Në jetën e përditshme na ndodh më shumë se një herë të kuptojmë që gjendja jonë financiare nuk na lejon mundësinë e të blerit të të mirave materiale, që shpesh mund të jenë elemente jetësore. Ndërkohë që dikush tjetër, jo vetëm plotëson me tepri kërkesat e veta, por vazhdimisht i mbeten para të tepërta. E njëjta gjë ndodh edhe për bizneset. Ekzistenca e këtyre dy palëve, natyrshëm të çon në përfundimin se pamundësinë e përkohshme që ke për të financuar blerjen apo investimin e nevojshëm, mund ta realizosh duke kërkuar hua. Në kohët moderne, bashkimin e atij që ka nevojë për para me atë që ka tepri parash, e bëjnë institucione të specializuara, të cilat ne i quajmë: banka. Të shohim edhe disa prej shkaqeve të tjera se përse disa japin hua dhe disa marrin hua:
-Ofruesit e huave. Ata që furnizojnë me para tregjet financiare apo këdo që është i interesuar e bëjnë diçka të tillë për dy arsye: dëshirojnë të ruajnë para, të cilat mund t’i shpenzojnë për diçka tjetër më vonë si për shembull, për edukim ose për ndërtimin e një fabrike dhe joshen nga marrja e një fitimi, siç mund të jetë interesi.
-Kërkuesit e huave. Ata që hyjnë në borxh e bëjnë një gjë të tillë për të realizuar planet e tyre. Njerëzit shpesh duan të blenë shtëpi ose mallra të tillë si pajisje shtëpie apo makina, por nuk kanë para të mjaftueshme. Edhe bizneset kërkojnë hua për të investuar në makineri apo mjete të reja, sepse presin të marrin një fitim prej tyre.
Kredia nga bankat
Kredia është një sasi parash të marra hua që duhen kthyer në një periudhë kohe të caktuar së bashku me një interes. Shuma e parave që merret hua në gjuhën e bankës quhet principal dhe interesi është kostoja e kësaj huaje. Kohëzgjatja që vendoset për të paguar kredinë njihet si afati i kredisë. Në kohët e sotme, financierët ofrojnë këshilla të shumta se në çfarë rastesh mund të vendosësh të marrësh një kredi. Si shkak për të marrë një kredi mund të shërbejë blerja e diçkaje që kushton më shumë nga sa mund ta përballoni, si për shembull blerja e një makine, e një shtëpie (apo për të rregulluar atë që keni), dëshira për të shkuar me pushime apo për të vazhduar studimet. Mbani mend se, kur aplikoni për një shumë të caktuar kredie duhet të siguroheni që jeni në gjendje ta paguani atë çdo muaj, përndryshe kjo mund t’ju shkaktojë probleme të mëdha financiare.
Kreditë
Një pyetje e rëndësishme që duhet t’i drejtoni vetes kur hyni në borxh është nëse shuma e marrë po krijon një borxh të mirë apo të keq. Borxh i mirë konsiderohet kur huaja merret për diçka të cilës do t’i rritet vlera me kalimin e kohës. Për shembull, blerja e një prone të patundshme, hapja e një biznesi ose marrja e huasë për qëllime edukimi, konsiderohen si arsye të mira për të hyrë në borxh. Veçanërisht, huatë për qëllime edukimi konsiderohen si borxh i mirë sepse në të ardhmen një edukim më i mirë do të rrisë të ardhurat tuaja. Ndërsa, borxh i keq konsiderohet atëherë kur ju merrni një veprim të pamatur financiar dhe nuk jeni në gjendje ta shlyeni huanë brenda afatit të caktuar.
Aplikimi për kredi
Këtu jepen disa këshilla të vlefshme që duhen marrë në konsideratë përpara se të aplikoni për një kredi. Në rast se ju duhen para për të rikonstruktuar shtëpinë, dhe mendoni se përgjigja është kredia për shtëpi, konsiderojini edhe një herë të gjitha mundësitë tuaja. Në qoftë se nuk jeni në gjendje të kryeni pagesat e kërkuara, atëherë ju mund të humbisni shtëpinë tuaj, të cilën e keni përdorur si garanci për të siguruar kredinë që keni marrë. Prandaj është e rëndësishme të mos lejoni askënd të përpiqet t’ju mbushë mendjen që të përdorni shtëpinë tuaj si garanci për të marrë një hua, të cilën nuk do të jeni më në gjendje ta paguani. Për të pasur zgjidhjen më të mirë duhet të njiheni me çfarë ofron tregu, cilat janë institucionet që ofrojnë kredi dhe cilat janë kushtet specifike të tyre. Mënyra më e mirë do të ishte kontaktimi me disa huadhënës – duke përfshirë bankat, shoqëritë e kursimkreditit apo dhe fondacione të mikrokredisë.
Kushtet e parapagimit.
Ndodh që juve ju lind mundësia të shlyeni kredinë para afatit të vendosur në kontratën e kredisë. Ky fakt merret parasysh që në fillim kur lidhet kontrata, duke përcaktuar kështu edhe disa kushte parapagimi. Këto mund të jenë në formën e pagesave ekstra nëse ju shlyeni kredinë tuaj para kohe. Në përfundim, këshilla më e mirë do të ishte që të siguroheni që ju mund të përballoni kredinë. Sigurohuni mirë nëse të ardhurat tuajamujore janë të mjaftueshme për të mbuluar pagesat mujore të kredisë, përveç faturave dhe shpenzimeve që mund të keni. Nëse kjo nuk është e mundur, hiqni dorë nga kredia.
Besueshmëria e huamarrësit
Në qoftë se dëshironi të aplikoni për një kredi, ju duhet të provoni që jeni në gjendje ta shlyeni atë. Kjo zakonisht njihet si “besueshmëria e huamarrësit” dhe është një vlerësim i aftësive tuaja për të marrë dhe për të paguar përsëri borxhin tuaj. Në çdo rast banka, para se të vendosë për t’iu dhënë kredi, do të interesohej të dinte se ç’do të ndodhë nëse ju nuk jeni në gjendje të shlyeni kredinë tuaj. Kreditori do të dijë se çfarë alternativash rezervë keni ju. Më konkretisht, çfarë mjetesh apo kapitali keni ju, të cilat mund t’i shisni në mënyrë që të përfitoni burime financiare të mjaftueshme për të paguar huanë. Mjeti që ju përdorni “për të siguruar” një hua njihet si “kolateral”. Kreditori do të jetë gjithashtu i interesuar në kapacitetin tuaj për të marrë borxh. A keni të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar këstet mujore? A keni marrë një shumë huaje e cila rrezikon aftësinë tuaj për të paguar? Sa të holla keni? Sa borxhe keni? Mjetet dhe niveli i të ardhurave tuaja do të krahasohen me kostot e huasë në mënyrë që kreditori të mund përcaktojë nëse duhet apo jo t’ju miratojë kredinë.
Llojet më të shpeshta të kredive
Kredi për studime.
Kredia për studime është ajo lloj kredie e cila ju mundëson të keni një shumë parash për të vazhduar studimet. Shumë kredi për studentë kanë një mundësi pagimi të ngadalësuar, duke i lejuar ata të shlyejnë kredinë pasi të kenë mbaruar studimet.
Kredi për makinë.
Kredia për makinë është një kredi, e cila përdoret për blerjen e një automjeti. Ky automjet që blihet mund të përdoret si garanci për kredinë, duke i dhënë mundësi një personi ta blejë mjetin pa patur nevojë të vendosë një kolateral tjetër për ta siguruar atë.
Kredi për shtëpi
Kredia për shtëpi është një kredi, e cila përdoret për të blerë apo për të rregulluar një shtëpi ose një prone të patundshme. Ajo është një prej llojeve më të zakonshme të kredive. Kjo lloj kredie ka tendencën të ketë interesa dhe mundësi pagimi të ndryshme. Ajo mund të sigurohet nga një sere huadhënësish, duke përfshirë edhe bankat dhe kompanitë financiare.