MILAZIM KRASNIQI
Pan(o) shqiptar
Avropi e di që mbrëmë në stadiumin e Beogradit Ismaili e Isai ishin virtualë, ndërsa nesër në Beograd vjen Putini real. Putini i Krimesë dhe i Donjeckut. Flakëvënësi potencial edhe i Ballkanit.
Historia di të bëjë edhe humor me serbët. Ata e kërkuan (me gojën e Marko Gjuriqit) para do kohësh Esat pashë Toptanin, si model të raporteve të mira me shqiptarët, ndërsa me të dëgjuar të këtij romuzi serb, në Beograd zbarkuan Ismail Qemali e Isa Boletini. Ata zbarkuan në Beograd edhe me një hartë, të cilën e patën paraqitur edhe para Konferencës së Londrës në vitin 1913. Me atë hartë nuk ishte pajtuar Esat pasha, sepse ai e donte një Shqipëri më të vogël, një biçim çifligu për vete, që do të ishte i kacavarur pas qerres së Serbisë. Mosmarrëveshjes ndërmjet Ismailit/Isait në njërën anë dhe të Esatit në tjetrën, patën mbetur pezull, për shkak se Ismailit iu imponua dorëheqja nga “miqtë ndërkombëtarë” të atëhershëm, ndërsa Esati vazhdoi politikën e vet me qeverinë e Durrësit, pastaj pak me princ Vidin, pjesërisht me Haxhi Qamilin e më së shumti me “vëllezërit serbë”. Por, tre plumba qorrë të drejtuar qëllimisht ndaj tij nga Avni Rrustemi, i patën lënë edhe punët e tij pezull. U mundua t’i vazhdonte Gjon Marka Gjoni me “Republikën e Mirditës”, po nuk bëri punë. U mundua njëfarë dore edhe Ahmet Zogu (para se të bëhej mbret) po pastaj i lau duart dhe e drodhi bigën, duke i lënë serbët në dëshpërim e në pritje. U mundua edhe shoku Enver deri në vitin 1948, po pastaj edhe ai e drodhi bigën dhe i la serbët në dëshpërim e pritje. Disa politikanë shqiptarë të Kosovës u munduan ta zbusin dëshpërimin serb, duke u vënë verbërisht shërbim të tyre, por as kjo nuk e zbuti dëshpërimin serb. Sidoqoftë, serbët ende e vajtojnë më së shumti atë ditë kur ata tre plumba qorrë, i qorruan planet e tyre për Shqipërinë miniaturale, të lidhur pas qerres së Serbisë. Jo vetëm Marko Gjuriqi, po edhe tifozeria serbe e futbollit, në ndeshjen e 14 tetorit 2014 ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, atë maraz kishin: ku ta gjejnë Esat pashën? Meqë ai nuk po shfaqej, ata po i mallkonin të gjithë shqiptarët. Dhe deri sa ata po mallkonin shqiptarët, befas ia behën mbi kokat e tyre të nxehura, Ismail Qemali dhe Isa Boletini, që kishin edhe një hartë me vete, një hartë të asaj që serbët e quajnë “Shqipëri e madhe” ndërsa shqiptarët e quajnë “Shqipëri etnike.” Emërtimi i hartës nuk ka rëndësi në këtë rast. Rëndësi ka që serbët e ftuan Esatin, ndërsa u shkuan në stadium Ismaili dhe Isai. Habia e tyre ishte e madhe dhe si zakonisht u shoqërua me fishkëllima dhe me sharje nga më patriotiket që kanë serbët në vokabularin e tyre shumë të pasur nga kjo fushë. Por, ata nuk do të ishin serbë të vërtet nëse do të mjaftoheshin vetëm me fishkëllima e me të shara. Në atë rast do të zhgënjenin në varret ku janë kalbur moti Karagjorgjeviqët, Obrenoviqët, Pashiqin, Stojadinoviqin, Rankoviqin, Millosheviqin dhe gjithë mizërinë e udhëheqësve të vet, që kanë bërë karrierë duke përndjekur e duke vrarë shqiptarë. Do të turpëroheshin para baballarëve të kombit e të shtetit serb dhe këtë gjë ata nuk mund ta lejonin, prandaj edhe u futën si patriotë serbë në fushë dhe filluan të sulmonin me egërsinë e tyre tipike Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Por, ata dy burra, nuk po i jepnin pesë para për egërsinë e tifozëve serbë, meqë edhe kësaj here para po u vinte historia, siç thotë një varg i një kënge labe. Derisa historia po u vinte përpara, anash dhe nga prapa po i mbronin djem sokola si Xhaka, Agolli, Cana, Balaj e të tjerët, që përnjëherë u shndërruan në mbrojtës të figurave të Ismailit e të Isait, po edhe të flamurit kombëtar e të hartës së tyre etnike. Ka që thonë që me këtë episod dramatik u rikthye në kujtesë një version i luftës së vitit 1912, kur edhe filloi Lufta e Parë Ballkanike. Por, kjo nuk ka të bëjë asgjë me të, sepse atëherë drejtimi shkonte nga veriu drejt jugut, nga Beogradi në Durrës ndërsa tash drejtimi ishte nga jugu drejt veriut, nga Durrësi (ose Rinasi) në Beograd.
