Vlerësimi i “Standard & Poor’s” / Rama: Filloi rritja e ekonomisë. PD: Vendi në emergjencë, shqiptarët në borxhe

0
187

Leku_i_shqiperise

Gëzim Saliu

“Kur Rama ishte në opozitë, e cilësonte krizë të thellë rritjen me 3% dhe vlerësimin “BB”

Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi dje se vlerësimi i “Standard & Poor`s” për Shqipërinë nga B në B+ përbën një lajm shumë të mirë për vendin pasi tregon, sipas tij, se rritja ekonomike ka filluar. Përmes një postimi në faqen zyrtare në “FB”, kreu i qeverisë theksoi fillimisht: “Pasi e kaluam ekonominë nga negative në të qëndrueshme, vlerësimi i ri i Standard&Poor`s për Shqipërinë: Nga B në B+”. Më tej, në një postim të dytë, duke dashur të sqaronte komentin e parë, Kryeministri theksoi se “për të mos lejuar keqinterpretime po shtoj një saktësim: Ekonomia jonë kalon nga B e qëndrueshme në B pozitive, çka dmth ka filluar rritja”. Ndërkaq, në njoftimin e saj, “Standard & Poor`s” përmend gjithashtu përpjekjet e reformës strukturore të Shqipërisë, duke përfshirë forcimin e të drejtave pronësore dhe sundimin e ligjit, si arsye për të përmirësuar vlerësimin. Por nga ana tjetër theksohet se mosmarrëveshjet mbi pronësinë si edhe korrupsioni vazhdojnë të peshojnë mbi klimën e biznesit të vendit dhe të pengojnë investitorët e huaj.

Reagimi i PD-së

Ndërkaq, në reagim ndaj Kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të qeverisë që vlerësuan verdiktin e “Standard & Poor`s”, Partia demokratike deklaroi dje se vendi është në emergjencë kombëtare për shkak të përkeqësimit të ekonomisë. Sipas deputetes së PD-së Jorida Tabaku të dhënat nga Banka e Shqipërisë flasin se hendeku midis prodhimit të mundshëm edhe atij real është thelluar së tepërmi këtë vit. “Kështu që nuk kemi një rritje natyrale të ekonomisë, por një thellim të krizës. Qeveria e cila përpiqet të fshihet pas ndonjë të dhëne statistikore që të dalë faqebardhë në sy të publikut, nuk sheh se të ardhurat për 95% të qytetarëve kanë rënë sërish duke i detyruar ata të ulin konsumin ose të rrisin borxhin, edhe atëherë kur bëhet fjalë për konsum në limitet mbijetesës”, – tha ajo. Më tej, Tabaku theksoi se asgjë nuk mund ta fshehë krizën reale që po përjetojnë vetë shqiptarët në ekonominë e tyre personale, të cilët, për shkak të taksave të rritura, janë detyruar të rrisin borxhin dhe të ulin konsumin.  “Sot një në 3 shqiptare është i zhytur në borxhe për konsumin e përditshëm, dhe ky është një efekt i drejtpërdrejtë i paketës fiskale. Sot, papunësia ka shkuar në nivelin alarmant 17%, kryesisht në sektorët e industrisë e ndërtimit që duhet të ishin shtyllat e ekonomisë. Ne nuk harrojmë se dje në opozitë, Rama e cilësonte krizë të thellë rritjen ekonomike me 3% dhe vlerësimin “BB”, ndërsa sot u dashka të jemi të lumtur dhe optimist kur ekonomia ka rënë me 3 për qind nga premtimi i qeverisë dhe kemi një vlerësim “B+””, – theksoi deputetja e PD-së. Në këtë kontekst, demokratët kërkojnë nga qeveria që të ndjekë një politikë të re fiskale për të synuar daljen nga kriza ekonomike me tendenca të mëtejshme përkeqësimi sipas tyre. Për PD-në është domosdoshmëri lehtësimi i qytetarëve nga taksat “Në vend që ta shohim ekonominë përmes statuseve nga arena e mediave sociale, ne kërkojmë nga qeveria që të ulet e të përpiqet për të nxjerrë nga bataku ku ka futur vendin. Duke i kërkuar që të ulë në mënyrë të menjëhershme taksat dhe të rikthejë një regjim miqësor për bizneset e të përballueshëm nga qytetarët si e vetmja mënyrë për të kaluar këtë emergjencë kombëtare”, – pohoi Tabaku.

 

 

Akuza Kryeministrit

Basha: Vajmedeti ka bllokuar punimet për lumin e Lanës, terminalin dhe Unazën e Re

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi dje Kryeministrin Rama për bllokimin e punimeve për rehabilitimin e lumit të Lanës dhe rrugët paralele nga materniteti i ri deri te Fresku. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, Kryeministri ka bllokuar edhe punimet e Unazës së re, si dhe koncesionin e terminalit të pasagjerëve. “Vajmedeti ka urdhëruar bllokimin e punimeve për rehabilitimin e Lanës dhe rrugët paralele nga Materniteti i Ri deri te Fresku. Ka bllokuar punimet e Unazës së re nga Qyteti i Nxënësve tek qendra “Kristal”. Të dyja këto investime lirojnë trafikun e rënduar të Tiranës dhe i kursejnë mijëra ton blozë në vit mushkërive të kryeqytetasve. Ka bllokuar koncesionin e terminalit të pasagjereve që nuk i kushton asnjë lek taksapaguesve, por hap qindra vende pune të reja dhe ju kursen 6 ton gaz karbonik në ditë fëmijëve dhe të rriturve të Tiranës. Por ku pyet e ku dëgjon Vajmedeti për jetën e për shëndetin e qytetarëve! Bllokim, shkatërrim dhe mashtrim! Ky ishte, ky është, e ky do të jetë derisa t’ua tregojmë vendin të gjithë bashkë edhe njëherë!”, – shkruante Basha.

 

 

Situata

Berisha: 4 shkaqet e krizës ekonomike në Shqipëri, po zhytemi në skenarin grek

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaron se Shqipëria po zhytet gjithnjë e më shumë në varfërim e mjerim. Sipas tij, studimet e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera serioze ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN japin të dhëna tronditëse për rritjen e shpejtë të varfërisë, mjerimit, papunësisë, borxheve të familjeve shqiptare. “Këto studime faktojnë se pas një viti qeverisje të aleancës Rama – Meta, 33% e shqiptarëve janë zhytur në varfëri nga 13.5 që ishin një vit më parë. Papunësia është rritur, sipas një ankete, në 40%, numri i familjeve shqiptare në borxhe është dyfishuar dhe ka arritur në 60%. Ndërkohë janë rritur me 105% vetëvrasjet, janë rritur nga 38 raste në 380 raste vjedhjet dhe grabitjet me armë në rrugë, banesa, biznese. Janë rritur me 4-5 herë numri i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE. Sirenat e varfërisë dhe mjerimit me tingujt e tyre therës e lemeritës po ushtojnë në mbarë vendin. Po zhytemi me shpejtësi drejt skenarit grek”, – tha Berisha. Në këtë kontekst ai listoi shkaqet kryesore të recesionit dhe krizës që ka goditur sipas ish-kreut të qeverisë ekonominë e vendit. “1- rritjen e taksave dhe goditjen e klimës së biznesit, investimeve private të vendit dhe të huaja; 2- korrupsioni qeveritar dhe lukunisë së rilindasve, duke filluar që nga krerët Rama – Meta tek niveli me i ulët në administratë, aplikojnë në çdo dhe për çdo vendim, akt, dokument, gjobën që në nivelet më të larta, ku rastin e kompanive të mëdha shkon nga 1 – 5 milionë euro; 3- Bllokimi i investimeve publike nga qeveria dhe 4- Tritoli, matrapiku mbi ndërtimet në mbarë vendin dhe ndalimi antikushtetues i ndërtimeve nga njeriu që qetëson shpirtin dhe shpërthimet e tij psikike duke rrënuar shtëpitë, lokalet, pallatet me leje të kundërshtarëve politike”.