Një situatë, e cila nëse zgjidhet, do të ndikojë në frymën e mirë të marrëdhënieve midis dy federatave. Nga krahu tjetër, nëse kërkesa e bërë nga Federata Shqiptare do të hidhej poshtë, atëherë kjo do të çonte në një ftohje të marrëdhënieve midis dy organizatave.