Paloka: Nuk do të jemi në dëgjesën e Çefës dhe Lelçajt. Naço: Opozita të bëhet pjesë e reformës në drejtësi, vendi i saj nuk është vetëm në SHQUP
Partia Demokratike reagon ndaj thirrjes së ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, për tryezën e 31 tetorit për reformën në drejtësi. Në një prononcim për gazetën “Standard”, kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, u shpreh se Partia Demokratike e ka të qartë pozicionim e saj kundrejt tryezave që organizojnë krerët e mazhorancës. “Ne nuk do të merremi me faktin se kush na fton në tryeza”, – tha Paloka. Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, pas tryezës së organizuar nga kreu i shtetit, Nishani, lajmëroi dje për një tryezë të dytë, ku do të diskutohet reforma në drejtësi. Ashtu si tryeza e thirrur nga Presidenti, edhe në këtë tryezë, bëhet e ditur nga Ministria e Drejtësisë, do të jenë të ftuar për të qenë të pranishëm të gjithë aktorët: Presidenti Bujar Nishani, ekspertë ndërkombëtarë, shoqëria civile, gjithashtu dhe opozita. “Do të mbahet një tryezë e rrumbullakët për reformën në drejtësi, me ekspert ndërkombëtarë, Presidenti, pjesë nga shoqëria civile, si dhe opozita. Edhe pse opozita nuk është bërë pjesë e reformave deri me tani, i bëj thirrje të bëhet pjesë e reformës në drejtësi, vendi i saj nuk është vetëm në SHQUP, por edhe në Parlament, ajo duhet të jap kontributin e saj”, – bëri thirrje ministri Naço.
Seanca dëgjimore ndaj Çefës dhe Lelçajt
Deputeti demokrat Edi Paloka gjithashtu bëri të qartë dje se deputetët e PD-së, anëtarë të komisionit hetimor, nuk do të jenë të pranishëm gjatë seancës dëgjimore ndaj nënkryetarit Elvis Çefa dhe anëtarit të KLD-së, Lulzim Lelçaj, këtë të enjte.
Paloka nënvizoi se qëndrimi i demokratëve ndaj Parlamentit është i qartë dhe kjo vlen edhe për komisionin e ngritur për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Çefa, dhe anëtarit Lulzim Lelçaj. “Nuk do të jemi në komision për dëgjimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Qëndrimi jonë ndaj parlamentit është i qartë dhe nuk ka nevojë të pyetet në çdo rast se çfarë qëndrimi do të mbajmë ne”, – tha Paloka, ndërsa theksoi se Komisioni Hetimor është një “mjet për të uzurpuar drejtësinë”.
Qëndrimi ndaj akuzave
Akuzat e mazhorancës për shpërdorim detyre të dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Çefa dhe Lelçajt, opozita i konsideron të pavërteta dhe të pabaza. “Kjo është pjesë e sulmit të mazhorancës, janë qëndriet hipokrite, aspak të vërteta dhe sulme ta pabazuara në fakte”, – tha kreu i grupit të demokratëve Edi Paloka për akuzat e mazhorancës për anëtarëve të KLD-së. Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së në një raport të bërë publik këtë të hënë zbardhi disa shkelje të bëra nga nënkryetari Çefa dhe anëtari Lelçaj. Ndër shkeljet të raportuara janë: zgjedhja e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës; zgjedhja e anëtarit të KLD-së, z. Ilir Mustafaj, si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë; verifikimi i pajtueshmërisë së mandatit të anëtarit të KLD-së, në momentin e fillimit të ushtrimit të detyrës; mosemërimi si gjyqtar, brenda afatit ligjor të magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2012, 2013 dhe 2014; marrja nga KLD-ja e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative dhe marrja e Kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu, z. Çefa do të hetohet për shpërdorim detyre gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku pretendohet se ka tjetërsuar prona publike dhe private.
Të enjten seanca dëgjimore me Çefën dhe Lelçajn
Komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të këtë të enjte Elvis Çefën dhe Lulëzim Lelçajn. Kryetari i komisionit, Armando Subashi, pasi njoftoi seancën dëgjimore me dy anëtarët e KLD-së, ftoi sërish opozitën të jetë pjesë e komisionit. “Do t’u bëja edhe një herë thirrje kolegëve të opozitës që ndoshta ajo mund të jetë dita e përshtatshme dhe për ta që të vijnë në komision. Po përsëris atë që tha zoti Braho në një mbledhje, ndoshta ajo është dita që të vijnë dhe mos i lënë në baltë dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që i kanë zgjedhur me votat e veta”, – tha ai.
Reforma në drejtësi/ Naço: Ndryshime në ligjet e Kushtetutës
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka bërë të ditur se mazhoranca është e gatshme edhe për ndërhyrje në ligjin themeltar, që është ai i Kushtetutës. Edhe pse nevojiten 93 vota, Naço tha se shumica qeverisëse e shikon si një hap ndërhyrjen në Kushtetutë për reformën në thellësi të sistemit të drejtësisë. “Ne jemi të hapur edhe për ndryshime në Kushtetutë dhe për të ndryshuar gjithë sistemin e drejtësisë. Më 6 tetor ne kemi dhënë variantin për ndryshimet në Gjykatën e Lartë. Ne kemi thënë se ajo mund të ketë një rol më të madh, mund të përfshihet brenda KLD-së dhe duke marrë dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë një rol më të madh gati sa ka Presidenti sot dhe kërkohen ndryshime në Kushtetutë për këtë edhe konsensus i gjerë”, – deklaroi dje Naço.
Dëshmia për vrasjen e Santos/ PD: Qeveria dhe policia të përfshirë në krim, Prokuroria të veprojë
Partia Demokratike akuzoi dje se policinë për moskryerje të veprimeve pas dëshmisë së qytetarit për vrasjen e bankierit Artan Santo. Deputeti i PD-së Eduard Halimi kërkoi nga Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë hetimin. “Kronika e djeshme televizive e dëshmitarit okular për vrasjen e bankierit Artan Santo, ka tronditur mbarë opinionin publik. Tronditje e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm me ngjarjen më të rëndë kriminale të vitit, por mbi të gjitha me mosveprimin kriminal dhe të qëllimshëm, fshehjen e dëshmisë okulare nga Policia e Shtetit, mosarrestimi i personave të dyshuar dhe të denoncuar nga dëshmitari, dhe sulmi i policisë mbi median që nxori në dritë të diellit të vërtetat e krimit mafioz. Kjo situatë është e rëndë dhe kritike, për sigurinë publike në vend, për jetën e qytetareve, për mbrojtjen e krimit në vend të sundimit të ligjit”, – u shpreh Halimi, duke shtuar se me faktet e dëshmitarit policia duhej të kishte një provë më shumë për të zbardhur vrasjen mafioze, por sipas tij qytetarët kanë një provë më shumë për fshehjen me dashje nga shteti të vrasjes mafioze. Më tej, deputeti demokrat në emër të forcës që përfaqëson i kërkoi Prokurorisë së Shtetit të nisë urgjentisht hetimet: “Sot, t’i nisë tani, për cilindo që refuzoi të kryente detyrën dhe pengoi zbardhjen e krimit, të marrë nën përgjegjësi penale të gjithë, pa as më të voglin përjashtim dhe të shpëtoje çfarë mund të shpëtohet, për ti shkuar çështjes deri në fund duke zbuluar autorët e krimit mafioz, po aq dhe ata që i ndihmuan të mos zbuloheshin”.