Zgjedhjet vendore/ Mazhoranca, gati ndryshimet në Kodin Elektoral: S’rrimë peng i bojkotit të opozitës

0
125

Gëzim Saliu

 Çuçi: Shumë shpejt zgjidhim edhe ngërçin e KQZ-së. Ndryshimet në Kod votohen në nëntor, prekin 3 nene të ligjit

seanceparlamentMazhoranca qeverisëse ka gati ndryshimet në Kodin Zgjedhor përmes amendimeve të ligjit, i cili është ndryshuar së fundmi me konsensus mes palëve politike në vend. Edhe pse opozita ka theksuar se çdo ndërhyrje e të majtëve pa dialogun me të djathtët në ligjin elektoral rrezikon zgjedhjet e ardhshme vendore, duket se shumica është e vendosur për të çuar deri në fund ndryshimet e ligjit, edhe nëse opozita do të vazhdojë bojkotin e saj. Sipas ministrit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, mazhoranca qeverisëse nuk mund të ngelë peng e bojkotit të opozitës, pasi, sipas tij, vendi ka nevojë të qeveriset. “Për këtë ka pasur faj dhe opozita, e cila ka braktisur çdo tryezë për diskutime të natyrës politike. Në njëfarë mënyre ne jemi peng i bojkotit të opozitës. E kemi thënë edhe në raste të tjera, ne nuk do të rimë peng i bojkotit të opozitës, Shqipëria ka shumë nevojë të qeveriset, ne jemi këtu dhe shqiptarët na kanë votuar për t’i qeverisur, kështu që ne sigurisht do të vazhdojmë për të qeverisur”, – tha ministri për “AS”. Ndërkaq, duhet theksuar se hera e fundit që një Kod Zgjedhor u ndryshua vetëm nga një parti, ishte në vitin 2001, kur shumica qeverisëse e majtë e asaj kohe miratoi ndryshimet në Kod pa bashkëpunuar me opozitën. Ndërkaq, që prej këtij viti, të gjitha ndryshimet në ligjin elektoral janë bërë me konsensus, por sipas mazhorancës, situata aktuale e bojkotit të opozitës detyron që ndryshimet të bëhen edhe nëse të djathtët nuk vendosin të bëhen pjesë e procesit. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë Kuvendi nuk do të ngrejë një komision të posaçëm të reformës elektorale, por ndryshimet do të miratohen nëpërmjet Komisionit të Ligjeve.

 

Ndryshimet

Për ministrin e Pushtetit Vendor, i cili është njëkohësisht një ndër hartuesit e Kodit Zgjedhor në fuqi, amendimet e ligjit zgjedhor, i cili pritet të votohet në Kuvend në muajin nëntor, prekin vetëm 3 nene të tij. “Kryesorja është çështja që lidhet me emërtimin komunë-bashki, pra nuk do të ketë më komunë dhe këshill komunal, bashki dhe këshill bashkiak, dhe e dyta ka të bëjë me njësitë bashkiake të Tiranës. Nuk do të kemi më zgjedhje për kryetar njësie bashkiake, po kryetari i njësisë bashkiake do të miratohet nga kryetari i bashkisë. Ka dhe një ndryshim shumë teknik, që lidhet me zonat e administrimit, se ato lidheshin me rrethet, tani do jetë në bazë të bashkive, sipas hartës së re”, – tha Çuci. Nga ana tjetër, ministri bën të ditur se ndryshimet që erdhën të detyruara nga ndërhyrjet e bëra në reformën territoriale dhe ndryshimin e numrit të bashkive, nuk prekin KQZ-në, e cila zgjedhjet e kaluara i zhvilloi me tre anëtarë më pak, për shkak të dorëheqjes së përfaqësuesve ligjorë të PS-së, LSI-së dhe PBDNJ-së. “Të paktën paketa që kemi përgatitur vetëm këto ndryshime ka. Nuk ka asnjë ndryshim të natyrës së sistemit apo të administrimit të zgjedhjeve. Mendoj se shumë shpejt do ta zgjidhim edhe ngërçin”, – u shpreh ai. Ndërkaq, ndryshimet e përgatitura nga mazhoranca me në krye ministrin për Pushtetin Vendor do t’u kalojnë për diskutim javën e ardhshme ministrave dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Para lokaleve/ Qeveria, audit për çdo bashki e komunë, në përfundim ligji për organizimin e vendorëve

Para zbatimit të reformës territoriale dhe zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 2015-ës, qeveria ka vendosur të kalojë në sitë të gjitha të ardhurat e bashkive dhe komunave të vendit. Përmes një auditi financiar, i cili do të udhëhiqet nga ministri i shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ekzekutivi do të synojë të zbardhë çdo qindarkë të shpenzuar nga njësitë vendore përpara se ato t’i nënshtrohen bashkimit mes tyre në kuadër të hartës së re territoriale. Sipas qeverisë, auditi vjen për shkak të realitetit ku ndodhen njësitë vendore, pasi sipas tij 70% e njësive aktuale vendore nuk e dinë sa vlejnë. “Ne do të bëjmë fillimisht një vlerësim financiar të të gjitha komunave dhe bashkive ekzistuese, që pastaj të bëjmë një bashkim financiar-administrativ të komunave dhe bashkive, në mënyrë që të krijojmë një bashki të re sipas ligjit. Si shumë gjëra në Shqipëri që janë braktisur, sipas një sondazhi që kemi bërë, rreth 70% e komunave nuk kanë vlerësim financiar dhe nuk kanë bërë as audite financiare në fund të çdo viti, – siç janë të detyruar me ligj, – bashkimi që do të sillet është një bashkim financiar dhe administrativ. Pra secila do të ketë inventarët, borxhet, përkatësitë në kompani të ndryshme, e kështu me radhë”, – ka pohuar Çuçi. Nga ana tjetër, pas ndarjes së re të vendit, qeveria ka përgatitur edhe draftin e decentralizimit, mbi bazën e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Sipas draftit, projektligji i ri do të garantojë vijueshmërinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët në të njëjtën komunë sikurse ndodh aktualisht. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Partia Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për hartën e re territoriale duke kërkuar shfuqizimin e ligjit që ndan Shqipërinë në 61 bashki. Sipas PD-së, ndarja e re administrative-territoriale është antikushtetuese dhe ka si synim të saj parësor fitimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale nga mazhoranca e majtë. Në këtë kontekst, demokratët kanë bërë të ditur se me këtë hartë territoriale nuk mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

PD: Ndërhyrja e të majtëve rrezikon zgjedhjet

Partia Demokratike, përmes deputetit Oerd Bylykbashi, ka theksuar se çdo ndërhyrje e të majtëve, qoftë edhe e vogël, në Kodin Zgjedhor, pa marrë konsensusin e opozitës, rrezikon zgjedhjet. “Reforma territoriale nuk mund të bëhej pa u kombinuar me reformën zgjedhore dhe vendosën ta bëjnë vetëm dhe për rrjedhojë do të ndërhyjnë mesa duket në Kodin Zgjedhor për të ndryshuar të gjithë ato elementë që duan ata që të kapin procesin zgjedhor. Asgjë teknike dhe e vogël nuk ekziston në Kodin Zgjedhor, çdo teknikalitet i kodit nesër mund të kthehet në potencial për një krizë politike e cila do të cenojë themelet e standardit të procesit zgjedhor”, – tha Bylykbashi.