Ka të fantaksur që mendojnë që këto ngjarjet e 14 tetorit 2014 nuk kanë ndodhur fare në realitet, po janë produkt i hakerëve, i programerëve, i aventurierëve kompjuterikë, që thjesht e kanë zbuluar një lojë me të cilën të gjithë ne na kanë vënë në lojë. Ata e paskëshin trilluar gjoja se zëvendësi aktual i Ismail Qemalit, Kryeministri Edi Rama, e paskësh një vëlla me emrin Orfi (sipas medieve serbe), i cili e paskësh organizuar gjithë fluturimin e Ismail Qemalit e të Isa Boletini, pa kuaj, në stadiumin e Partizanit. (Shyqyr që ky Orfi (shqip Olsi) nuk e ka emrin Avni, se në atë rast do të mund të bëhej edhe më keq.)
Në ditët që vijnë, pritet të shihet se çfarë do të deklarojnë në UEFA lidhur me vizitën e paparalajmëruar të Ismailit e të Isës në Beograd. Pritet të shihet edhe se kujt do t’i takon territori i tri pikëve të ndeshjes së ndërprerë. Shpresojmë se do të jetë në favorin e Shqipërisë. Besoj që pas njëqind e një viteve, së paku evropianët në UEFA ta kenë kuptuar se kush ka qenë agresori në ndeshjen e 14 tetorit 2014, po edhe në vitin 1912. Dhe në bazë të njohurive të reja, edhe të vendosin, krahas dhënies së tre pikëve përfaqësueses shqiptare, edhe për rishikimin e hartës, që tashmë ua kanë ridërguar në kancelaritë e tyre Ismali dhe Isa. Kosova ka dy ditë që është në festë për këto ngjarje, prandaj si duket nuk i prishet qejfi aspak nëse e bashkojnë me Shqipërinë, pa e pyetur fare. Megjithatë, unë jam që të na pyesin njëherë e mandej të vendoset, e jo si në vitin 1912, kur na ndanë pa na pyetur fare.
Tregimi deri këtu është mjaft argëtues, besoj. Por, nëse e vazhdojmë edhe pak, duhet t’i japim edhe një ton më realist: armiqësia ndërmjet serbëve e shqiptarëve tash më shumë se një shekull është shpërthyese dhe mezi prêt të gjejë një ventil që të shkarkohet me gjithë brutalitetin e vet. Është e dhimbshme për ta thënë, por është e vërtetë. Këto dy kombe nuk mund ta përfundojnë në paqe as një ndeshje futbolli, të vlefshme për kampionatin evropian. Janë kombe në luftë, që nga viti 1912. Aktualisht është gjendje e armëpushimit, por me rrezik permanent që të sfidohet qoftë dhe nga tifozët e futbollit. Prandaj Avropi (si e quan Demir Arbana në filmin “Nëntori i dytë”) duhet të veprojë më shpejt. Vetëm anëtarësimi i përshpejtuar i këtyre dy kombeve dhe tre shteteve (mbase edhe bashkimi i negociuar dhe i mbikëqyrur i dy prej tyre, Shqipërisë dhe Kosovës) mund ta evitojë hasmërinë shekullore (me krijimin e një ekuilibri të ri) dhe rrezikun e shpërthimit të saj real edhe nga një lojë virtuale,
Avropi e di që mbrëmë në stadiumin e Beogradit Ismaili e Isai ishin virtualë, ndërsa nesër në Beograd vjen Putini real. Putini i Krimesë dhe i Donjeckut. Flakëvënësi potencial edhe i Ballkanit. Kush mund të mohojë që edhe histeria e mbrëmshme antishqiptare dhe anti-NATO në Beograd nuk ishe pjesë e mikpritjes ndaj Putinit?!
15 tetor 2014