Në përfundim të procedurës aplikantit i lëshohet një dëshmi njohje nga MAS
Sektori i Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit ka publikuar emrat e 400 aplikantëve që u janë njohur studimet. “Vlerësimi i nivelit, profilit dhe drejtimit që përfshin një diplomë apo certifikatë e caktuar, kryhet nga Komisioni i Njohjes së MASH-it për rastet: Kur është pjesë e kuadrit të një marrëveshjeje ndërshtetërore, kur një diplomë është lëshuar nga një institucion i akredituar në një nga vendet e listuara në aneksin bashkëngjitur këtij udhëzimi, kur për të njëjtin program studimi apo titull diplome lëshuar në të njëjtin shtet, një Komision i mëparshëm i MAS-i ka marrë një vendim njohje. Komisioni i Njohjes mund të kërkojë mendim nga universitetet publike ose të kontaktojë ekspertë të fushave përkatëse për raste që gjykon si të nevojshme për të marrë vendim përfundimtar lidhur me vlerësimin e diplomës ose certifikatës”, – përcakton udhëzimi i MAS. Në përfundim të procedurës aplikantit i lëshohet një dëshmi njohje nga MAS, jo më vonë se një javë nga përfundimi i procedurës. Dëshmia nënshkruhet nga kryetari i Komisionit të Njohjes. Në dëshmi përfshihen vitet e studimit, profili i diplomës së bashku me drejtime sekondare që nënkupton një program studimi, kur nuk përfshihet ose nuk është i ngjashëm me emërtimet e drejtimeve dhe profileve të studimit në Republikën e Shqipërisë. Aplikimi duhet të dërgohet me postë në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të MAS. Brenda 3 ditësh Sektori i Njohjes së Diplomave (SENJOD) informon aplikantin për mbërritjen dhe plotësinë e dosjes. Aplikimi nuk quhet i plotë nëse mungon një nga dokumentet. Informimi mund të bëhet me email ose postë të zakonshme. Nëse komunikimi bëhet me email, duhet të konfirmohet marrja e tij nga aplikanti.
Listën e plotë me emrat e 400 aplikantëve do ta gjeni në faqen 19 të gazetës Standard
Dosja e aplikimit
– Format i aplikimit të plotësuar
– Diplomë ose certifikatë/vërtetim i diplomimit
– Listë e notave ose suplement i diplomës
– Dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe i kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj
– Mandatpagesë.