Kryetari i Partisë Demokratike priti gjatë ditës së djeshme në takim kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Italian, Pier Ferdinando Casini, me të cili ndau disa shqetësime për mënyrën e qeverisjes të të majtëve. Basha ka folur me Casinin për marrëdhëniet e kufizuara të opozitës me Kuvendin dhe për metodat që përdor e majta për të mbajtur jashtë punimeve parlamentare opozitën.
Kreu i PD-së ndau me Casinin “shqetësimin se shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, refuzimi i kontrollit demokratik opozitar përmes komisioneve parlamentare hetimore, injorimi dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të vendit, mohimi i fjalës së lirë të opozitës përmes ushtrimit të dhunës verbale dhe fizike nga elemente kriminalë të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, të orkestruar dhe drejtuar nga Kryeministri Rama, kanë reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën duke e detyruar atë të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin”.
Në këtë situatë “të rëndë të demokracisë parlamentare, Partia Demokratike kërkon që shumica të reflektojë dhe të marrë përsipër duke dhënë garanci të plota politike të matshme edhe nga faktori ndërkombëtar se nuk do të përsëriten më në të ardhmen shkeljet e ligjit themelor të shtetit shqiptar dhe vendimeve të gjykatës Kushtetuese si dhe për të nisur një bashkëpunim shumicë-opozitë për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Parlament dhe strukturat shtetërore”.
Ndërkohë, Basha është shprehur se forca politike që ai drejton dhe të gjithë aleatët e saj janë të vendosur në rrugën e tyre për kushtetutshmëri, si “e vetmja mënyrë për t’i vënë fre revanshit të kësaj mazhorance për zëvendësimin e demokracisë në Shqipëri me një regjim oligarkik”. Gjithashtu, kreu i PD-së i ka shprehur Casinit mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Italia, Senati italian dhe ai personalisht i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, e në veçanti në rrugën e integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO, ku Italia u shndërrua në avokate të Shqipërisë.