Rifillim i vështirë, por i bukur

0
190

Josif Papagjoni

foto me e bukur kapitulli “Kapitulli i dytë” është një komedi lirike a dramë psikologjike e shkrimtarit amerikan Nail Simon, vepër fort e bukur, elegante, me vesk letrar, e hollë dhe tejet njerëzore, e tipologjisë thuajse çehoviane, ku fjalët thuhen sa urtësisht aq dhe butësisht dhe shumë gjëra të tjera përtej tyre nënkuptohen. E kam parë këtë shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë “e pazhurmë”, por inteligjente të Mehmet Xhelilit, posaçërisht lojës shumë të bukur të Ndriçim Xhepës në rolin e Xhorxhit dhe të Luiza Xhuvanit në rolin e Xhenit, një dyshe e intonuar, harmonike, ku pluskonte spikama e një ndjeshmërie jo me brufullima e patose që vikasin, por me një pranim të ndërsjellë, thuajse të heshtur, të dy karaktereve që rreken të ujdisen e të njësohen në vallëzimin e vështirë të dashurisë “së dytë”, jo dhe pa humor e pakëz ironi brenda. Mbetur në ato përshtypje më shumë se dhjetë vjet më parë, ndoqa me kureshtje versionin e ri të teatrit të Korçës në festivalin e aktrimit “Apolon” në Fier diku nga prilli i këtij viti. Pastaj e pashë dhe më vonë në tubime të tjera teatrore. Dhe më erdhi vërtet mirë që ky teatër me regjisorin e ri Qëndrim Rijani, shqiptar nga viset tona në Maqedoni, ish-studenti ynë, ofroi një koncept të ri, i cili mëtonte përvojat e teatrit “intim”, me hapësira të ngushtuara edhe fizikisht, ku spektatori vendoset fare pranë aktorit, thuajse një-dy metra larg vendit të veprimit, ndjen e dëgjon frymëmarrjen e tij, drithërimën shpirtërore, duke e rritur ndjeshëm impaktin emocional dhe komunikimin. Njëmendësimi i kësaj përvoje teatrore jo se është i ri në teatrin tonë, pasi tashmë shfaqje të ngjashme janë vënë gjithandej hapësirave kombëtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni. Pra, nuk kemi të bëjmë me një “habi” që na lë gojëhapur. E rëndësishme është arritja, sepse ka pasur edhe dështime në këto lloj performimesh. Ose kur shndërrimi i eksperimenteve teatrore të ndodhura në teatrin botëror qysh në vitet ’20 të shekullit që shkoi, sidomos eksperimentet “artodiane” të viteve ’60 e gjer te postmodernizmi e këtej, është kthyer e parë si qëllim në vetvete, rëndom në një farë ekzibicionizmi regjisorial që i ngjan fytyrës së Endemonit mbi pellgun e ndriçuar nga hëna, i habitur me pasqyrimin e saj dhe teksa matej ta prekte imazhi shthurej, sepse ishte kopja e kopjes. Afërmendsh se regjisori i ri Rijani e ka shndërruar në koncept të vetin këtë lloj eksperience, e shestuar gjerazi posaçërisht nga Grotovski me të ashtuquajturin “Teatri i varfër”, ku tipologjia e “skenës italiane” me podium të ngritur që ndante sallën nga skena privohej qëllimisht, rrjedhimisht publiku aty e rrethonte sheshin e veprimit skenik dhe nuk i kalonte të 80 vetët, rëndom 40 vetë. Rijani nuk u kënaq me “fytyrën” e tij të pasqyruar në pellg si Endemoni, prandaj dhe s’u “mbyt”. Shfaqja e tillë respektoi parimet e metodologjisë teatrore që përmenda më lart, andaj dhe kjo mënyrë e të luajturit fare pranë publikut i shtrëngoi aktorët që të ishin e të bëheshin sa më të vërtetë, që akti i përcjelljes së tekstit të shqiptuar prej tyre të ishte i brishtë, herë-herë gati brilant, pa “kërcitjet” dhe zmadhimet zanore e gjestikulore që kërkohen nga skena, e cila ka një distancë të ndjeshme nga salla. Këtë shfaqja “Kapitulli i dytë” duket se e mbërriti edhe në festivalin e Strugës “K’tu fest”, gusht 2014 apo atë të Korçës e Elbasanit së fundi. Urime pra regjisorit të ri, puna dhe fati i priftë në të tjera shfaqje!

