Ibadete Kutllovci
Temple University Press, në Filadelfia të SHBA-së, kohet e fundit nxori nga botimi librin “Kinemaja e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore pas vitit 1989” (Cinemas in Transition in Central and Eastern Europe after 1989). Libri në mënyrë kronologjike pasqyron kinematografinë kombëtare dhe kulturat përmes një analize të filmave nga Republikat Çeke dhe Sllovake, ish-Republika Demokratike Gjermane, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Rumania, Ukraina dhe shtetet nga ish-Jugosllavia. Rëndësia e këtij libri për lexuesin shqiptar qëndron në faktin se në mesin e shteteve që përbënin Jugosllavinë është edhe Kosova si shtet i shpallur në 2008.
Në këtë botim, autorët e shumë librave profesionalë për kinematografinë, Catherine Portuges dhe Peter Hames, mblodhën bashke autorë me fame si: Barton Byg, Alexandra Foamente, Andrew Horton, Dina Iordanova, Ewa Mazierska, Bohdan Y. Nebesio dhe Bogdan Stefanescu, të cilët në mënyrë profesionale plotësuan boshllëkun kinematografik të periudhës pas vitit 1989. Ata me kontributin e tyre, ndriçojnë prodhimet kinematografike në prag të kolapsit të Bashkimit Sovjetik, thyerjes së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, duke mos u ndalur vetëm në lëvizjet politiko-sociale të vitit `89, por pasqyrojnë edhe ndryshimet estetike e infrastrukturore në kinematografi, duke treguar nevojën e domosdoshme të bashkëprodhimeve filmike në mes të shtëpive filmike të këtyre vendeve me kompani filmike në Evropën Perëndimore dhe Amerikën, në mënyrë që tregu i filmit të globalizohet ndërkombëtarisht.
Skenaristi i filmit të parë të aktorit Brad Pitt “The Dark Side of the Sun” dhe autori i mbi pesëmbëdhjete librave mbi artin e shtate, profesori Andrew Horton, në “Cinemas in Transition” shkruan kapitullin për kinemanë në vendet e dala nga Jugosllavia. Kapitulli “Cinema Haunts My Memoryë” – Kinemaja vend ushqimi për kujtesën time. Ai na jepe një përmbledhje faktografike të sukseseve të kineasteve ma eminent të dale nga Jugosllavia dhe përshkruan rrugëtimin se si arritën këta kineaste të mbijetojnë gjate pavarësimit të vendeve të tyre nga Jugosllavia. Ai përshkruan edhe aspekte historiko politike nëpër të cilët kaluan artistet në përgjithësi gjatë luftërave në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.
Tek pjesa kur shkruan për shtetin e Kosovës, z. Horton ndalet në mënyrë të veçantë në periudhën 1989-1999, kur përshkruan vitet e vështira nën sundimin e Millosheviçit dhe thotë se gjate asaj periudhe njerëzit e tij mbyllën “Kosova filmin” dhe televizionin e Prishtinës, duke lënë pa punë artistët dhe kineastët, të cilët u detyruan të emigronin jashtë. Në përshkrimin pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, Horton tregon fakte të rëndësishme se si afër 58% të shtëpive në Kosovë ishin shkatërruar dhe se si u kthyen në vendin e tyre një milion refugjatë të deportuar jashtë Kosovës gjatë luftës. Ne arritëm që të mwrrnim një prononcim të shkurtër nga z. Horton. Në pyetjen tonë se pse vendosi që shtetin e Kosovës ta fuste në mesin e shteteve të Jugosllavisë, edhe pse nuk është anëtare e OKB-së, ai u përgjigj: “Me duhet të jem i sinqertë. Unë para se të takoja një filmbërës tuajin, nuk e kisha idenë që Kosova kishte film. Nuk më kishte rënë të dëgjoja, edhe pse e dija që Kosova ekzistonte për shkak të shumë ngjarjeve që ndodhnin atje. Takimi me Avni Abazin me ka dhënë përshtypje krejt tjetër për Kosovën dhe artistet atje. Avniu me mburrje tregonte që disa filma kosovarë kanë qenë të shpërblyer në kuadër të festivaleve në Jugosllavi”. Pyetjes sonë se sa ishte e vështirë të shkruante për Kosovën, ai u përgjigj: “S’e kam pasur të vështire të shkruaja për Kosovën, sepse Avniu kishte disa prezantime në 2002-shin në universitete amerikane me temën “Filmi dhe media në Kosovë dhe Ballkan” dhe unë përmblodha theksat kryesorë, ato që me duheshin dhe i botova. Më vjen keq (thotë Horton) që s’kam arritur të përfshij disa produksione filmash pas vitit 2004 të prodhuar në Kosovë. E sidomos filmin e fundit të regjisorit Agim Sopi “Agnus Dei” për të cilin Avniu më ka treguar që ka udhëtuar në shumë festivale ndërkombëtare”.
Në historikun kinematografik të shtetit të Kosovës, përmenden filmat “Kukumi” me regji të Isa Qoses, “Etjet e Kosovës” me regji të Sunaj Raqes dhe “Rrugët që vrasin” me regji të Halil Budakovës. Kronologjikisht pasqyrohet ndërtimi i institucioneve të kulturës pas luftës në Kosovë, si dhe ndërtimi i medieve, duke përfshirë edhe “Koha Vizionin” – KTV. Njëherit z. Horton nuk lë pa përmendur faktin që SHBA ka ndihmuar shtetin e ri të Kosovës edhe në film dhe televizion, duke financuar serialin e parë të pasluftës në Kosovë, “Jeta e një toke” dhe rrugëtimin e këtij seriali në SHBA, si dhe transmetimin e tij në KTV. Për këtë në biseduam me ideatorin dhe producentin e serialit “Jeta e një toke”, z. Avni Abazi. “Ishte surprizë e këndshme dalja e këtij libri dhe kur e pashë Kosovën krah shteteve të tjera, u gëzova pa masë”, – pohon Abazi, duke vazhduar më tej: “Nuk e mohoj që ndihem krenar të jem në një libër me kaq peshë dhe nga autorë shumë të fuqishëm dhe të lexuar anembanë botës nga profesionistët e filmit, por “pa modesti”, – vazhdon ai, – më duhet të them që të jesh në mesin e emrave si Danis Tanovic dhe Milco Manchevski, njëri fitues “Oskari”, dhe tjetri i nominuar, është vërtet sadisfaksion. Të mos harrojmë që në shumë literatura mbi Evropën Juglindore, Kosova nuk figuron fare ose edhe aty ku figuron. prezantohet si pjesë e Serbisë, e diku edhe më keq si krahinë autonome e saj. Për këtë me duhet të potencoj që vërtet i jam mirënjohës z. Horton që ka thyer paragjykimet dhe na ka prezantuar si shtet në këtë libër”.
Nga shumë lexues dhe studiues që kanë lexuar librin “Cinemas in Transition” vinë në konkluzion që ky libër është kontribut shumë i rëndësishme për studimet e kinemasë, studime evropiane, studimet tranzicionale demokratike dhe studimet postkomuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore pas vitit 1989, duke na ardhur si freski e lehtë dhe shumë informative mbi atë se çfarë ka ndodhur në film pas Luftës së Ftohtë në Evropë dhe më gjerë. Libri mund të blihet online në “Amazon” dhe kushton 83 dollarë.
*Autorja ka mbaruar studimet në degën Dramaturgji pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë.