Kukësi i rrëmben fitoren Flamurtarit, Skënderbeu rikthehet ndaj Vllaznisë

0
148

Kukesi

Verilindorët kanë mundur labët në një sfidë mjaft të rëndësishme për kreun e tabelës, ndërsa korçarët kanë vërtetuar që janë akoma të fortë, duke mundur shkodranët

 

Superliga Shqiptare ka hapur siparin e saj me dy nga sfidat e luajtura dje. Përballje mjaft të forta që vinin ekipe që ishin para sprovave të rëndësishme. Në njërën anë Kukësi-Flamurtari ishin në duelin për kryesuesin, ndërsa në krahun tjetër Skënderbeu duelonte me Vllazninë për të treguar që është akoma pretendent.

 

Kukësi-Flamurtari

Një ndeshje për t’u harruar për Flamurtarin transferta në Kukës. Kjo, pasi vendasit kanë arritur që të mposhtin edhe më lojë vlonjatët që janë larg formës së tyre të mirë. Barazimi ndaj Skënderbeut ishte një pikë me vlerë, por skuadra e Gjokës nuk ishte në formën e duhur ndaj kuksianëve. Të dyja skuadrat janë shoqëruar nga tonet e larta dhe kritikat nga ana e drejtuesve në adresë të stafit teknik, por edhe lojtarëve. Kjo u duk sikur ndikoi drejtpërdrejt në paraqitjen e formacioneve në fushë, sidomos në radhët e Kukësit, që falë dhe faktorit fushë u shfaq më i motivuar për marrjen e suksesit. Verilindorët ishin që në fillim të rrezikshëm me Hoxhën, por mundësinë e parë të vërtetë e patën në të 21-ën, kur Hysaj i vetëm përballë Likës nuk goditi siç duhet. Flamurtari u duk se e ndjeu presionin e Kukësit, që superioritetin në lojë e konkretizoi më në fund në minutën e 37-të, me anë të lojtarit më të diskutuar të javës, Erjon Dushku. Mbrojtësi, me një kthesë pa shumë pretendime në zonë, përfitoi nga një devijim i topit duke kaluar përpara të tijtë. Kukësi vazhdoi të ishte i rrezikshëm, dhe në minutën e 41-të, Pejiç realizoi një veprim të jashtëzakonshëm teknik, por në mënyrë po aq të jashtëzakonshme u kundërpërgjigj dhe Lika. Pejiç ishte i pafat dhe në të 45-ën, kur nga goditja e dënimit gjeti traversën. Pjesa e parë u mbyll 1-0 ndërsa dhe në fillimin e së dytë balancat nuk ndryshuan, me vendasit që ishin më të rrezikshëm përpara portës. Madje në minutën e 67-të, Kukësit iu anulua dhe një gol i Malotës. I rregullt ishte ai i minutës së 76-të, me Pejiçin, që shfrytëzoi një pasim të Musollit për të mposhtur për herë të dytë Likën. Ky gol duket se edhe vulosi takimin dhe i dha fund shpresave të Flamurtarit që nuk do të arrinte të bënte asgjë për të ndryshuar fatin e takimit.

 

Skënderbeu-Vllaznia

Skënderbeu fiton një trepikësh më shumë se të lehtë ndaj Vllaznisë, ndërkohë që shkodranët me lojën e djeshme në Korçë kanë treguar hapur se janë totalisht në krizë. Një “shëtitje” ose e thënë ndryshe një fitore si në një ndeshje miqësore mund të cilësohet trepikëshi i djeshëm i kampionëve përballë Vllaznisë që nuk e kishte mendjen aspak në fushë dhe kishte dekada që në Korçë nuk ishte parë një Vllaznia kaq e dobët. Trajneri Ranieri për shkodranët dje ka deklaruar nga Korça se nuk ka ndërmend që të largohet nga Vllaznia, pasi ka një kontratë me këtë skuadër dhe do ta respektojë, ndërkohë që e ka cilësuar humbjen më se normale, pasi tre gola të tijtë kanë pësuar nga skuadra më e mirë në kampionatin shqiptar. Nga ana tjetër korçarët ndjehen më të qetë pas kësaj fitoreje, pasi në fund të fundit janë rikthyer pas tre javëve pa fitore dhe u desh Vllaznia që korçarët të çlirohen, pasi kanë shënuar aq gola sa nuk kishin shënuar në asnjë ndeshje tjetër në këtë Superligë. Dje, mund të themi se bashkë me fitoren e Skënderbeut është çliruar edhe sulmi, teksa Peter shënoi golin e parë me fanellën korçare, ndërkohë që ka shënuar po për herë të parë edhe Dimo. Vangjeli ka shënuar supergol dhe korçari ka regjistruar golin e dytë me kampionët. Për nga rastet dhe mënyra e lojës Skënderbeu dje duhet të shënonte më shumë, pasi tre gola kanë qenë pak, por që e rëndësishme është që Skënderbeu më së fundi u rikthye te fitorja dhe me këtë trepikësh e sheh veten provizorisht në vendin e tretë, vetëm një pikë larg kreut, por që janë edhe tri ndeshje të tjera për t’u luajtur sot.

