A do të dënohen thirrjet raciste të serbëve?

0
151

Beograd-2Në nenin 16 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s, thuhet se klubet dhe federatat pritëse janë përgjegjëse në fushë, përreth stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ata janë përgjegjës për çdo incident të mundshëm dhe objekt i hetimit disiplinor, vetëm në rast se ata arrijnë të provojnë se nuk e anashkaluan dhe neglizhuan për asnjë çast organizimin e ndeshjes. Kjo i heq Federatës Shqiptare peshën e konspiracionit se ka qenë atë që kanë ngritur këtë provokacion.

 

Po koret raciste?

Bën çudi fakti që UEFA nuk ka deklaruar se do të marrë në hetim koret raciste kumbuese të serbëve ndaj skuadrës sonë, as dhunën e ushtruar ndaj katër lojtarëve kuqezinj brenda fushës së blertë, por edhe në tunelin e stadiumit. Edhe pse racizmi serb ishte më shumë se i qartë, pasi u vërejt një orë para ndeshjes dhe deri në ndërprerje të lojës, përsëri duket se UEFA nuk do ta hetojë këtë gjë. Sakaq, hetohet kombëtarja shqiptare për mosvijim të ndeshjes, ndërkohë që ishte vetë arbitri anglez, Atkinson, ai që e ndërpreu, duke urdhëruar lojtarët të futeshin në dhomat e zhveshjes për shkak të dhunës që pllakosi në fushë. Gjë tjetër që pretendohet më së shumti nga serbët është fakti se dhuna u provokua nga flamuri, ndërkohë që për hir të së vërtetës ndeshja nuk u ndërpre, për shkak të flamurit, por për dhunën që pllakosi nga veprimet e vendësve. Gjithsesi, të gjitha këto do të mund të merren në shqyrtim nga UEFA në rast se FSHF-ja do t’i reklamojë në Komisionin e Disiplinës. Në këtë rast, do të futet në lojë neni 21, i cili ndëshkon Serbinë me humbje ndeshjesh në tavolinë.

Deklarata e UEFA – Dhuna shpërtheu pasi një avion i telekomanduar, ku varej një flamur shqiptar, u lëshua mbi fushën e blertë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes. Një lojtar serb e mori flamurin, ndërsa kolegët e tij shqiptarë u përpoqën për ta mbrojtur atë, dhe loja u ndërpre para se të mbaronte pjesa e parë, gjatë kohës së kaosit në stadium. Rasti u vlerësua shpejt nga njësia disiplinore e UEFA-s, që të mërkurën, fill pas marrjes së raporteve nga delegati, zyrtarët e ndeshjes dhe ata të sigurisë.

 

HETIMI I UEFA-S

Federata Serbe hetohet për:

1) Hedhje të fishekzjarrëve dhe flakadanëve sipas nenit 16/ 2b dhe c

2) Prishje të rendit publik sipas nenit 16, pika 2 h

3) Invadim i fushës nga tifozët, sipas nenit 16 pika 2 a

4) Mosmarrje të masave organizative sipas nenit 16 pika 1

5) Përdorim të lazerit sipas nenit 16, pika 2 d

 

Shqiptarët hetohen për:

1) Refuzim të vijimit të ndeshjes, sipas nenit 27 pika 1

2) Shpalosje të banerit sipas nenit 16, pika 2 e

 

Nenet që përcaktojnë përgjegjësinë për sigurinë e ndeshjes dhe sanksionet

 

NENI 16, RREGULLI DHE SIGURIA NË KOMPETICIONET E UEFA-S

Klubet dhe federata pritëse janë përgjegjëse në fushë, përreth stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ata janë përgjegjës për çdo incident të mundshëm dhe objekt i hetimit disiplinor, vetëm në rast se ata arrijnë të provojnë se ata nuk e anashkaluan dhe neglizhuan për asnjë çast organizimin e ndeshjes.

Sakaq, të gjitha klubet dhe federata janë përgjegjëse edhe për sjelljen e tifozëve dhe mund të jenë objekt i një hetimi/mase disiplinore, edhe nëse provojnë se ata nuk neglizhuan në asnjë moment organizimin e ndeshjes:

  1. a) invadim ose tentim për invadim të fushës
  2. b) hedhje të objekteve
  3. c) hedhje të fishekzjarrëve ose flakadanëve
  4. d) përdorim të lazerit ose objekteve të këtij lloji
  5. e) përdorim i gjesteve, fjalëve, objekteve ose të të gjitha mjeteve të tjera për të dhënë mesazhe, të cilat nuk janë sportive, ose në veçanti mesazhe që përmbajnë fyerje politike, të besimit, ideologjike, ose të natyrës provokuese
  6. f) akte të dhunshme
  7. g) përdhosje të nacionalitetit dhe simboleve
  8. h) çfarëdolloj problemi që mund të shkaktohet përreth stadiumit

 

NENI 21, NDESHJA NË TAVOLINË

“Nëse një ndeshje nuk mund të luhet ose nuk arrin që të përmbyllet (ndërpritet), atëherë përgjegjëse është federata ose klubi vendës”. Ndërsa në pikën 4 të këtij neni thuhet: “Klubi humbet ndeshjen 0-3 në tavolinë vetëm nëse takimi është fituar nga më shumë se 3-0”.