Tryeza e lidershipëve/ Rama: Arsyet pse këmbënguli të takonte Vuçiçin

0
168

Erneta Shevroja

edi rama “S’mund të ndahemi nga një balonë elektrike. Anulimi cenonte rolin paqtues që shqiptarët kanë marrë në rajon, me një shkallë, ku jo Serbia, por Shqipëria do ishte humbësja më e madhe”

Gjatë javës që kaloi, që prej mbrëmjes së 14 tetorit, u fol shumë për ndeshjen, flamurin, deklarata provokuese të udhëheqësve serbë, për vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Beograd. Po gjithashtu, qarkulloi edhe një pyetje: Pse Kryeministri Rama këmbënguli kaq shumë të takohej me Kryeministrin serb, kur ky i fundit pas ndeshjes deklaroi se ishte në dyshim nëse do ta takonte apo jo homologun shqiptar, vizitë e parë që bëhet mbas gati 70 vjetësh, që nga vizita e fundit e diktatorit Enver Hoxha në Beograd?

 

Arsyet e vizitës në Beograd

Në një tryezë për partnershipin Shqipëri-Itali, ku ishin të pranishëm personalitete italiane, mes tyre edhe ish-kryeministri italian Romano Prodi, Rama tregoi arsyet e këmbënguljes së vizitës në Beograd. Ai tha se nëse marrëdhëniet mes shteteve fqinje do të pasoheshin nga atmosfera e acaruar e stadiumit “Partizani” në Beograd gjatë dhe pas ndeshjes, çështja nuk do të merrte fund dhe humbësja më e madhe nuk do të ishte Serbia, por Shqipëria. “Flas për shtete që ndahen nga një balonë elektrike, për të cilin njëri kërcënon e tjetri e pagëzon si shpend mitik dhe të dyja janë gati të hyjnë në një luftë. Ndeshja e futbollit që u shndërrua nga një përçapje huliganësh në përçapje politikanësh, nuk do të kishte përfunduar pa vendosur një datë takimi”, – tha Rama. “Anulimi i vizitës, jo përgjigjja e merituar, por ulje e pamerituar në nivelin e një lufte deklarative shterpë, abortim i procesit që nisi në Berlin. Anulimi cenonte rolin paqtues e emancipues që shqiptarët kanë marrë në rajon, me një shkallë, ku jo Serbia, por Shqipëria do ishte humbësja më e madhe”, – deklaroi Kryeministri. Ndërkaq, kreu i qeverisë mohoi se ka qenë Brukseli që ka imponuar takimin mes dy kryeministrave, shqiptar dhe serb. “Kundërshtarët thonë që na ka imponuar Brukseli mosanulimin e vizitës. Brukseli ka imponuar shumë gjëra, por këtë jo, siç nuk na ka imponuar thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, – u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për mundësinë e anulimit të vizitës dhe për pasojat që ajo do të kishte. Anulimi, sipas Kryeministrit, mund të cenonte rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai deklaroi se Shqipërisë i është mohuar shumë herë statusi për në Bashkimin Evropian, që për Shqipërinë ka vlerë të madhe morale, veç të tjerash. Kreu i qeverisë u shpreh: “Shqipëria nuk është një fije bari në një fushë futbolli, por një trung me rrënjë të thella që rritet me Evropën e shpresës, kulturës, paqes dhe prosperitetit. Sot gjej rastin t’ju them se më është dashur t’ju përgojoj deri ditën që më në fund na e dhanë atë të shkretin status, pas shumë refuzimesh, numri i vërtetë nuk ka rëndësi, jemi refuzuar si askush tjetër më shumë se dy herë në kërkesën tonë për të marrë një status me vlerë aq të madhe morale për një vend si yni”, – vijoi kreu i qeverisë.

 

Olsi Rama, heroi i rremë i Ballkanit

Gjithashtu, Rama edhe një herë komentoi pretendimet e mediave serbe në lidhje me vëllain e tij. Ai tha se Olsi Rama është kthyer sot në një hero të rremë të Ballkanit, pa bërë asnjë përpjekje për të qenë i tillë. “Askush nuk e di ende autorin e dronit dhe vëllait tim i ra fatkeqësia të hynte, pa bërë asgjë, në listën e gjatë të heronjve të rremë ballkanikë. Sa shumë heronj të tillë ka prodhuar Ballkani, që s’kanë bërë asgjë për të qenë heronj…”, – komentoi Rama në lidhje me pretendimet që përsëriten ende në mediat serbe se Olsi Rama është ai që komandoi fluturaken me flamurin e Shqipërisë etnike. Kreut të mazhorancës nuk i shpëtoi rasti për të thënë një batutë në praninë e partnerëve italianë. Ai u shpreh Shqipëria do të ketë plot shanse edhe me Italinë ku tifozët do të kenë mundësi të mbajnë shumë flamuj dhe banderola pa i kundërshtuar askush.

 

Paquet: Lufta kundër korrupsionit dhe gjyqësori, sfidat e Shqipërisë për afrimin me BE-në

 I pranishëm në konferencën “Shqipëria dhe Italia, partnership për Evropën”, drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet, foli për sfidat që ka Shqipëria në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Ai veçoi luftën kundër korrupsionit dhe reforma në gjyqësor si disa nga “detyrat” urgjente që Shqipëria është e nevojshme të përmbush. “Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fusha tepër të rëndësishme dhe duhet të punohet më tej. Qeveria duhet të ekzistojë dhe të shfaq sigurinë e saj për të luftuar më tej politikat që çojën drejt luftimit të fenomeneve. Në këtë kuadër është e rëndësishme që të miratohet strategjia antikorrupsion. Tendenca pozitive që është krijuar në luftën kundër krimit të organizuar duhet të theksohet me rëndësie. Ndaj operacioni në Lazarat është për tu lavdëruar, por duhet të ndiqen të gjitha masat nga ana e Prokurorisë për çdo monitorim”, – tha Paquet në prani edhe të ish-kryeministrit italian Romando Prodi, njëkohësisht ish-president i Komisionit Evropian.

Ndërsa për gjyqësorin Paquet u shpreh: “Reforma e gjyqësorit është një parakusht për shtetin e të drejtës. Shteti i së drejtës është një proces i zgjerimit. Është shumë e rëndësishëm që të tërhiqen investimet e huaja. Mbrojtja themelore, mbështetet tek liritë dhe të drejtat. Paketa e zgjerimit, e tetorit i referohet qeverisjes ekonomike. Axhenda e reformës duhet të shoh sektorin ekonomik. Në këtë kuadër, komisioni i ka rekomanduar Shqipërisë që t’i ushtrohet një ushtrimi që do të zbatohet në nivelin e Komisionit Evropian. Dua t’i kthehem vendimit të qershorit që shkoj se është thënë se ky është një vendim histori dhe që hap një faqe të re të Shqipërisë, duke e ngritur atë në një nivel më të lartë. Hapat pasues janë të qarta, ku parashikohen treguesit q duhet të merren për hapet e mëvonshme”, – u shpreh Jean Eric Paquet. Ndërkaq, drejtori i Zgjerimit në Këshillin Evropian kërkoi që për realizimin e reformave të rëndësishme duhet gjithëpërfshirje. Ai tha se reformat që duhet të realizojë qeveria janë mjaft të vështira dhe për këtë duhet të marrin pjesë edhe qytetarët.

 

Nishani: Shtyrja e vizitës së Ramës e duhur. SHISH, jo përgjime të paligjshme

Presidenti i vendit Bujar Nishani deklaroi dje se shtyrja e vizitës së kryeministrit Rama në Beograd për në datë 10 nëntor është vendimi i duhur. Në një intervistë në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në ai report, kreu i shtetit tha se,: “Gjykoj se shtyrja është me vend, apo e argumentuar për shkak të një seri rrethanash që erdhën. Kishim një qëndrim të kryeministrit të Shqipërisë për të realizuar vizitën, për fat të keq kishim një qëndruar të paqartë të dyzuar të palës serbe. Me një shtyrje të paargumentuar të vizitës nga ana e tyre. Pro mendoj se kjo shtyrje u ndikua nga situata”. Lidhur me përgjimet e SHISH, Nishani theksoi se në dijeni nuk ka përgjime të paligjshme, duke shtuar se ky shërbim vepron me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm apo Gjykatës. Ndërkohë lidhur me guvernatorin e ri të BSH-së, Presidenti tha se deri tani ka 42 aplikime për këtë post. “Një pjesë e vogël e tyre plotësonte kriteret ligjore për Guvernator të Bankës. Ashtu siç e thatë edhe ju duhet të konvenojë në një emërim konsensual. Besoj te ajo çfarë është deklaruar nga shumica qeverisëse. Në këtë proces do të ftoj kreun e Parlamentit Kryeministrin dhe kreun e Opozitës”, tha ai.