 

Pjesa e parë

Trajneri i Skënderbeut kishte zgjedhur një skemë tërësisht sulmuese, ndërkohë që befasoi paksa me zgjedhjet që kishte bërë, pasi kishte rreshtuar Ribajn në vend të Prognit në krahun e djathtë të mesit të fushës, ndërkohë që në sulm kishte hedhur dyshen e huaj, Martins, Peter. Me këtë reshtim qysh në momentet e para skuadra korçare është treguar e rrezikshme me kapitenin Shkëmbi në dy raste, ndërkohë që shkodranët nga ana e vet dukeshin edhe në fushë që ishin të rënë moralisht. Gjithsesi “ligjin” në fushë e bën Skënderbeu dhe pas disa momenteve të pastra, duhet të vinte vetëm minuta e 20-të që korçarët të kalonin në avantazh. Është Dimo që nuk gabon përballë portës së boshatisur dhe korçarët pas golit të shënuar çlirohen. Ribaj është lojtari që humbet dy raste të tjera pas shënimit të golit, ndërkohë që miqtë nga Shkodra janë kujtuar vetëm pas minutës së 34-t, që për pak sa nuk barazojnë me anë të Demës dhe Kruja, dy raste që janë shpërdoruar nga njëra anë, por që njëri prej tyre është ndalur nga Shehi. Nën temperatura të ulëta ka përfunduar pjesa e parë me avantazhin e vetëm një goli të korçarëve.

 

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë i ndeshjes nis pa zëvendësime nga të dy trajnerët, duke u besuar të njëjtëve futbollistë që patën rreshtuar qysh në fillim. Më të qetë janë kampionët në këtë fillim pjese, ndërkohë që pas disa aksioneve korçarët shënojnë edhe të dytin në të 58-ën minutë. Këtë herë është kapiteni Shkëmbi që nxjerr të lirë Peter që shënon golin e dytë të Skënderbeut dhe të parin të tij me fanellën bardhekuqe. Shkodranët dorëzohen pothuajse totalisht pas pësimit të golit të dytë dhe nuk gjejnë aspak forca të reagojnë, kjo edhe për meritë të mbrojtjes së rreshtuar më së miri të korçarëve. Por, nuk do të përfundonte kjo fitore pa një gol të Vangjelit, nga ato gola që di t’i shënojë vetëm mesfushori korçar dhe që arrin të shënojë në 9-të javë dy gola me fanellën bardhekuqe. Vërshëllima e fundit mezi është pritur nga të dy skuadrat dhe sigurisht që kjo fitore u ka vlejtur shumë korçarëve që janë gdhirë në vendin e tretë, por që ishte më shumë një fitore që ka rritur moralin e ekipit të Josës.

 

 

Shqiptarët, protestë para UEFA-s

Zemërimi i shqiptarëve për vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri vazhdon. Ishte paralajmëruar që pas vendimit të UEFA-s një protestë e shqiptarëve në selinë e qeverisë evropiane të futbollit, e cila është zhvilluar pa asnjë incident. Rreth 400 shqiptarë banues në Zvicër, por kishte edhe nga ata që kishin shkuar edhe nga shtete të tjera për të protestuar, qëndruan rreth 1 orë para selisë së UEFA-s për të kërkuar drejtësi pas vendimit që dënoi kombëtaren kuqezi me humbjen 3-0 në tavolinë. Shqiptarët mbanin në duar pankarta “Drejtësi dhe barazi”, “UEFA thuaj Jo racizmit”, por siç u lajmërua gjithçka u mbyll pa asnjë incident.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency