Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave
Kjo letër prek një nga pikat më nevralgjike për kohën, kur regjimi komunist po hynte drejt shtypjes së thellë të shqiptarëve, shpresat se mund të hiqej qafe ky regjim po shtereshin. Ky projekt kishte qysh më ’45 që zihej e organizohej nga partitë shqiptare që vazhduan organizimin në emigrim, por kurrë nuk arritën të ishin në unison edhe pse jo pak raste u është afruar ndihma e vendeve të Perëndimit për këtë situatë politike. Rasti më poshtë është krejt i qartë se si mërgata politike ishte e përçarë në grupe interesash, qoftë me vendet fqinje, por edhe me fuqitë e mëdha, që në këtë kohë mund të thuhet ishin nën revanshin komunizmit sovjet. Mustafa Kruja gjithë këtë panoramë ja tregon në letrën e ’52 priftit françeskan, i cili ashtu si edhe në letra të tjera bëhet një apoteozë historike në vështrimin jo diletant të historisë, por sigurisht duke mbetur në gjurmë subjektivizmi, pavarësisht objektivitetit. Kjo për shkak se kemi të bëjmë thjesht me letërkëmbime personale, dhe aspak me pretendime të shkrimit të historisë. Kështu në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Graz, me 17 gusht 1952
I dashuni mik,
Dje mora letren tande e mejherë po vêhem me t’u pergjegjë. Kso here po kufizohem krejt tue lypë sjegime mbi mbrendín e letres së djeshme.
Ti më njehë grupet e ndryshme në të cilat dahej mergata shqiptare që prej vjetës 1927. Të parin grup thue se e mbante Italija, të dytin e mbante Jugoslavija, atë të tretin- grupin komunist, e ka mbajtë sugurisht Rusija, por kush e ka mbajtë grupin e katërt, dmth. Komitetin e Kosovës? A thue edhe ktê Jugoslavija, apor Italija, a kush tjeter? Kishte me më interesue me dijtë se kush e mbante ket grupin e katert.
Më çuditë fakti qi Shkodra po na kenka me grupin e quejtun BASHKIMI KOMTAR të mbajtun prej Jugoslavís. Shkodra mâ fort se çdo krahinë tjeter i a ka pá sherrin boll Serbvet e me gjithkta, po na kenka mbajtë prej Jugoslavijet. Mue nuk më mbushet mendja ashtu krejt se Angjelin Suma ka kenë përfaqsues i Klerit katholik në grupin e mbajtun prej Jugoslavís. Ti e din se kleri katholik ka kenë i subsiduem qýsh me shkatrrim t’ Austro-Ungerís prej shtetit italjan, qi vshtirë do të kishte permetue questa scappatina të klerit katholik. Mue më duket se kleri katholik, kúr s’i jitëte tjeter veçse me zgjedhë ndermjet Jugoslavís e Italís, ka zgjedhë ket të dyten. Se ka pasë ndonji qi ka mbajtë krahin e Jugoslavís, atê e dij, por kryetarët e shumica e madhe janë mbajtë perherë me Italí, pse kjo edhe i suguronte jetesen klerit katholik.
Mâ pertej më thue ti në leter: “Kuptimtar fakti qi në këtë rasë, e vetmja personë përjashta me të cilën krahina e Shkodrës kishte ndiem nevojën me u kshilluem, qeshë un e as Suma jo qi, si thashë, ka kenë pernjimend përfaqsues i pohuem i t’Imzot Mjedës”. T’a dijsh, veç, se Emzot Mjeda ka pasë dekë me 8 korrik 1935 e qysh me vjeten 1936 âsht kenë arqipeshkev i Shkodrës Emzot Thaçi. Me shka dij vetë, Thaçi ka kenë mjaft anti-italjan, nemose mâ teper se Mjeda, i cili ka kenë nji karakter mâ i pagjët. Si të thashë dhe sypri veç, kleri katholik, edhe po pat kenë fort nacjonalist e per parim kundra çdo të huejit, prá edhe kundra Italís, në praktikë e zyrtarisht ka mbajtë perherë krahin e Italís. E kta jo vetem per arsye jeteset, por edhe pse ndermjet Belgradit e Romet âsht krejt e kollajtë zgjedhja per nji të klerit katholik. Mue më duket edhe se Angjelin Suma nuk âsht kenë fort i stimuem në Shkoder, dmth. ai nuk âsht kenë ashtu bash i zoti e prandej nuk e besoj as qi kleri katholik t’a két pasë vû uzdajen mbi nji personë krejt të parandsishme.
Per shka xjerri vetë prej letres s’ate, dán sikur vetem krahina e Shkodrës të két lëvizë nder kta muejt e para-prillit 1939. Nji herë vjen te ti Maliq Bushati, mâ vonë Nush Topalli. Po tjera krahina a nuk kanë çalltisë kurrsesi? Po Shefqet Verlaci a nuk âsht perzie aspak? A âsht e vertetë qi, si mbas fjalvet qi të paska pasë prû Maliq Bushati prej Shkodret, populli âsht kênë gati per revolucjon? A t’a merr mendja tý se me ndihmen e Italjâjve – armë e municjon e jo tjeter – do të kishin mujtë Shqiptarët me e rrzue Zogun?
“Dhe mora vesht se nder rrugat e Durrsit po luftohej” – kshtu shkruen ti. A âsht e vertetë se kanë luftue ndopak Shqiptarët? A vetem në Durrës kanë bâ Shqiptarët nji grimë kundershtim a por edhe nder limâjet tjera? Edhe mue më ka tokue rasa me ndie se shum qinda Italjâjsh kanë mbetë dekun në Durrës në diten e zhbarkimit të tyne, por me sugurí nuk mundem me e dijtë, pse ka edhe asish qi thonë se perveç disa gjendarmvet, kurrkush nuk ka bâ qindresë kundra Italjanve.
M’intereson me dijtë edhe punen e Zef Serreqit. Nji herë më ké pasë folë mbí ket punë, me gjithkta vetë, si edhe tjerët, mendoj se Zef Serreqi e ka trathtue Zogun. Edhe Maloki âsht ksi mendimit. Me të diftue të drejten, per nji shqiptár nuk âsht aspak burrní me tradhtue njerin, të cilit i ké hangër buken. Me kenë adjutant i Mbretit per sá e sá vjet e mandej me e lânë në baltë me nji tradhtí ksi soji, më duket mue se nuk hecë kurrsesi. Kishte mujtë me u shkëputë prej Zogut që me kohë e mos me ndêjë në shërbim të tij, per me e trathtue në ditën e ngushtë. Shka thue ti e si e mendon ti ket punë? A e kam vetë angllisht, apor jo?
Mue më duket se në të njajten situatë âsht kenë edhe Zef Kadarja, Sekretar i Pergjithshem në Ministrín e Mbrêndshme. A ka lujtë edhe ky pjesen e Zef Serreqit a jo?
Nji pyetje po t’a bâj të ré në ket leter e po marr shkas prap prej librecit të Chekrezit. Ky thotë kto fjalë: “Qysh n’atë kohë (Tetor 1941) ishte pëshpëritur se Anglija i a kishte premtuar Greqís krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, si shpërblim të qëndresës së popullit grek kundër Italisë fashiste dhe si protestë kundër qëndrimit dredharak të Zogut kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohën para shpalljes së luftës së dytë botërore”. Vetem pjesa e dytë e ksaj perjudhe m’intereson mue, dmth. “qendrimi dredharak i Zogut kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohen para shpalljes së luftës së dytë botërore”.
Mjerisht deri tash nuk kam pasë endè rasë me i kndue librat e Ciano-s. Ka dit u a kam vû sŷnin, por deri tash nuk më ka dalë me i shtî në dorë kta libra. Ti e din hallin t’êm e prandej nuk çuditesh qi vetë do të kursej çdo grosh.
Ti më thue në leter se nuk e din kúr do të merrish rrugen per Amerikë. Në letren e kalueme më pate thânë se në gusht do të kishe per të lânë Egjiptin. Sido kjoftë, kúr t’a dijsh me sugurí, tash më lajmon me kohë adresën e ré t’Amerikës.
