1 mijë vjet në 35 ha tokë / Zbulohet vendbanimi i rrallë, qytetërimi mesjetar në Ballkan përkon në territorin shqiptar

0
358

komani

Rrëfimi nga Komani i arkeologes Etleva Nallbani

Arkeologia Etleva Nallbani bëri dje të ditur një nga projektet më të mëdha që po ndërmerret në zbulimin e vendbanimit të hershëm në veri të vendit, e pikërisht në Koman.

Prej kohësh gjithë puna e saj kërkimore është përqendruar atje, duke hedhur herë pas here lajmërime të natyrës përgatitore se kemi të bëjmë me një hershmëri e të dhëna të këtij siti arkeologjik të panjohur gjer sot. Më poshtë është teksti i plotë përshkrues, që Nallbani ka shpërndarë për këtë ngjarje në arkeologjinë shqiptare, që na bën të gjithëve të kthejmë sytë nga Veriu, për të kërkuar atje qytetërimin mesjetar në Ballkanin Perëndimor.

“Vendbanimi i Komanit i ka dhënë emër një qytetërimi të tërë mesjetar ne Ballkanin Perëndimor. Fati ynë i madh është që pothuajse e gjithë shtrirja përkon në territorin shqiptar. Prandaj, është ndërtuar një projekt i madh arkeologjik që do të zgjasë me vite pikërisht për zbulimin e këtij vendbanimi të stërrrallë. Zbulimet tregojnë se bëhet fjalë për një qendër të shtrirë minimumi në 35 ha më një vitalitet ndërtimor dhe dendësi banimi të jashtëzakonshme të paktën përgjatë 1000 vjetëve. Thjesht, puna e arkeologëve, studentëve dhe djemve nga të gjithë fshatrat përreth është titanike. Nuk e ekzagjeroj aspak. Organizojmë çdo gjë me çadra. Jetohet e punohet mes malesh, ku edhe shtegun për të kaluar kafshët e transportit e rihapim çdo vit. Hipja në vendbanim bëhet vetëm në këmbë rreth 1,5 orë. Për në kamp merr 2 orë. Transportojmë çdo lloj materiali vetëm me mushka, kuaj dhe gomerë, qoftë dhe çdo grimcë rëre apo gram gëlqere për restaurim. Nëse ke harruar të blesh qoftë dhe gozhdë për gërmim, duhet të parashikosh kryerjen e operacionit gjatë dy ditëve, duke llogaritur vajtje-ardhje në Shkodër. Që të zbulohen banesat dhe kishat, çajmë shkëmbinjtë me varre dhe shpyllëzohet. Çdo lëvizje metrash të tërë kub gurësh bëhet vetëm me dorë… Janë po këto male aq të bukura, por ndërkohë aq të tmerrshme e të rrezikshme për jetën e njerëzve, kur je i izoluar. Fshati Shën Koll ku organizojmë kampin është braktisur nga jeta e vazhdueshme. Vetëm breshëri i datës 22 gusht na shkatërroi totalisht kampin, investim i pesë vjetëve… Falënderoj Zotin që nuk na vrau kënd! Një akrep apo gjarpër të pickojë, s’ke më çfarë transporton personin në fshat poshtë përgjatë 1,5 orë dhe deri në Shkodër shto dhe 1,5 orë tjetër… Zbulohet në kushte të jashtëzakonshme, ku vetëm një dashuri e stërmadhe për profesionin dhe historinë të bën të ecësh përpara me besimin se një dite të afërt do mblidhen të gjithë faktorët e forcat që ky zbulim të ndrijë. Rruga do bërë urgjentisht, për të na lehtësuar jetën dhe bërë të mundshëm një rezultat të madh profesional jo me këtë kosto të 5-fishuar në të gjitha planet. Kjo pasuri e rrallë ARKEOLOGJIKE dhe NATYRORE duhet shpallur nën mbrojtje sipas zonifikimit; duhet bërë e vizitueshme që tani, në mënyrë që Komani-Dalmacja e shqiptarëve të bëhet pjesë e jetës dhe identitetit të tyre duke ndjekur zbulimet në vazhdimësi.

Komani është i stërmadh dhe nuk gërmohet për një vit. Do të zgjasë me dhjetëra vjet. Bëhet fjalë për vendbanimin më të shquar të luginës së Drinit. Sot dua të falënderoj (me pamjen e luginës së Drinit marrë nga vendbanimi arkeologjik, foto nga Klodian Lilo) dhe t’u shpreh mirënjohjen time kolegëve, studentëve, banorëve të zonave e gjithë atyre njerëzve e institucioneve që kontribuojnë në suksesin e një ndërmarrjeje të tillë! Pa të gjithë ju, Komani do të kish mbetur një ëndërr mes mitesh të sajuara…”

Arkeologia Nallbani ka afro dhjetë vite në këtë përpjekje të saj, duke sugjeruar qysh në fillim të kërkimeve projektin dhe zbulimet. Ajo në letrën e saj kërkon mbështetjen institucionale që këto zbulime të kenë destinacionin final, së pari për të ndërtuar rrugën e më pas për të marrë statusin e pasurisë së rrallë arkeologjike dhe natyrore. Në të kundërt do të qëllojë “të groposet” edhe ky zbulim, nëse indiferentizmi dhe fuqia e politikës do ta injorojë.

  1. M.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency