Deri tani, në qytetin e Tiranës janë mbjellë 23 145 mijë pemë, shkurre dhe bimë dekorative dhe janë shtuar 95 mijë metra katrorë gjelbërim
Afro 17 mijë metra katrorë sipërfaqe e kthyer prej vitesh në vend grumbullim inertesh do të kthehen në hapësirë të gjelbër në shërbim të qytetarëve. Nga kjo sipërfaqe që ndodhet fare pranë qendrës së Tiranës do të zhvendosen 20 mijë metra kub mbetje urbane dhe do te shndërrohet në një lulishte. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka inspektuar dje nisjen e punimeve dhe theksoi se puna në këtë sipërfaqe duhet të kishte përfunduar por bllokimi i buxhetit për mbi 7 muaj, ka bërë që puna të nisë vetëm pas zhbllokimit të këtij buxheti me vendim gjykate. “Janë më shumë se 17 mijë metra katrorë, pra një hektar e gjysmë, pothuajse në qendër të qytetit të Tiranës, që i kthehen komunitetit të këtyre pallateve këtu. Kjo sipërfaqe që ju shikoni ka shërbyer për dhjetëra e dhjetëra vite si një vend depozitimi i paligjshëm i mbetjeve të ngurta urbane. Bashkia e Tiranës ka vendosur t’ia kthejë qytetarëve duke hequr në radhë të parë, sipas vlerësimeve tona, më shumë se 20 mijë metra kub mbetje urbane dhe pastaj duke i kthyer në hapësirë në gjelbër që do t’i shërbejë komunitetit”, – përmendi Bozdo.
Investimet
“Me këtë aksion hapet dhe sipari i mbjelljeve të pemëve reja. Në tre vite, ne kemi shtuar me 95 mijë metra katrorë gjelbërimin e qytetit të Tiranës dhe janë mbjellë më shumë se 23 mijë pemë, shkurre dhe bimë dekorative. Shifra ekzakte në fakt, sipas shifrave tona është 23145 pemë. Më lejoni t’ju them gjithashtu që do të ishim të lumtur që edhe projektet e mëdha, veçanërisht projekti i bulevardit, i terminalit dhe i tramit, të zhbllokoheshin nga qeveria, sepse kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mjedisin e Tiranës, në cilësinë e ajrit që thithin qytetarët e Tiranës. Vetëm bulevardi verior i Tiranës kontribuon me 300 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbër, ndërsa terminali dhe trami kontribuojnë me eliminimin e minimalisht 6 metra kub dioksid karboni në ditë dhe kilometra të tëra parkim, tre kilometra parkim, që në rastin e dioksidit të karbonit derdhet në qytetin e Tiranës, janë emisionet e gazeta pra, edhe në rastin e parkimit, është parkim që u hiqet qytetarëve të Tiranës”, – theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu Bozdo i bëri thirrje kryeministrit që të lërë politikën mënjanë dhe të zhbllokojë projektet e mëdha të cilat vërtet kanë potencialin, për ta kthyer Tiranën në një qytet metropol të mirëfilltë evropian të këtij shekulli. Paralelisht me këto investime, Bashkia po rehabiliton dhe një sipërfaqe prej 2 mijë metër katrorë, të mbetur prej vitesh në harresë, në zemër të Tiranës dhe që lidh rrugën e Durrësit me atë të Kavajës. Edhe kjo sipërfaqe do të shndërrohet në një hapësirë të gjelbër, në shërbim të qytetarëve.
Vendimi/ Ish- të përndjekurit që do të marrin të njëjtin këst, ja kush dëmshpërblehen të parët
Ndryshon përsëri vendimi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik. Këshilli i ministrave ka vendosur se “miratimi i afateve dhe të skemës së shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish – të dënuarit politikë të regjimit komunist, sipas planifikimit vjetor buxhetor dhe parimit të proporcionalitetit, në një raport prej 70% për të gjitha subjektet përfituese parësore dhe 30% për trashëgimtarët e ish – të dënuarve, që nuk bëjnë pjesë në kategorinë parësore”. Me shlyerjen përfundimtare të dëmshpërblimit të subjekteve parësore i gjithë buxheti vjetor kalon për dëmshpërblimin e trashëgimtarëve të ish – të dënuarve politikë. “Kësti pasardhës për kategorinë parësore përcaktohet me urdhër të ministrit të Financave, pas raportimit të drejtorisë përkatëse të dëmshpërblimit për ish – të përndjekurit politikë. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan këstet e dëmshpërblimit, për kategoritë parësore, sipas ligjit, me radhë përparësie. Shpërndarja e dëmshpërblimit, për subjektet përfituese të kategorisë parësore, për të njëjtin këst, do të kryhet sipas kësaj radhe:
– Ish-të dënuarat politike gra që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;
– Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75vjeç, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
– Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;
– Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët, pavarësisht moshës, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
– Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
-Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji”,-thuhet në vendimin e qeverisë. Me kryerjen e pagesës për të gjitha kategoritë parësore, brenda këstit, fillon pagesa e këstit pasardhës. “Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministri i Financave, dy muaj përpara mbylljes së vitit buxhetor, vlerësojnë procesin e realizimit të fondeve për të dyja grupet e subjekteve përfituese dhe vendosin rishpërndarjen e fondeve ndërmjet dy grupeve”,- përfundon vendimi.
Nxitja e të nxënit/ Romët dhe egjiptianët, qeveria u jep 315 bursa dhe kuota ushqimore
Qeveria ka vendosur t’u japë 315 bursa dhe kuota ushqimore për fëmijët romë dhe egjiptianë. “Dhënien nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit të 315 bursave/kuotave ushqimore për nxënësit romë dhe egjiptianë të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2014-2015. Vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 lekë në ditë për nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore. Vlera e bursës/ kuotës ushqimore që do t’u ofrohet nxënësve në mjediset e shkollës në formën e shërbimit ushqimor ditor të paketuar për çdo nxënës për 170 ditë mësimore. Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë, në fillim të vitit shkollor, duhet të dërgojë pranë njësisë bazë të qeverisjes vendore, bashkisë Korçë, listën emërore të nxënësve romë dhe egjiptianë, përfitues të bursës/kuotës ushqimore, të detajuar nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Një kopje e listës emërore të nxënësve të trajtuar me bursë/kuotë ushqimore i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Fondet publike për mbulimin e shpenzimeve për bursat/kuotën ushqimore jepen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për bashkinë Korçë dhe administrohen nga kjo bashki. Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë dhe drejtoria e shkollës “Naim Frashëri”, Korçë, organizojnë aktivitete ekstrakurrikulare, me qëllim nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve romë e egjiptianë të kësaj shkolle”, – përcakton vendimi i qeverisë.