Muhabeti i em maroj e po e mbylli tue t’urue shndet e të mira sa uji.
P.P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 5. IX. 1952
I dashtuni mik,
Grupi kosovar i mërgatës politike shqiptare 1924-1939, i cili quhej Komitet’i Kosovës, ishte irredentist, dmth kishte për programë haptas bashkimin e Kosovës me Shqipninë, pra s’kishte si me qênë i mbajtun prej Beligradit; mbahej prej Mosket, edhe ai, si grupi komunist.
Shkodra përfaqsohej në Bashkimin Kombtar pa dyshim prej Angjelin Sumës, n’emën të kishtarisë, e Xhemal Beg Bushatit. Ky grup ishte formue shumë vjet para dekës së Mjedes, pra konvalidim’ i përfaqsisë së Sumës me gojë prej këtij, sikurse t’a kam shkruem, s’ka pse vjen në kundrështim me dekën e tij. As nuk duhet me kërkuem nji kundrështim në këtë fakt me politikën zyrtare e direkte të kishtarisë katholike shqiptare, mbasi kjo mujte me e mohuem kurdoherë misjonin jo zyrtar qi i kishte ngarkuem Sumës. Tekembramja Suma kishte prej saj mâ tepër se nji misjon, nji auktorizim me folë e me vepruem për rrëzimin e regjimit të asokohshëm pa cenuem pavarsinë e tânsinë e vêndit dhe premtimin e përkrahjes së saj morale për atë qëllim. Me këtë rasë, duhet dijtun se në 1924 elementat mâ kryesorë t’asajë kishtarije kanë pasë dalë vetë përjashta e jetojshin në Romë, në mos gabofsha, edhe vetë Mjeda; me Fishtën e Marlaskajn-in kam qênë edhe un në përpjekje të dêndun. Si u kthyen këta në Shqipní, jitshin përjashta dy persona kryesore civile prej katholiqvet: Suma e Shuk Gurakuqi. Ky i dyti s’ishte fort persona grata për kishtarinë, me gjithë qi për moral, karakter e patrijotizëm kishte nji famë të meritueme shumë mâ të naltë se tjetri. Veçse kishte… nji të mêtë: ishte krejt nji copet e s’dinte me i bâmë lak kurrë as punës as fjalës me kêdo. Sidomos Fishta, qi ka pasun nji karakter mjaft despotik, s’e pelqente aspak, ndërsa Marlaskaji e çëmonte shumë e e donte, se ishin që të dy të premë prej nji stofet. Mb’anë tjetër, për shkak të karakterit të tij indipendent, as Shukut vetë s’i pëlqente me qênë nën urdhën të kuj. Modest e puntuer i palodhshëm, pat qênë pajtuem me rrogë si sekretar i Serreqit, nji kushrînit të Zefit, qi ishte komisjonar në Trieshtë. Angjelinin e kishte mik e e donte. Kështu, pra, qi si u kthyen vetë në Shqipní, prelatët t’anë, mbet përjashta Suma për me i përfaqsuem, me auktorizimin e tyne, në fushën politike të mërgimtarisë, ku, me arsye e për çdo eventualitet, nuk dojshin me qênë krejt dorjashtë. Në nji mbledhje krenësh të ksaj mërgimtarije aty shpejt, para se t’u dajshim ndër grupe, e mbaj mênd si sod, qe fjala për me zgjedhun disa vetë si nji farë kshilli a komiteti veprues; ishte n’atë mbledhje edhe Fishta, e mbasi ky me shokë nuk dojshin me u dukun faqe se po merrshin pjesë aktive në nji veprimtarí revolucjonare, duhej zgjedhun për n’atë komitet nji civil si përfaqsues i tyne ; dikush, kujtoj madje shi un vetë, përmêndi emnin e Gurakuqit; t’a kishe pamë se me ç’farë toni nervoz u përgjegj Fishta, qi ishte mbë kâmbë tue u endun nëpër odë: SUMA!
Sikur të kishin pasë ecun punët ashtu si qênë nisun e sikurse t’i kam tfilluem në letrën para ksaj, kam bindje të plotë se do të kishin dalë me fitim. E tânë Shqipnija do të kishte marrë pjesë në kryengritjet, në mos mbarë atypraty, së pakut me krahinat e saja mâ kryesoret. Me Krujë e Tiranë kam qênë vetë në kontakt me anën e t’im vëllá e t’im kunat, Juga ishte në kontakt me Bashkimin Kombtar, për Shkodrën, po e din. Ndër mjete qi na kishin premtue Italjanët, natyrisht ishin edhe të hollat. Por na të përjashtmit s’e kemi pasë quejtun këtê nji element kryesuer. Pështeteshim mâ tepër mbi gjêndjen shpirtnore qi mbretnonte aso kohe në Shqipní. Kudo qi peshonte mâ rândë parja se zêmra, e dijshim se do të punojshin Italjanët vetë. Sa për Verlacin qi po më pyet, ky ka pasun nji farë kontakti me B.K., por sidomos drejtpërdrejt me Italjanët.
Qëndresa e Shqipnisë, dmth. e qeverisë shqiptare, të lëshueme doret prej krejt botës, kundra Italjanëve, ka qênë, natyrisht, thjesht symbolike. Nuk mund t’ishte ndryshe. Mbretit asnji Pushtet i madh ase i vogël s’i pat dhânë as mâ të voglin premtim ndër hapat e tija pranë ambashatave ndër ato dit dramatike.
Mbas bindjes s’eme, Zef Serreqi ka tradhtuem. Nji avokat i mirë ndoshta do t’a shpëtonte përpara nji gjyqi. Un vetë, qi i njoh edhe të kaluemen e karakterin e qi kam kënduem edhe çka shkruen Ciano për tê, e dënoj pa tjetër. Parimet morale të shfaquna prej tejet me këtë rasë të Zefit, kanë qênë edhe të mijat gjithë jetën. Zef Kadarja s’mund të krahasohet me Zef Serreqin. Ai ka qênë funkcjonar i administratës shqiptare, funkcjonar Shteti. S’ka pra mâ tepër përgjegjsí se çdo funkcjonar tjetër i rangut të tij. Për t’i a bâmë shoq Serreqit, po deshe me i a gjetun nji tjetër : Mark Kodhelin, dritë pastë.
Gjykim’ i Çekrezit mbi politikën “dredharake të Mbretit kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohën para shpalljes së luftës”, s’ka as erën e historisë, ato janë thjesht fjalët, arbitrare, të nji kundrështari politik, për të cilin çdo rasë âsht e mirë për të rrëzuem tjetrin. Por s’po shkojmë mâ gjatë dersa Çekrezi t’a ketë lânë pretendimin e tij ashtu të thatë, pa asnjë fakt konkret. Kur të na paraqesë fakte, gjykojmë këto, e jo Çekrezin ase Mbretin.
Diario i Ciano-s sigurisht do të gjindet në biblijothekën e atyshme. Çudë si s’qënka interesuem Maloki me e pasun atë libër themeluer për kê deshiron me gjykuem politikën italjane kundrejt Shqipnisë prej 1937 deri në 1943!
Nëse kam me u nisun apo jo e kur për Amerikë s’e dij ende. Âsht e dijtun që kam me të lajmue me kohë.
Mbrênda muejit qi vjen ke për të marrë, tekembramja, nji libër t’emin, për të cilin Maloki me shokë kanë për të thânë, kur t’u bjerë në dorë: “Puell mali e bâni nji mi!” E ka titullin “Abetari i të Mërguemit”. S’âsht nevoja me u zgjatun mbi tê, mbasi kê për t’a kënduem së shpejti. TË LUTEM ME GJETUN E ME MË DËRGUEM ADRESËN E NDUE PALUCËS.
Ti a e ke blemë apo jo atë librin e ri gjermanisht qi më pate porositun mue? Në qoftë se po, si të ka dalë mbas këndimit? A ka mundsí me e blemë un aty tue i dërguem të hollat cingare Egjypti? Po qe se i gjindet mënyra këtij shkëmbimi, me më diftuem se çfarë cingaresh deshirohen: të buta fort, mesatare a të forta.
Me kaqë e me shumë shëndet
MKruja