Gëzim Saliu
Shkarkimi i Çefës dhe Lelçajt, PS përzgjedh si zëvendësues emra “politikë”. Nishani duhet të zgjedhë mes Çomos, Shtyllës dhe Kostës për emrin e ri të nënkryetarit të KLD-së
Vetëm katër ditë pas shkarkimit në Kuvend të Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Partia Socialiste mblodhi dje firmat e ligjvënësve të saj për dy emrat e rinj që do të propozohen në këto poste. Forca më e madhe e mazhorancës së majtë ka përzgjedhur emrat e Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës si kandidatët që do t’i propozohen për votim Kuvendit si anëtarë të rinj të KLD-së. Ndërkohë, sipas ndryshimeve të fundit të ligjit për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i takon Presidentit të propozojë nënkryetarin e ri të këtij institucioni, por duke përzgjedhur vetëm nga 3 anëtarët që janë zgjedhur nga Kuvendi. Në këto kushte, kreu i shtetit, Bujar Nishani, mund të zgjedhë vetëm mes emrave të Sokol Çomos, Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës si zëvendësues të Çefës.
Mbledhja
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, në qendër të diskutimit ishin dy çështje që, sipas mazhorancës së majtë, kanë emergjencë në zgjidhje. Kështu, burime pranë PS-së bënë të ditur se në mbledhje, kreu i qeverisë, Rama, pasi foli edhe një herë për masat e domosdoshme për ndëshkimin e atyre që vjedhin energjinë, ka theksuar se vetëm në këtë formë mund të ndryshojë situata në këtë sektor. Ndërkaq, pas mbylljes zyrtare të mbledhjes, kreu i qeverisë ka vazhduar takimin informal të grupit me ministrat Tahiri, Çuçi, Gjermeni, Harito, Felaj, Bushati si edhe deputetët Taulant Balla, Esmeralda Shkjau e Klodiana Spahiu. Mësohet se në qendër të diskutimit ishte pikërisht aksioni kombëtar kundër vjedhësve të energjisë elektrike. Ndërkaq, në mbledhjen e grupit parlamentar, në diskutimin e dy emrave të propozuar si anëtarë të KLD-së, mësohet se nuk ka pasur kundërshti, porse është theksuar nga ana tjetër se kandidatura e Kostës është kthyer mbrapsht nga demokratët kur ishin në qeverisje në 2010-ën. Dy emrat pritet të kalojnë edhe në Komisionin e Ligjeve për t’u votuar më pas në seancën parlamentare.
Kandidatët e propozuar
Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta janë dy emra të njohur në mjedisin politik në vend, e para si ish-anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e propozuar nga PS-ja dhe i dyti si një kandidaturë e rrëzuar me votë nga e djathta në vitin 2010. Kandidatura e Kostës u propozua nga ish-presidenti Bamir Topi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por e djathta e rrëzoi atë në një votim me 66 vota kundër, 7 pro dhe 2 abstenim, vendim i cili pati kundërshti nga ambasadori amerikan i asaj kohe në vend, Withers. Ky i fundit hodhi dyshime për përpjekje të politikës për të kontrolluar përzgjedhjen e gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese. Përkatësisht, Kosta u sulmua nga Partia Demokratike si një nga gjyqtarët që kanë dhënë vendime në favor të regjimit të diktaturës para viteve `90. Sipas argumentit të dhënë nga PD-ja në atë kohë, Kosta kishte ushtruar detyrën e gjyqtarit në kohën e diktaturës, duke marrë vendime në dëm të të dënuarve politikë. Kryesisht, akuzat e demokratëve u referoheshin viteve 1989-1990. Ndërsa kandidatura e Albana Shtyllës, aktualisht sekretare e Përgjithshme e Kuvendit, njihet pasi para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2013-ës së bashku me dy anëtarë të tjerë të KQZ-së dha dorëheqjen nga posti i anëtares së institucionit kryesor zgjedhor, pas vendimit të mazhorancës së kaluar për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja Ilirjan Muho me anëtarin e propozuar nga PR. Kjo situatë e para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit vazhdon edhe sot në të njëjtën formë, ku KQZ-ja funksionon me vetëm katër anëtarë.
Komisionet hetimore/ PS vendos ngritjen e tyre, nënkryetar për te tatimet Klosi, tek administrata Taulant Balla
Ndërkaq në mbledhjen e djeshme të grupit të PS është vendosur gjithashtu që të ngrihen dy komisionet hetimore të kërkuara nga PD, të votuara seancën e kaluar parlamentare nga mazhoranca e majtë. Komisioni për serverin e tatimeve do të ketë si nënkryetar të përzgjedhur nga PS deputetin Blendi Klosi, pasi kryetari në të dyja komisionet do t’i takojë opozitës, e cila është edhe ajo që ka bërë kërkesën për ngritjen e tyre rreth 9 muaj më parë. Ndërsa për emërimet në administratë, nënkryetar i socialistëve do të jetë Taulant Balla. Në këto kushte funksionimi i këtyre komisioneve do të varet nga kthimi ose jo i opozitës në Kuvend, ku PD ka bërë të qartë se kjo do të ndodhë vetëm nëse marrëveshja mes palëve do të kryhet me garancinë e ndërkombëtarëve.
Në selinë e PS-së/ Turma e qytetarëve shtyn me 1 orë konferencën e Bushatit, prisnin Ramën
Ashtu si në çdo mbledhje grupi të Partisë Socialiste, sidomos në rastet kur drejtohet nga Kryeministri Rama, selia e Partisë Socialiste ishte e tejmbushur nga militantët partiakë si edhe qytetarë të ndryshëm. Me kërkesën kryesore për punësim, ata kishin mbushur dje hollin e selisë së purpurt, duke pritur që në mbyllje të mbledhjes të zhvillonin takimet e përcaktuara me ministrat apo deputetët e PS-së. Por ndërsa mbledhja zyrtare nuk zgjati më shumë se 20 minuta, vazhdimi i saj në formë informale nga Rama me një pjesë të ministrave dhe ligjvënësve socialistë detyroi qytetarët që të prisnin më shumë se një orë në katin e parë të ndërtesës së PS-së. Kjo gjendje detyroi njëkohësisht që edhe konferenca e Ervin Bushatit që lidhej me aksionin e INUK-ut për prishjet pa leje të shtyhej thuajse me një orë, pasi militantët u larguan nga selia vetëm kur kryeministri Rama së bashku me grupin që zhvilloi bisedimet zbritën shkallët e selisë për tu larguar më pas. Në hollin e poshtëm, kreu i qeverisë vetëm sa përshëndeti disa nga qytetarët që prisnin, por nuk ndaloi të bisedonte me ta, duke ua lënë këtë detyrë personave të përcaktuar nga PS-ja.