MAS publikon notat e provimeve me zgjedhje për sesionin e dytë. Ja kush mund të aplikojë me formularin A3
Dje janë mbyllur regjistrimet në të gjitha degët e universiteteve publike. Studentët fitues janë regjistruar pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse, duke mbyllur procesin e regjistrimit përfundimtar. Ministria e Arsimit tashmë do të nisë hartimin e formularit A3, i cili do të ketë të gjitha degët ku ka ende kuota të paplotësuara. MAS sqaron se formulari A3 nuk do të jetë i njëjtë me A2-shin, pra nuk do të ketë të përfshira të gjitha degët, por një pjesë të tyre. Siç bëjnë të ditur burimet, do të renditen degët që kanë minimum 2 vende të lira. Sipas të dhënave nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, ka ende kuota të paplotësuara dhe kjo do të jetë mundësia e fundit për ata kandidatë që nuk kanë fituar asnjë degë. Në degët kryesore, si Drejtësia, Mjekësia e Përgjithshme apo Inxhinieria e Ndërtimit, ka nga 1-2 kuota të paplotësuara. Për degët e tjera në të gjitha fakultete e Tiranës janë nga 1-5 vende të lira. Më shumë kuota të paplotësuara ka në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Formulari A3
Ministria e Arsimit sqaron se formulari A3 do të plotësohet brenda muajit tetor. Aplikimi do të bëhet brenda 3 ditëve dhe fituesit do të shpallen javën e parë të muajit nëntor, në mënyrë që fituesit të mos humbasin leksionet dhe seminaret. Formulari si format do të jetë i njëjtë me një vit më parë, por këtë vit mund ta plotësojnë edhe ata kandidatë që ishin mbetës gjatë provimeve të maturës në sesionin e parë, por që kanë qenë kalues në sesionin e dytë që u zhvillua gjatë muajit shtator. Ndërkohë sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ata kandidatë që janë regjistruar me listat e fituesve përfundimtar nuk mund të aplikojnë me formularin A3. “Kandidatët që regjistrohen duke paraqitur dokumentacionin pranë sekretarive të IAL-ve publike ku janë shpallur fitues sipas procedurës së mësipërme, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në raundin pasardhës (ku parashikohet dhe aplikimi me formularin A3)”, – përcakton udhëzimi i MAS.
Notat e provimeve
Dje, Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi notat e provimeve me zgjedhje për sesionin e dytë të Maturës Shtetërore. Pjesa më e madhe e kandidatëve kanë qenë kalues, por numri i ngelësve vazhdon të jetë i lartë, në krahasim me vitet e kaluara. Përgjithësisht maturantët kanë qenë mes notës 4.5 dhe 6. Për ata kandidatë që kanë marrë notën 4.5 dhe më lart do të quhen kalues, ndërsa për maturantët që janë vlerësuar poshtë notës 4.5, do jenë mbetës. Më herët MAS ka publikuar dhe notat e provimit të Matematikës dhe Gjuhë-letërsisë, për sesionin e dytë. Në Gjuhë-Letërsi numri i kaluesve ishte mbi 60%, ndërsa në Matematikë numri i ngelësve ishte në të njëjtin nivel me sesionin e parë të maturës shtetërore.
Sëmundja vdekjeprurëse/ Ebola mbërrin edhe në Spanjë, pacienti në SHBA në gjendje të rëndë
Një infermiere spanjolle, e cila ndihmoi në trajtimin e një të sëmuri me Ebola në një spital të Madridit është infektuar me virusin, duke u bërë personi i parë që infektohet me Ebolën jashtë Afrikës Perëndimore. Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë thanë dje se infermierja ishte pjesë e ekipit mjekësor që trajtoi një prift 69-vjeçar spanjoll i cili vdiq në një spital muajin e kaluar pasi ishte sjellë nga Sierra Leone. Pavarësisht lajmit nga Spanja dhe trajtimit të amerikanit të pestë të sëmurë me Ebolën, Presidenti Barak Obama tha të hënën se shanset për një shpërthim të Ebolës në Shtetet e Bashkuara janë “jashtëzakonisht të vogla”. Presidenti Obama tha se administrata e tij është duke punuar në vendosjen e protokolleve shtesë të kontrollit të pasagjerëve të aeroplanëve për të identifikuar njerëzit që mund të jenë të infektuar me virusin vdekjeprurës. Presidenti Obama tha gjithashtu se ai do të shtojë trysninë mbi vendet e mëdha për të kontribuar në përpjekjet për të ndihmuar vendet e Afrikës Perëndimore që po ndeshen me vështirësi në përpjekjet për të vënë në kontroll përhapjen e Ebolës. Ndërkohë që autoritetet në shtetin e Teksasit vazhdojnë të merren me rastin e vetëm të Ebolës të diagonstikuar në territorin amerikan, Presidenti Obama zhvilloi një takim dje me anëtarët e kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të ekipit që ai ka ngritur për të ndaluar shpërthimin e sëmundjes në vend. Udhëheqësi amerikan tha se përveç fillimit të një fushate edukimi për punonjësit amerikanë të shëndetësisë mbi Ebolën, ekipi i tij është duke shqyrtuar marrjen e masa të reja për të kontrolluar pasagjerët që udhëtojnë nga Afrika Perëndimore në Shtetet e Bashkuara. “Ne gjithashtu do të punojmë në vendosjen e procedurave shtesë për kontrollin e pasagjerëve në vendet nga ku ata nisen dhe këtu në Shtetet e Bashkuara”. Zyrtarët amerikanë nuk janë duke shqyrtuar ndalimin e udhëtimeve. Ata thonë se një gjë e tillë do të pengonte shpërndarjen e furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve në rajonet e goditura të Afrikës Perëndimore, pasi transportuesit tregtare dërgojnë shumica e ndihmave në rajon. Pavarësisht nga rasti i Ebolës në Teksas, zoti Obama thotë se mundësia e një shpërthimi të sëmundjes në Shtetet e Bashkuara është shumë e vogël. Por ai tha se është në interesin më të mirë të amerikanëve për të ndaluar sëmundjen në vendburimin e saj në Afrikën Perëndimore. “Ndërkohë që ne po flasim, mijëra fëmijë në rrugë po vdesin nga kjo sëmundje. Dhe pa dyshim puna ime e parë është të kujdesem për popullin amerikan, por ne kemi një rol më të madh se kaq”. Presidenti Obama tha se është duke u bërë përparim në luftën kundër Ebolës, por ai tha se shumë vende më të mëdha duhet të bëjnë më shumë në përpjekjet kundër kësaj epidemie. Ai tha se ka në plan të shtojë thirrjet e tij për anëtarët e komunitetit ndërkombëtar që të shtojnë donacionet dhe personelin për vendet e Afrikës Perëndimore.