Atentati/ Vlorë, atentat për të tretën herë biznesmenit të ndërtimit

0
226

Arben Veliko bëhet sërish pre e atentateve me armë, frikë nga eliminimi, largimi i autorëve dhe kërkesa drejtuar autoriteteve për mbrojtje

policia vlore 2Biznesmeni i ndërtimit në Vlorë, Arben Veliko, është bërë për herë të tretë pre e atentateve me armë. Ngjarja e fundit kundër tij është shënuar mbrëmjen e së martës në orën 23:00, pranë Bashkisë së Vlorës. Rreth dy muaj më parë, biznesmeni Arben Veliko mbeti i plagosur si pasojë e një atentati të mirorganizuar kundër tij. Dëshmitarë të vendit të ngjarjes së fundit i pohuan policisë se pasi kanë dëgjuar të shtënat e armëve janë afruar dhe kanë parë me sytë e tyre biznesmenin të tmerruar. Të njëjtat burime janë shprehur se Arben Veliko ka qenë i vetëm në makinë në momentin e atentatit. Ai është qëlluar në ecje nga një automjet paralelisht me të. Nga goditja me armë mësohet se është prekur vetëm automjeti i tij. Pasi u shpëtoi plumbave, biznesmeni ka vazhduar rrugën pa u ndalur dhe, sipas dëshmitarëve, është futur në rrugën “Partizani”. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nuk mundi të ndalonte autorët, të cilët janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Në komunikatën e saj zyrtare, policia e Vlorës shprehet se është organizuar menjëherë, duke ngritur postblloqe në të gjitha rrugët kyçe të qytetit, por për fat të keq ende nuk ka mundur të identifikojë dhe ndalojë atentatorët. Një tjetër enigmë e cila e ndjek policinë është edhe numri i personave që kanë qenë në makinën nga ku u qëllua biznesmeni Arben Veliko.

 

Atentatet

Ndaj biznesmenit të njohur të ndërtimit në qytetin bregdetar janë shënuar edhe dy atentate të tjera, përveç atij të mbrëmjes së të martës. Arben Veliko nuk është emër i panjohur për policinë. Në vitin 2010, biznesmeni Arben Veliko dhe vëllai i tij, Rolandi, u bënë objektiv i një atentati me shpërthim të telekomanduar. Sasia e eksplozivit ishte vendosur poshtë automjetit të tyre. Në atë periudhë, shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa dy vëllezërit i shpëtuan për mrekulli atentatit mafioz. Atentati i dytë është shënuar në datë 1 shtator të këtij viti. Biznesmeni u qëllua me armë automatike dy herë nga persona të paidentifikuar në afërsi të stadiumit “Flamurtari”. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, Veliko mori një plumb në këmbë dhe një në bark. Më pas ai u dërgua në spitalin e Vlorës, ku pas një ndërhyrjeje kirurgjikale mundi të mbijetonte. Por duket se hakmarrja e personave që tentojnë ta eliminojnë është tepër e madhe. Paralajmërimet e atentateve të vazhdueshme ndaj tij nuk e kanë bindur Policinë e Shtetit të intensifikojë veprimet me qëllim kapjen e autorëve, të cilët, me sa duket, kanë hapësirën e duhur për të vepruar të qetë.

 

Pistat

Ndërsa policia ende nuk ka të dhëna për identitetin e personave që kanë organizuar atentatet ndaj biznesmenit, emri i tij duket se nuk është i panjohur për drejtësinë. Arben Veliko, sipas informacioneve të Policisë së Shtetit, rezulton të jetë i përfshirë në listat e personave të implikuar në trafikun e lëndës narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë. Kjo mendohet të jetë njëra nga pistat mbi të cilat është përqendruar hetimi i strukturave të Policisë së Shtetit. Në vitin 2008 Veliko u arrestua, pasi akuzohej se në bashkëpunim me persona të tjerë kishte trafikuar 11 kg heroinë drejt shtetit fqinj Itali. Pas kësaj faze, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënon shtetasin Veliko me 8 vite burg. Por biznesmeni i ndërtimit arrin të marrë pafajësi në Gjykatën e Lartë për veprën penale të trafikut të drogës, duke u dënuar me 6 muaj burg vetëm për armëmbajtje pa leje. Pas këtij momenti ai nisi sërish aktivitetin. Por duket se hakmarrja kundër tij nuk kishte përfunduar. E ndërsa atentatet ndaj Velikos vazhdojnë të jenë prezentë që prej vitit 2008, policia nga ana tjetër nuk ka asnjë person të skeduar si i dyshuar për kryerjen e ngjarjeve të rënda.

 

 Procesi/ Shtyhet gjyqi kundër kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika

Shtyhet gjyqi ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohet për falsifikimin e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së. Shkak për shtyrjen e seancës së djeshme ku pritej të shpallej vendimi është bërë vdekja katër ditë më parë e një prej të pandehurve të këtij procesi, Gëzim Feta. Për këtë të pandehur Prokuroria kishte kërkuar dënimin me dy vite burg, ndërsa dje avokati mbrojtës paraqiti certifikatën e vdekjes. Hetimi ndaj kryebashkiakut Gjika nisi në muajin shkurt të këtij viti, pasi Prokuroria e Vlorës e akuzoi se nën cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së, në bazë të të cilave u janë dhënë leje ndërtimi disa shtetasve bashkëpronarë dhe një shoqërie ndërtimi. Prokuroria kërkoi dënimin e kryebashkiakut Gjika me tri vite burg dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrave publike për pesë vite me radhë.

 

 Arresti/ Abuzoi me lejet e ndërtimit, arrest me burg për ish-drejtorin e Urbanistikës Himarë

 Gjykata e Vlorës vendosi masën e arrestit me burg për ish-drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë e Himarës, Nikollaq Capi. Ky i fundit dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur funksionin e drejtorit të zyrës së Urbanistikës, ka lëshuar leje ndërtimi të paligjshme. Abuzimet ndaj të dyshuarit Nikollaq Capi dolën në dritë pas një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Bëhet me dije se për të arritur në këtë përfundim hetime janë kryer edhe nga organi i Prokurorisë në kuadër të operacioneve për pastrimin e zonave bregdetare. Burime nga Gjykata e Vlorës pohojnë se task-forca për ndërtimet pa leje ngritur në fillim të shtatorit pranë prokurorisë së Vlorës, ka kryer hetime të vazhdueshme për të konstatuar shkeljet e kryera nga ish zyrtarët dhe nga ata që janë në detyrë me lejet e ndërtimit. Gjatë seancës për dhënien e masës së arrestit i pandehuri mësohet se ka kundërshtuar akuzën duke e konsideruar atë të montuar politikisht.

 

Elbasan/ Aksident në Elbasan, dy të vdekur dhe tre të plagosur

 Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e djeshme në Belsh të Elbasanit. Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë si pasojë e një aksidenti që ndodhi mesditën e djeshme në segmentin rrugor Belsh – Dragot. Makina e tipit “Fiat”, me targa EL 20 28 C, doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të 2 pasagjerëve dhe plagosjen e 3 të tjerëve. Mësohet se dy viktimat janë Jani Baku dhe Anxhela Buzani, e cila ndërroi jetë gjatë transportimit për në spitalin e Elbasanit. Ndërsa të aksidentuarit janë Dhimitër Buzani, bashkëshort i viktimës, dhe fëmija i tyre i mitur, me iniciale L. S. Të aksidentuarit u dërguan në spitalin e Elbasanit ku morën mjekimin e parë. Kurse drejtuesi i automjetit, Indrit Buzani, është dërguar në spitalin e Tiranës për një mjekim më të specializuar. Mjeti po udhëtonte nga fshati Gradishtë në një segment të drejtë në segmentin rrugor Belsh – Dragot, por rrugës makina humbi kontrollin duke përfunduar në kanal. Pas dërgimit në spital për mjekim të specializuar, mjekët konfirmojnë se gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë.