Sonila Mesareja
Krimet e Rënda/ Akuzat për 2 vrasje dhe 3 atentate, bashkë me Sinanajn edhe gjashtë të pandehur të tjerë në gjyq
Mbyllen hetimet për një nga dosjet më të bujshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, siç është etiketuar në kohën e arrestimeve, “bandën” e tritoleve dhe vrasjeve me pagesë. Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj 7 të pandehurve, të akuzuar për dy vrasje dhe 3 atentate, dy prej të cilëve me eksploziv në Vlorës dhe Tiranë. Për këto ngjarje janë nën akuzë i cilësuari i vrasës me pagesë Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona i cilësuar si ndihmës i Sinanajt dhe personi që gjente mjetet dhe armët me të cilat kryheshin ekzekutimet. Pse jo, edhe personi që zbuloi bandën dhe tashmë figuron me status mbrojtjeje. Për akuzën e sigurimit të armëve me të cilat kryheshin ekzekutimet gjykohet edhe Alban Mexhaj, i cili dyshohet se i ka shitur dy pistoleta Julian Sinanajt. Ndërkohë që si porositës të vrasjeve dyshohet se janë dy kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj. Po për këtë rol do të gjykohet edhe biznesmeni i hidrokarbureve Ilir Karçini dhe i arrestuari Marjon Mitro. Mbi 7 të pandehurit e këtij grupi rëndojnë 10 akuza, disa prej të cilave janë “Grup i strukturuar kriminal”, “Akte terroriste”, “Akte terroriste të mbetur në tentativë”, “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”, “Sigurimit të kushteve për kryerjen e një krimi”.
Ngjarjet për të cilat akuzohet grupi
Dosja voluminoze tashmë është dorëzuar nga grupi hetimor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila në ditët në vijim pritet të hedhë atë në short për të përcaktuar trupën gjyqësore që do ta gjykojë. Në dosje hidhet dritë mbi akuzat dhe mënyrën sesi policia ra në gjurmë të tyre. Sipas akuzës, gjithçka nisi pas konfliktit mes vrasësit me pagesë Julian Sinanaj dhe ndihmësit të tij Ndriçim Gjokona. Ky i fundit, nga frika e ekzekutimit, kërkoi ndihmë nga policia duke rrëfyer ngjarjet ku ishte përfshirë. Gjatë dëshmisë, Gjokona tregoi edhe planin e radhës së Julian Sinanaj për të vrare një biznesmen gazi në Tiranë. Ishte kjo dëshmi që çoi policinë në arrestimin e Sinanajt, pak para se të kryente ekzekutimin e radhës në janar të këtij viti. Pas prangosjes, Sinanaj pranoi të flasë për akuzën, duke zbardhur disa nga veprat e pazbuluara, të cilat i kishte bërë me porosi të personave që u arrestuan më pas. Madje, hodhi dritë edhe mbi porositësin e krimit për të cilin u ndalua në kohë, pasi ishte paguar të vriste një biznesmen hidrokarburesh nga Durrësi.
Akuzat
Për ngjarjen e 26 gushtit 2012, në Orikum, të vrasjes së Sokol Veizit, do të gjykohet Julian SInanaj si vrasës dhe Ndriçim Gjokona si ndihmës. Sipas akuzës, porositës është Andon Mëhillaj. Për këtë vrasje, Mëhillaj, i kishte premtuar Sinanajt një sipërfaqe prej 1500 m2 tokë në Orikum, por pas vrasjes i kishin dhënë një apartament 60 m2 në Orikum. Gjithashtu, Julian Sinanaj do të gjykohet edhe si personi që vuri eksploziv në banesën e Ardian Kollozit, më 1 qershor 2013 në Vlorë. Për këtë ngjarje ai ishte paguar me 3 mijë euro nga dy kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj, por nuk dihen motivet e këtyre të fundit. Një tjetër krim është vrasja e biznesmenit Agron Çel, e ndodhur më 20 gusht 2013 në Vlorë, për të cilën sërish do të jetë nën akuzë Julian Sinanaj. Gjatë rrëfimeve të vetë Sinanaj mësohet se për këtë akt kriminal ka përfituar 35 mijë euro, të paguara nga Andon Mëhillaj. Po sipas akuzës, Julian Sinanaj do të përgjigjet edhe për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj shtetasit J.Metushi në Vlorë. Krim të cilin akuzohet se e ka porositur Marjon Mitro kundrejt shumës prej 20 mijë euro-sh. Sipas dosjes së akuzës, meqenëse Sinanaj nuk kishte pranuar ta kryente, Mitro i kishte kërkuar ndërtimin e një bombe me celular. Bombë e cila më 13 dhjetor 2013 u gjet poshtë makinës së ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Gjatë deklarimeve të tij, Mitro ka pretenduar se ishte ai personi që i kishte vendosur sasinë e tritolit ish-prefektit, pasi nuk e kishte ndihmuar për të mos i prishur parkingun e lokalit në Vlorë. I penduari i kësaj dosjeje dhe në të njëjtën kohë dora e mjaft krimeve dhe atentateve për fat pa viktima, Sinanaj, akuzohet edhe për vrasjen të mbetur në tentativë të biznesmenit të gazit Pirro Bare. Sipas akuzës, dy kushërinjtë Mëhillaj i kanë prezantuar biznesmenit të pandehur Ilir Karçini vrasësin Sinanaj, i cili ka marr përsipër vrasjen e biznesmenit Bare. Për kryerjen e kësaj vrasje Karçini kishte paguar 150 mijë euro, duke konsumuar veprën penale të “Sigurimit të kushteve për kryerjen e një krimi”. Por, dorëzimi i Gjokonës, bëri që policia të arrestoi Sinanajn më 25 janar 2014 vetëm pak metra larg biznesmenit Bare të cilin po e ndiqte për ta ekzekutuar. Të 7 të pandehurit e kësaj dosje, akuzohen për 10 vepra të rënda penale, si “grupi strukturuar kriminal”, “akte terroriste”, “akte terroriste të mbetur në tentativë”, “vrasjes me paramendim”, “vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”.
Të pandehurit
Julian Sinanaj, i akuzuar si vrasës me pagesë;
Ndriçim Gjokona, i akuzuar si ndihmës i Sinanajt dhe personi që gjente mjetet dhe armët me të cilat kryheshin ekzekutimet;
Alban Mexhaj, i akuzuar se i ka shitur dy pistoleta Julian Sinanajt;
Andon Mëhillaj, i akuzuar si porositës i krimeve;
Genis Mëhillaj, i akuzuar si porositës i krimeve;
Ilir Karçini, i akuzuar si porositës i një krimi;
Marjon Mitro, i akuzuar si porositës i krimeve.
Disa nga akuzat
“Grup i strukturuar kriminal”
“Akte terroriste”
“Akte terroriste të mbetur në tentativë”
“Vrasjes me paramendim”
“Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”
“Sigurimit të kushteve për kryerjen e një krimi”
Gjirokastër
Prangoset Arapi, dyshohet si posedues i sasisë prej 450 kg drogë
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një person, i cili akuzohet për trafik droge, pasi dyshohet se më 3 gusht të këtij viti po transportonte në mjetin e ndaluar nga policia 450 kg marijuanë. Sipas policisë nga provat shkencore te siguruara rezulton se G. Arapi është një prej autorëve të ngjarjes. Më 3 gusht 2014, Specialistet e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër gjatë një operacioni të zhvilluar në aksin rrugor Gjirokastër-Kordhocë bllokuan një furgon ku brenda tij kishte 8 fuçi plastike dhe disa thasë plasmasi ku brenda tyre kishte rreth 450 kg marijuanë, dhe dy kallashnikovë, ku autorët braktisën mjetin gjatë ndjekjes dhe mundën të largoheshin. Mësohet se policia po punon për kapjen e autorit tjetër. Por për arsye të vijueshmërisë së hetimit nuk bëjnë me dije gjeneralitetet e plota të tij.