Gëzim Saliu
PD: Autoritetet serbe të normalizojnë situatën, Tirana dhe Prishtina të kujdesen për shqiptarët
Ish-presidenti serb Tadiç dënon dhunën e huliganëve ndaj shqiptarëve: Të mbrojnë fqinjët shqiptarë
Ndërsa pritet që deri në përfundim të ditës së nesërme të marrë vendim për pritjen e homologut shqiptar Edi Rama në Beograd, Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, përmes një telefonate që zhvilloi me Kancelaren gjermane Merkel, deklaroi se vendi i tij do të ruajë stabilitetin politik dhe ekonomik në rajon. Ndryshe nga retorika agresive e ditëve të fundit ndaj shqiptarëve, në bisedën me Kancelaren, Vuçiç ka përdorur terma krejtësisht të kundërt. Nga ana tjetër, Vuçiç dhe Merkel ranë dakord se krijimi i një klime të mirë të biznesit në Serbi është një parakusht i rëndësishëm për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Ndërkaq, në përgjigje të Kryeministrit Rama, i cili deklaroi më parë se Shqipëria e madhe është makth i serbëve dhe jo projekt i vendit, Vuçiç në rrjetin social Twitter pohoi: “Njerëzit që thonë se Shqipëria e madhe është makthi ynë kanë absolutisht të drejtë. Por jo vetëm makth yni, por edhe i Evropës, ankth i gjithë njerëzimit. Ne do të bëjmë gjithçka për ta parandaluar këtë”. Më herët Kryeministri serb ka deklaruar se do të vendosë deri në fundjavë për të pritur Ramën në vizitën e rënë dakord më parë për t’u zhvilluar më 22 tetor.
Boris Tadiç
Ndërkaq, ish-presidenti serb, kreu i Partisë Social-Demokrate, Boris Tadiç, përmes një deklarate për shtyp, dënoi dje ashpër aktet e dhunshme të huliganëve ndaj shqiptarëve dhe pasurisë së tyre në shumë qytete të Serbisë. Tadiç deklaroi: “Nuk duhet lejuar që provokimet politike dhe dhuna e tifozëve nga një ndeshje futbolli të cenojë të gjitha ato që janë arritur deri tani në zhvillimin e dialogut dhe kompromisin historik ndërmjet popullit serb dhe shqiptar”. Ndër të tjera ai u shpreh se Kryeministri shqiptar Rama duhet të zhvillojë vizitën në Beograd, në mënyrë që të vazhdojë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, ai ftoi anëtarët dhe miqtë e partisë së tij si dhe të gjithë qytetarët, që të mbrojnë fqinjët e tyre shqiptarë dhe bashkëkombësit nga çdo lloj agresioni dhe sulmi në lirinë e tyre.
Reagimi i PD-së
Partia Demokratike e cilësoi mesazhin e Papa Françeskut dërguar Presidenti të Republikës si më kuptimplotin në këtë klimë tensioni që po pason ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri në Beograd. Përmes deputetit Aldo Bumçi, opozita tha se Papa Fran[çesku i quajti shqiptarët si një pasuri për të gjithë kontinentin. “Papa Françesku gjatë vizitës në Shqipëri do të krijonte bindjen e plotë se “populli shqiptar, në sajë të forcës, rezistencës së tij në kohë vuajtjesh, si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”. Përkundër fushatës njollosëse dhe indinjuese të ndërmarrë këto ditë ndaj shqiptarëve, ky mesazh që ndriçon si drita e diellit duhet të ndriçoje dhe mendjet e errëta që po orkestrojnë këtë skenar fatkeq”, – tha ai. Ndërkaq, deputeti demokrat i bëri thirrje autoriteteve serbe që të marrin përgjegjësi për normalizimin e situatës, duke i bërë ndërkohë thirrje Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që të kujdesen për shqiptarët në Serbi. “U bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe së pari të marrin të gjitha masat për ndaljen e sulmeve barbare ndaj jetës dhe pronës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të ndëshkojnë përgjegjësit pa hezitim. Ashtu sikurse dënojmë me indinjatën më të thellë të gjitha aktet vandale e barbare ndaj shqiptarëve në Sombor, Stara Pazova, Novi Sad dhe rajone të tjera. Ne u bëjmë gjithashtu thirrje autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të bëjnë gjithçka në mbrojtje të jetës dhe interesave të bashkëkombësve tanë që jetojnë në Serbi”, – u shpreh deputeti demokrat Aldo Bumçi.
Ndeshja Serbi-Shqipëri
Ruçi: Ngjarja tregoi se në Ballkan ka shtete që nuk e duan Evropën
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, gjithashtu ka reaguar për incidentin e ndodhur mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke komentuar ngjarjet që pasuan pas ndeshjes. Për Gramoz Ruçin ngjarja tregon se ka shumë shtete në Ballkan që nuk e duan Evropën dhe kjo u tregua në një ndeshje futbolli. Reagimi i kreut të grupit të PS-së ka ardhur nga qyteti i Lushnjës, ku ishte i pranishëm në festimet për 70-vjetorin e çlirimit të qytetit. Qyteti i Lushnjës festën e çlirimit e ka pritur me krisma armësh dhe paradë duke improvizuar edhe një herë çlirimin e 70 viteve më parë. Veteranët dhe drejtuesit vendorë kanë nderuar të rënët.
Ndeshja Partizani-Cërvena Zvezda
Ambasada Shqiptare në Beograd, në shtetrrethim
Ambasada Shqiptare në Beograd u blindua mbrëmë nga forcat e sigurisë serbe në kuadër të masave të marra për ndeshjen që u luajt në këtë qytet midis Partizanit dhe Cërvena Zvezdës. Selia diplomatike u rrethua nga forca të shumta policie si dhe nga mjete të blinduara. Po ashtu pranë saj qëndroi deri në përfundim të ndeshjes edhe një autoblindë që përdoret për të shpërndarë protestuesit me ujë dhe katër mjete të tjera autoblinde dhe tanke. Shtimi i sigurinë para Ambasadës Shqiptare në Serbi vjen dhe pas incidenteve të shënuara në ndeshjen e 14 tetorit mes kombëtareve të dy shteteve. Këshilltari për mediat në Ministrinë e Jashtme, Glevin Dervishi, tha dje se masat e shtuara të policisë janë të gjitha në funksion të shmangies se ndonjë përplasjeje mes tifozëve në prag të ndeshjes që do të zhvillohej në Beograd.
Në Universitetin e Harvardit
Rama: Qytetet mund të kthehen në laboratorë të inovacionit
Kryeministri Edi Rama mori pjesë ditën e djeshme në punimet e sesionit “Për rilindjen e qyteteve” në Universitetin e Harvardit, në SHBA. Në një postim në rrjetin social FB, Kryeministri Edi Rama i cilësoi mbresëlënëse punimet e këtij sesioni ku u dëshmua se si qytetet mund të kthehen në laboratorë të inovacionit për transformimin dhe zhvillimin e tyre. Ndërkaq, dy ditë më parë Kryeministri iu adresua me një fjalë sesionit të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit, ku u fokusua në vizionin e qeverisë shqiptare mbi modelin ekonomik dhe rilindjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Rama u shpreh se këto dy dekada qysh prej daljes nga izolimi, për Shqipërinë kanë qenë vitet e lundrimit në një det rrjetesh e mundësish, por pa mundur të ankorojë në rezultate të përshtatshme. “Kjo është arsyeja, pse dija dhe inovacioni ka qenë në themel të programit qeverisës së Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, – tha ai.