“Nëse Ministria e Arsimit kërkon të rritë tarifën, të na lajmërojë një vit përpara, pasi nuk kemi mundësi që të paguajmë 300 mijë lekë kur të regjistrohemi”
Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës protestuan dje për rritjen e tarifave të studimit dhe për kriterin e mesatares të vendosur nga Ministria e Arsimit për programet e studimit në master. Studentët kanë bllokuar për disa momente hyrjen e pedagogëve në ambientet e brendshme të Universitetit. “Vetëm një javë përpara fillimit të Universitetit në thonë që tarifa do të jetë më e lartë dhe për më tepër duhet të paguajmë 30% të tarifës në momentin e regjistrimit. Nëse Ministria e Arsimit kërkon të rritë tarifën, të na lajmërojë një vit përpara, pasi nuk mundësi që të paguajmë 300 mijë lekë kur të regjistrohemi”, – shprehet një nga studentët. “Na kërkojnë të paguajmë më shumë, na thonë dhe që të paguajmë një pjesë të lekëve që në fillim dhe vendosin që të aplikojnë vetëm ata me mesatare mbi 6. Por duhet t’i kujtojmë Ministrisë së Arsimit që në Universitetin Politeknik jo të gjithë marrin nota 10 si në universitete private, prandaj duhet të hiqet kriteri i mesatares, përndryshe ne do të protestojmë çdo ditë”, – thekson një tjetër student.
Protesta
Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, në datën 15.10.2014 (është botuar ditën e djeshme dhe në “Fletoren zyrtare”), u përcaktua se për të vazhduar studimet master, duket të kesh mesatare mbi 6, jo vetëm gjatë 3 viteve të studimit në nivelin bachelor, por edhe gjatë viteve të gjimnazit. Pikërisht kjo masë është cilësuar nga studentët si absurde dhe si një barrierë e pakalueshme për të vazhduar studimet e ciklit të dytë. Ndërkohë Këshilli Studentor i UP-së, i ka kujtuar Ministrisë së Arsimit se ka rritur tarifat për programet e masterit me 34%, gjithashtu është vendosur dhe një pagesë e lartë për provimet e mbartura në vjeshtë
Reagimi
Menjëherë pas protestës së studentëve ka reaguar dhe rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, i cili ka deklaruar se Ministria e Arsimit do të rishikojë kriteret për pranimin e studentëve, ku, ashtu siç edhe kërkohet, nota mesatare nuk do të merret parasysh. Lidhur me rritjen e tarifave të masterit, rektori i UP-s theksoi se duhet pasur parasysh se ato janë rritur pak krahasuar me universitetet private, ku diferenca është e madhe. Po ashtu, rektori përmendi se kriteret e pranimit duhet të jenë të qarta që në fillim dhe jo pasi ka nisur viti i ri akademik. Ndërkohë, Ministria e Arsimit shprehet se nuk do të ndryshoj kuotat për programet e rregullta, por vetëm të programeve të cilat do të rihapen. Ndërsa për rritjen e tarifës së studimit, zv.ministri i Arsimit, Arjan Mazniku, pranoi se tarifa është rritur, por universitetet bënë propozime për rritje më të lartë.
Mjekësia, ulen kreditet për të kaluar në vitin pasardhës
Rektorati i Universitetit të Mjekësisë ka miratuar një vendim për uljen e nivelit të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës. “Në bazë të vendimit të marrë në mbledhjen e Rektoratit, më datë 24.10.2014, për t’i ardhur në ndihmë një grupi studentësh që për një numër të kufizuar kreditesh do shpalleshin përsëritës, Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë informon studentët, si më poshtë: Në Mbledhjen e Rektoratit, datë 24.10.2014, u vendos: Për studentët nga viti i parë deri në vitin e parafundit në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, kriteri i kalimit në vitin pasardhës akademik ulet me 7 kredite. Për studentët të cilët kalojnë në vitin e fundit të studimeve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë kriteri i kalimit ulet me 10 kredite. Këto ndryshime aplikohen për vitin akademik 2014-2015”, – thuhet në një njoftim të Universitetit të Mjekësisë.
Studentët e privatit, shtyhet afati i regjistrimit
Ministria e Arsimit ka shtyrë për të tretën herë datat e regjistrimit për studentët që vijnë nga universitete private, të cilat u është hequr licenca. “Komisionet e vlerësimit dhe të ekuivalentimit të ngritur pranë IAL-ve publike kryejnë vlerësimin dhe ekuivalentimin e dosjeve të kandidatëve që rezultojnë të rregullta me qëllim ekuivalentimin e rezultateve individuale të secilit prej studentëve ndjekës së programeve përkatëse të studimit në IAL-të private, të cilave u është hequr licenca, deri në orën 12:00 të datës 5 nëntor 2014. Ekuivalentimi individual bëhet duke u bazuar në ekuivalentimin paraprak për çdo program studimi. Dekanatet e fakulteteve duhet të shpallin deri në datën 5 nëntor 2014 kreditet e ekuivalentuara, detyrimet dhe lëndët e pashlyera si dhe vitin në të cilin transferohet. Nga data 5 deri më 11 nëntor bëhet regjistrimi i studentëve pranë sekretarive të fakulteteve”, – përcakton udhëzimi i MAS-it. Gjithashtu, në momentin e regjistrimit, paguhet edhe tarifa e studimit, e cila nuk kthehet, në rast se student braktis programin e studimit.
Kuotat për shtresat në nevojë/ Invalidët, të verbrit dhe romët, nesër nis intervista përpara komisionit
Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se nesër do të nisin intervistat për të gjithë kandidatët me statusin e të verbrit, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit, romët dhe ballkano-egjiptianët, që kanë aplikuar për të përfituar nga kuotat e veçanta, në institucionet e arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë. “Kandidatët duhet të paraqiten në MAS në datën 29.10.2014, ora 09:30, për të zhvilluar intervistën në zbatim të udhëzimit nr. 34, datë 30.9.2014 “Për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe regjistrimit për kandidatët me statusin e të verbrit, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit, si dhe romët dhe ballkano-egjiptianët, në programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2014 – 2015”, – i ndryshuar. Intervista do të zhvillohet nga komisioni i posaçëm i ngritur me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të MAS.