Ervin Kaduku
– Qeveria ka në plan që të nxjerrë jashtë qarkullimit automjete të caktuara. Ky propozim, i cili ende mbetet i papërcaktuar deri në fund, mund të prekë jo pak, por mbi 20 mijë njerëz.
Ministria e Financave po punon lidhur me gjetjen e një formule të re për taksimin e makinave. Kjo do të bëjë pjesë, me sa duket, në kuadër të paketës së re fiskale, e cila duhet të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit që vjen. Ende nuk dihet nëse fjala është për taksën e qarkullimit, që paguhet një herë në vit, apo atë të karbonit, që e vë në vartësi taksën që do të paguhet me vjetërsinë e makinës. Po gjasat janë që të jetë fjala pikërisht për këtë të fundit. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se llogaritja e re e taksës së makinës duhet të favorizojë automjetet e reja.
Pak javë më parë, u mësua se qeveria kishte hartuar një strategji për uljen e ndotjes së mjedisit. Bëhet fjalë për një program financimi për blerjen e mjeteve me kilometrazh zero dhe rritjen e taksave. Pra, do të thellohej diferencimi në taksim për mjetet sipas vjetërsisë. Qeveria ka në plan që të nxjerrë jashtë qarkullimit automjetet e para vitit 1995, me synimin e uljes së ndotjes në mjedis. Ky propozim, i cili ende mbetet i papërcaktuar deri në fund, mund të prekë jo pak, por mbi 20 mijë njerëz.
Në vendin tonë parku i mjeteve mbetet relativisht i vjetër, duke sjellë si pasojë emetimin e karbonit në nivele relativisht të larta. Në këto kushte, tri janë propozimet e bëra: e para, ajo e heqjes së pjesës më të vjetër të parkut të mjeteve; e dyta, zgjerimi i diferencimit në taksim sipas viteve të mjetit; e treta, program për nxitjen e blerjes së mjeteve të reja.
Propozimi për heqjen e makinave të para vitit 1995 vjen nga Ministria e Mjedisit në Strategjinë Kombëtare për Cilësinë e Ajrit të Mjedisit, të miratuar vetëm pak kohë më parë. Në këtë strategji llogaritet saktë edhe efekti që mund të ketë një masë e tillë.
Paketa
Krahas rritjes së disa taksave, në paketën e re fiskale po punohet dhe për nxitjen e dy sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë, bujqësinë dhe peshkimin. Sipas burimeve nga Financat bëhet fjalë për krijimin e lehtësive fiskale për këta sektorë, si p.sh. heqjen e taksës së karburantit për peshkimin, apo zerimin e taksave doganore për disa produkte që shërbejnë si lëndë e parë për bujqësinë, apo dhe njohje të shpenzimeve për firot.
Paketa fiskale është ende në fazë diskutimi me biznesin dhe nuk ka akoma një variant përfundimtar të saj. Në diskutime janë rritja e tatimit mbi dividendin, depozitat dhe të ardhurat e tjera, si qiratë, nga 10 në 15%, duke e barazuar me nivelin e tatim fitimit; rritja e akcizës së duhanit, që është bërë tashmë zyrtare dhe një rritje e taksës së qarkullimit për karburantet me 10 lekë për litër, që do e çonte atë në 27 lekë për litër.
Po punohet dhe për përmirësime administrative në disa drejtime disa ndryshime apo rregullime ligjore, të kërkuara nga bizneset. Ministri i financave Shkëlqim Cani ka pohuar se në paketën fiskale mund të preken, në varësi dhe nga ecuria e bisedimeve dhe mundësia potenciale, 10 deri në 20 artikuj, gjithnjë jo vetëm në masa që lidhen me nivelin e taksave, por dhe për procedurat në tërësi dhe janë kërkesa të vazhdueshme të biznesit.
Në total, synimi i qeverisë është të grumbullojë rreth 100 milionë dollarë nga rritja e taksave.
Karburantet
Ndërkohë, më në fund edhe tregtarët shqiptarë të shumicës janë bindur të nisin uljen e çmimit të karburanteve. Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër ulje gjatë fundjavës së kaluar, duke zbritur edhe me pesë lekë për litër, pas një reduktimi prej rreth tre lekë të dy javëve më parë.
Sipas një vëzhgimi në pikat kryesore të tregtimit me pakicë në vend, që prej ditës së djeshme një litër naftë tregtohet me 177 lekë, duke zbritur për herë të parë nën nivelin e 180 lekëve prej gati një viti (për dy kompanitë Kastrati dhe Elda, ndërsa IT Oil i kishte ulur më parë nën këtë nivel, në zbatim të strategjisë së tij për çmime më të ulëta në treg).
Çmimi i benzinës zbriti mesatarisht në 180 lekë për litër, me një ulje po prej pesë lekësh për litër.
Në krahasim me fillimin e vitit, kur u shtrenjtuan me rreth 10 lekë për litër si rrjedhojë e rritjes së taksës së qarkullimit po në këtë nivel, çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë zbritur me rreth 9-10 lekë për litër, apo me rreth 5-6%, duke reflektuar rënien e tyre në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, rënia në tregun e brendshëm është shumë më e ulët në raport me çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare, që ka rënë me rreth 30% për të njëjtën periudhë.
Nga ana tjetër, nëse taksa e qarkullimit mbi karburantet do të rritet edhe me 10 lekë për litër, nga 17 lekë për litër që është aktualisht, çmimet e karburanteve në tregun shqiptar pritet të shkojnë sërish në nivelet e fillim vitit.
Aktualisht Autoriteti i Konkurrencës në bazë të vendimit nr. 315, datë 13.05.2014 po zhvillon procedurat e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve.
Sipas vendimit “ndërmarrjet Kastrati SHA, Kastpetrol SHA, Europetrol Durrës SHA, Porto Romano Oil SHA, Bolv Oil SHA, Genklaudis SHA, Everest Oil SHA, Taçi Oil SHA dhe Armo SHA, mund të kenë zbatuar sjellje anti-konkurruese, bazuar në nenin 4 të Ligjit 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ( i ndryshuar) nëpërmjet caktimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të shitjes ose nenit 9 të Ligjit nëpërmjet vendosjes në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të shitjes për karburantet për mjetet rrugore, naftë dhe benzinë”.
BSH: Nuk ndryshon norma bazë e interesit, është ulur 50% deficiti buxhetor
– Të dhënat më të fundit të sektorit real tregojnë një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend
– I matur sipas vlerës së shtuar, aktiviteti i brendshëm ekonomik regjistroi rënie në tremujorin e dytë
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi dje Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%.
Të dhënat më të fundit të sektorit real tregojnë një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, por ky ngadalësim vlerësohet të jetë i përkohshëm. I matur sipas vlerës së shtuar, aktiviteti i brendshëm ekonomik regjistroi rënie në tremujorin e dytë. Po kështu, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie në muajin shtator.
Parashikimet e BSH sugjerojnë se inflacioni do të vijë në rritje graduale gjatë periudhës së ardhshme, duke konverguar në objektiv, në një periudhë afatmesme.
Ndërkohë, konsolidimi fiskal i nëntë muajve të parë të vitit u materializua në ngushtimin me rreth 53.1% të deficitit buxhetor në terma vjetorë.
Rritet me 45 për qind tregu i sigurimeve
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2014 kapën vlerën 8,6 miliardë lekë ose 45.21% më shumë se në periudhën janar-shtator 2013, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Gjatë periudhës janar-shtator 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 757,913 me një rritje prej 0.07% krahasuar me periudhën janar-shtator të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.83% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.85% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.26% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.74% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-shtator 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 2 miliardë lekë, ose 1.40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shtator 2014 arritën mbi 5 miliardë lekë, ose rreth 86.18% më shumë se periudha janar-shtator 2013. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-shtator 2014 pati një rritje me 58.20% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shtator 2014 u rritën me rreth 1.40% krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,662 milionë lekë, apo 83.08% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Bankat në Shqipëri, pa shqetësim nga stress-testi
Stress-testet e Bankës Qendrore Evropiane nuk pritet të kenë efekte shtrënguese në strategjitë e bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri. Eksperti i ekonomisë, Arjan Kadareja, thotë se në përgjithësi rezultatet ishin pozitive për shumicën e bankave, përfshi ato që kanë aktivitet në vendin tonë. Ndaj këto stress-teste në vetvete nuk do të jenë arsye që filialet e bankave evropiane në Shqipëri të tregohen më konservatore se ç’janë treguar deri më sot.
Ndonëse në bankat që nuk kaluan stress-testet përfshihen edhe dy grupe bankare me aktivitet në Shqipëri, zoti Kadareja nënvizon se provat janë kryer mbështetur mbi të dhënat e vitit 2013. Ndërkohë, gjatë këtij viti shumica e bankave që kishin nevojë kanë kryer shtim kapitali.
Stres-testet janë prova ushtrimore që ndërtohen duke supozuar skenarë hipotetikë të ecurisë së treguesve makroekonomikë dhe financiarë dhe duke llogaritur më pas efektet në indikatorët bazë të bankave, kryesisht te kapitalizimi. Në stress-testet e fundit, shumica e grupeve bankare evropiane ishin në gjendje të ruanin një nivel të mjaftueshmërisë së kapitalit më të lartë se 7%, që është edhe niveli minimal i kërkuar sipas standardeve të marrëveshjes së mbikëqyrjes bankare Basel III.
Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për energjinë
Sekretariati i Energjisë në Vjenë njoftoi dje se është arritur progres në normalizimin e të dhënave mes Serbisë e Kosovës dhe kanë filluar negociatat mes operatorëve të transmetimit të energjisë. Sipas njoftimit, operatori i sistemit të transmetimit i Kosovës dhe EMS e Serbisë kanë arritur në një gur kilometrik në rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Një takim i mbajtur mes përfaqësuesve të nivelit të lartë të sistemeve të transmetimit, Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë (ENTSO-E) dhe sekretariatit të Komunitetit të Energjisë më 23 tetor 2014 nënvizoi fillimin zyrtar të negociatave mes KOSTT dhe ENTSO-E rreth marrjes së përgjegjësive nga KOSTT në të ardhmen si operator i pavarur dhe pjesë e sinkronizuar e sistemeve të transmetimit.
Marrëveshja do të mbuloj ndër të tjera çështje të menaxhimit të lidhjes së rrjetit mbarë evropian mes operatorëve të transmetimit (Inter-TSO Compensation (ITC)) dhe zbatimin e standardeve evropiane për humbjet në transmetim.
Duke nënvizuar rëndësinë e këtij aktiviteti, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopač, tha se “hapja e negociatave mes ENTSO-E dhe KOSTT është në fakt një lajm shumë i mirë, jo vetëm sepse në hapat e ardhshëm normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë por gjithashtu do të lejojë që zhvillimet pozitive gjatë vitit të fundit do të lejojnë tranzicionin nga negociatat kontraktuale drejt proceseve të menaxhimit teknik.
Interes i sipërmarrësve kinezë për bujqësinë
Sipërmarrësit kinezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorin bujqësor dhe peshkim në vendin tonë.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panartiti, priti në një takim një delegacion nga Republika e Popullore e Kinës, pas të cilit u nënshkrua edhe një memorandum për bashkëpunimi të mëtejshëm.
Ministri Panariti theksoi se bujqësia dhe peshkimi kanë mundësi të mëdha për investime. Delegacioni kinez vlerësoi arritjet e bëra në Shqipëri në sektorin e bujqësor dhe përveç interesit për të investuar vunë në dukje mundësinë për të ndarë në vendin teknikat moderne të funksionimit në bujqësi.