Por unë dua të flas paksa më shumë për një aktor të njohur korçar, ikur si shumëkush në fillim të viteve ’90 në kurbet, në Selanik, 20 vjet gati i harruar nga rrjedha e pamëshirshme e kohës dhe mungesa e pranisë në skenë, por që fatmirësisht për publikun korçar e më gjerë, si dhe për lezet të tij, ja ku ai bujti në këtë shfaqje të suksesshme shi në rolin kryesor, atë të Xhorxhit. Është Sotiraq Bratko. Sa bukur! Nuk i kishte harruar instinktet ky artist. Ato u rizgjuan dhe tok me përvojën e hershme, fryt i asaj shkolle aktoriale shqiptare, le ta quajmë tashmë e “traditës” më të mirë. Brodhi e brodhi viseve tutje teatrit e artit, por u kthye më në fund në prehrin e të Atit, – Teatrit të korçës, – si ai djaloshi plëngprishës i pikturës së famshme të Rjepinit. Se në fakt shtëpia e tij është arti, skena, teatri. Sotiraqi na qëndisi një karakter njerëzor lëkundur në dallgët e kundërshtive, luhatjeve, dilemave, siç njeriu i ngratë, në bulbin e vet ontologjik, gjendet herë pas here përballë situatash të jashtëzakonshme. Ka pasur ky njeri një martesë të lumtur dikur, përfunduar me tragjedi: vdekjen e gruas që e dashuronte me shpirt. I duhet të rifilloj jetën, një dashuri e re ka lindur, por gembi i shpirtit në gjelbërim e sipër lëngon nga stepja dhe frika e të panjohurës përballë të dashurës së re, me të cilën martohet “sa hap e mbyll sytë” dhe i duhet të kaloj pjesën e mbetur të jetës, pra “kapitullin e dytë”. Sotiraqi gjithë dyshimet, ngurrimet dhe lëkundjet e tij na i dha si ajo varka e vogël në valët e mëdha: beso e mos beso, ec e kthehu, nxitu e frenohu, guxo e trembu! Kjo luhatje emocionesh thuajse lirike jo se u poetizua nga aktori, por rrëmimi në humbellat psikike ku dy kahet e mësipërme kërleshen, sipas meje, i dhanë edhe tonin, madje krijuan stilin e jetësimit të rolit e gjer të shfaqjes krejt. Ai nuk shtirej, as bërtiste. E “hante” batutën përbrenda, siç ia hante shpirtin brenga e tortura për t’u shkëputur nga nostalgjia e hershme e një dashurie fisnike e të bukur, për të nisur një tjetër dashuri, një jetë të re. Por Sotiraqi nuk do t’ia kishte mbërritur dot apogjeut të vet nëse bri tij nuk do të frymonte loja pasionale, e një logjike aktoriale gati të hekurt e Zamira Kitës, kjo aktore e shquar e teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës, e cila dukej se i jepte krah aktorit tonë në aventurën dhe fluturimin e përbashkët prej Dedali drejt qiellit ku jeta e re i bujt në strehë, i mirëseardhë. Të dy ishin bukur mirë të lidhur, me një dëgjim e shikim që nxiste e nxitej reciprokisht. Apologjia e dashurisë së Xhenit në pjesën e fundit u luajt plot temperament nga Zamira, duke shënuar, s’do mend, kulmin e lojës së saj, sikurse Bratkua, ani pse pati një shpërthim përtej ritmit të tij “gjenetik”, gjithsesi ishte si ai vargmali ku majat vijnë njëra pas tjetrës dhe të tëra krijojnë një lartësi që veçse na bën të kënaqemi prej interpretimit.

Mund ta mbyllja edhe këtu këtë shkrim, por nuk do të ishte e hijshme nga ana ime që mos të flas edhe për dy të rinjtë, ish studentë të mi, të cilët më falën kënaqësinë e “udhës së hapur”, ku të tjera porta e të tjera holle artistike i presin nesër. Vrujoi mes energjisë dhe temperamentit aktorja e re Blerta Belliu, por mbase mund të kujdesej për ca më shumë ngjyrë e poezi (të “fshehur” pas kinse vrazhdësisë dhe zemërimit), sikurse Mateus Froku, i suksesshëm edhe si këngëtar, na dha një burrë simpatik, plot dashuri për të vëllanë, por edhe një “dashnor” në hall me gruan e vet, prandaj dhe në gjysmërrugë, i shqetësuar. Por edhe ai, pa më keqkuptuar, mund të tregohej paksa më “dinak” që gjërat e tepërta, ndonjëherë të përsëritura si gjeste, sikurse edhe kubatura ritmike jo fort e “variueshme”, të dyja mund t’i shoshte a t’i begatonte falë një zhbirilimi më të thellë në arsyen se pse raporti martesor mes tij dhe të shoqes gjendet befasisht në krizë dhe pse tinëzisht ai po konsumohet nga përditësia lodhëse dhe rutina.

Të tjera shfaqje të bukura pafshim nga ty Rijani, të tjera role të mirëpritura nga ju zonja Zamira, rrugë të gjera nesër Mateo dhe…, ndërsa për ty, miku im, Sotiraq, një përshëndetje alla shqiptarçe: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde! Qoftë i bukur ky “kapitull i dytë”!…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency