Bankierët qendrorë globalë, të etur për të parë ekonominë që të qëndrojë në këmbët e saj, u përballën me realitetin e vrazhdë të kësaj jave, për sa u përket trazirave të tregut tashmë të lëkundur. Stoqet e aksioneve ranë përsëri të enjten në gjithë botën, duke sjellë humbje në pothuajse 8 për qind, që nga mesi i shtatorit. Dollari ra dhe çmimet e obligacioneve në SHBA u rritën, pas inflacionit kinez, duke nxitur frikën se ekonomia botërore mund të jetë edhe më e dobët se sa mendohet.
“Kjo më kujton ikjen masive të cilësisë gjatë krizës bankare të 2008-ës, kur kishim frikë se e gjithë ekonomia globale do të binte në depresion”, – tha Nick Stamenkoviç, një strateg në Edinburg, bazuar në VNR Capital Markets.
Ekonomistët të njohur me hartimin e politikave të Bankës Qendrore deklarojnë se nuk ka asnjë dyshim se zyrtarët janë të shqetësuar se tregjet mund të përkeqësohen.
Javën e kaluar investitorët kanë shtyrë datën e pritur për një rritje të normës fillestare FED, deri në vitin 2015 apo edhe në 2016.
Që nga kriza financiare që goditi gjashtë vjet më parë, bankierët qendrorë kanë qenë për ballë një fushate për të shpëtuar ekonominë globale, uljet e normave në zero, nëpërmjet politikave të pazakonta të tilla si blerja e sasive të mëdha të borxhit të qeverisë .
Në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar javën e kaluar, bankierët qendrorë deklarojnë që misioni i tyre ishte kryesisht i bërjes thirrje të qeverive që të bëjnë pjesën e tyre për të rritur kërkesën, shtimin e vendeve të punës dhe investimet në infrastrukturë.
Ulet kërkesa për naftë
Kriza globale duket se ka ulur kërkesën botërore për “arin e zi”. Çmimi i naftës së papërpunuar, që në muajin qershor ka qenë 110 dollarë për fuçi, ka rënë në 88 dollarë më 13 tetor. Kjo do të thotë rënie për 20 për qind, por edhe problem serioz ekonomik për vendet, të ardhurat e të cilave varen shumë nga eksportet e tyre të naftës.
Një arsye për këtë është rritja e prodhimit të naftës nga burimet aligjirore në Shtetet e Bashkuara. Falë kësaj, SHBA-ja këtë vit ka tejkaluar Arabinë Saudite si prodhuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë. Arsyeja e dytë e rënies së çmimeve është kërkesa e dobët. Blerësit hezitojnë për shkak të rritjes së dobët ekonomike në gjithë botën.
Vendet e goditura më së shumti nga rënia e çmimeve të naftës do të jenë ato, të cilat mbështeten në çmime të larta të naftës për të mbështetur rritjen e tyre ekonomike. Një nga to është Rusia, ku ekspertët thonë se qeveria duhet të ketë një çmim prej 104 dollarësh për fuçi, për të balancuar buxhetin e saj. Aktualisht, nafta ruse shitet për rreth 92 dollarë për fuçi.
Sipas softuerit financiar në Shtetet e Bashkuara, Bloomberg, një çmim mesatar i naftës prej 90 dollarësh për fuçi, do t’i mundësonte Rusisë deficit buxhetor prej 1.2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Alexei Kudrin, i cili ka qenë ministër i Financave i Rusisë nga viti 2000 deri më 2011, i ka thënë të përditshmes amerikane “The Los Angeles Times” se “në një afat të shkurtër, çmimi në rënie i naftës do të jetë një goditje e madhe për ekonominë”.
Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar tashmë se Moska duhet të zvogëlojë planet e shpenzimeve.
Ministri i Financave, Anton Siluanov, ka thënë më 7 tetor se për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rënies së çmimit të naftës, Kremlini nuk do të jetë në gjendje të përballojë një nismë të re për shpenzimin e 576 miliardë dollarëve në mbrojtje, në gjashtë vjetët e ardhshëm.
Rënia e çmimit të naftës po ashtu ngre pyetje për Moskën se si do të sigurojë kapitalin e shumëduhur për bankat e saj shtetërore dhe kompanitë, të cilat janë përjashtuar nga tregjet financiare perëndimore. Shitjet e naftës përbëjnë gjysmën e të ardhurave të Qeverisë ruse.
Një tjetër vend që do të ndjejë shtrëngesë nga çmimet e ulëta të naftës është Irani, i cili duhet të fitojë 140 dollarë për fuçi për të balancuar buxhetin e tij.
Teherani ka qenë në gjendje të rrisë shitjet e naftës në bazë të një marrëveshjeje të përkohshme për pezullimin e sanksioneve ndërkombëtare. Si rezultat, ekonomia e tij ka treguar shenja të jetës. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje për 1.5 për qind këtë vit dhe 2.3 për qind vitin e ardhshëm.
Por, kjo rimëkëmbje, e cila varet nga të ardhurat e naftës, mund të dobësohet për shkak të rënies së çmimit.
Një vend tjetër që do ta ndjejë këtë barrë është edhe Iraku, i cili ka nevojë për një çmim prej 106 dollarësh për fuçi. Bagdadi është aktualisht nën presion të madh për të shpenzuar më shumë para në ushtri, pasi militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll rreth një të tretën e vendit.
Por, një vend që prodhon naftë dhe nuk duket i shqetësuar nga rënia e çmimit është Arabia Saudite. Asaj i duhet një çmim prej vetëm 80 dollarësh për fuçi për të balancuar buxhetin e saj. Me rezervat e mëdha që ka, ajo mund ta përballojë shitjen me çmim të ulët për kohë të pacaktuar.
Edhe pse rënia e çmimeve do të dëmtojë vendet që varen nga nafta, ajo do të ndihmojë rritjen e ekonomisë globale. Sipas Ekonomisë së Kapitalit, një konsulencë financiare me qendër në Londër, rënia për 10 dollarë e çmimit të naftës së papërpunuar mund të sjellë 0.5 për qind rritje në bruto prodhimin e brendshëm botëror.
Këtu do të përfitojnë vendet si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India, të cilat tani janë duke përjetuar rritje pozitive ekonomike. Çmimi më i ulët i naftës do të ndihmojë edhe Eurozonën që të mos bie sërish në recesion.
Ish-ministri Ridvan Bode, në telashe edhe për pullat fiskale
Burime pranë Ministrisë së Financave thanë se pjesë e një dosjeje hetimore, në qendër të së cilës janë abuzime nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode, që do t’i dërgohet Prokurorisë, do të jetë edhe koncesioni i pullave fiskale. Kjo është një akuzë e re për Boden, pas kallëzimit penal për shpërdorim të fondeve buxhetore në rastin e kontraktimit të kredisë sindikale prej 230 milionë eurosh, me dëm 60 mln euro për shtetin, që u përdor për ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Koncesioni i pullave fiskale po rëndon biznesin, pasi iu ka rritur koston. Luan Bregasi, President i Biznes Albanias, e ka cilësuar këtë koncesion kriminal dhe korruptiv, i cili duhet të zhbëhet. Në një intervistë për median, Bregasi shpjegoi se sa është rritur kostoja nga pullat fiskale për sipërmarrjen shqiptare. Sipas tij, abuzim është kryer nëpërmjet shtimim në listën e akcizës të disa produkteve. Dhe artikuj që në BE nuk pajisen me pullë janë futur në këtë skemë, kjo tregon që ky koncesion mban erë të mirëfilltë korruptive dhe është bërë për t’i shërbyer një grupimi të caktuar ekonomiko-politik, i cili në këto dy vite ka sjellë një dëm rreth 25 milionë euro.
Sipas tij, kostoja e pullës fiskale në Shqipëri është sa gati 10-fishi i pullave fiskale në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe në Kosovë.
Bregasi thotë se kosto e pullave për biznesin në Kosovë është 3 euro, ndërsa në Shqipëri është 28 euro. “Ky koncesion nuk është bërë për të rritur dhe luftuar evazionin, por është bërë për të sjellë përfitime ekonomike. Kemi kërkuar që ky vit të rishikohet koncesioni i pullave fiskale. Duhet të përjashtohen disa artikuj që nuk janë në vendet e BE, si në rastin konkret, birra, që është një industri që nuk pajiset me pullë fiskale, është shumë e vështirë tekonologjia e pajisjes. Në gjithë botën, birra matet me kalimatës vetëm në Shqipëri shoqërohet me pullë, dhe kjo duket shumë qartë që është bërë për ti sjellë përfitime koncesionarit”, – vijoi Bregasi.
Biznesi i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë koncesionin e pullave fiskale dhe të ulë koston për biznesin. Kompania SICPA ka fituar koncesionin e pullave fiskale për një afat 10-vjeçar. Kontrata mes qeverisë dhe kompanisë SICPA është nënshkruar në janar 2011.
Shteti rimerr në pronësi aksionet e CEZ-it
Ministria e Energjisë dhe Industrisë njofton opinionin publik se ditën e djeshme u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s, për Transferimin e Aksioneve të shoqërisë OSHEE, të cilat ishin në pronësi të shoqërisë CEZ a.s. Kjo marrëveshje përmbyll edhe procesin e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me shoqërinë CEZ a.s, që u nënshkrua në qershor 2014.
Me anë të kësaj marrëveshje, tashmë 100% të aksioneve të shoqërisë OSHEE i kalojnë shtetit shqiptar dhe në këtë mënyrë përfundon edhe faza e administrimit të përkohshëm të shoqërisë e cila kishte filluar që në janar 2013.
Përfundimi i këtij procesi i krijon tanimë mundësinë qeverisë që të fillojë reformimin në mënyrën e administrimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe në sajë edhe në mbështetjes së donatorëve, të ndërhyjë për kryerjen e investimeve që synojnë përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në të gjithë komponentët dhe rritjen cilësore të shërbimit ndaj konsumatorëve.