INSTAT/ Rënia e Prodhimit të Brendshëm, ja sektorët që ndikuan

0
201

A bank employee counts Euro notes at Kasikornbank in BangkokRënia e vlerës së shtuar bruto në tremujorin e dytë 2014 me 0.6% kapi shumëkënd në surprizë, teksa Banka e Shqipërisë kishte deklaruar se sinjalet ishin të dukshme se ekonomia po gjallërohej. Sipas INSTAT-it, ishin tre sektorë që ndikuan në këtë performancë: ndërtimi, transport dhe industria, përkatësisht me minus 2.79%, 0.73% dhe 0.2%.

 

Ndërtimi

Teksa lejet e ndërtimit nuk po njohin ndonjë gjallërim vitet e fundit, ndikimin kryesor në tkurrjen e ndërtimit e kanë dhënë shpenzimet kapitale. Sipas të dhënave nga statistikat fiskale të Ministrisë së Financave, në tremujorin e dytë 2013 shpenzimet kapitale para zgjedhjeve të përgjithshme ishin tepër të larta në ishin 27 miliardë lekë (një pjesë e madhe e të cilave u përqendrua në ndërtimin e tunelit që lidh Elbasanin me Tiranën) ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti ato ishin vetëm 12.4 miliardë lekë, apo 54% më pak se prill-qershori i vitit të kaluar, duke dhënë efektin kryesor në rënien e ndërtimit.

 

Fluturimet

Ndonëse në fund të tetorit të vitit të kaluar, Belle Air, kompania e vetme shqiptare në tregun e fluturimeve ajrore shpalli falimentin, shqiptarëve nuk u ka munguar shërbimi, teksa kompani të tjera e zëvendësuan operatorin shqiptare që zotëronte gjysmën e tregut. Madje numri i udhëtimeve është rritur në 6 mujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Sipas TIA-s numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes Aeroportit të Rinasit u rrit me 6.8%, me bazë vjetore në gjashtë muajt e parë të vitit. Tregu i Belle Air, sipas të dhënave nga TIA u zëvendësua nga Blue Panorama, e ndjekur nga Air One dhe më pas nga All Italia dhe më pak nga Livingstone dhe Meridiana.

Megjithatë ikja e Belle Air dha një efekt të ndjeshëm në llogaritjen e PBB-së, për faktin se ai ishte i vetmi operator mes 15 kompanive, me kapital shqiptar dhe kishte një xhiro relativisht të lartë prej rreth 100-110 milionë euro, sipas të dhënave nga bilanci i saj. INSTAT, sipas metodologjisë e llogarit Prodhimin e Brendshëm Bruto tremujor sipas metodës së prodhimit dhe ndikimi i Belle Air ishte i lartë për shkak se e gjithë xhiro e saj llogaritej si vlerë e shtuar, ndryshe nga kompanitë e fasonit, p.sh., që kanë një vlerë të ulët të shtuar, pasi janë rieksporte. Ndonëse shqiptarët kanë vazhduar të shpenzojnë për bileta në gjysmën e parë të vitit, këto para nuk llogariten më si vlerë e shtuar e prodhimit të brendshëm shqiptar.

Ndikimi pritet të vazhdojë gjatë gjithë vitit, teksa mbi 200 milionë euro që shqiptarët do të shpenzojnë për bileta gjatë gjithë vitit (aq sa llogaritet tregu i fluturimeve) do të “fluturojnë” jashtë vendit, duke rritur vlerën e shtuar në PBB-në e Italisë, Austrisë, Gjermanisë apo Turqisë, ndryshe nga viti i kaluar, ku gjysma e kësaj shume mbetej në Shqipëri.

 

Energjia

Të dhënat e prodhimit të energjisë, të përqendruara pothuajse tërësisht te KESH, flasin për një përgjysmim të prodhimit të energjisë në vend. Sipas këtyre të dhënave, sasia e prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 është 2.353 GWh nga 4.429 GWh e prodhuar gjatë së njëjtës periudhë në 2013-n. Rënia saktësisht me 47% u shoqërua me një ulje drastike të eksportit të energjisë, ndërsa importi u dyfishua.

Të dhënat e disponueshme vetën për gjashtë muajt e parë të këtij viti raportojnë një rënie me dhjetë herë të eksportit të energjisë.

Edhe eksporti tjetër produkti të rëndësishëm si bakri ra, për shkak të koniunkturës së pafavorshme në tregun ndërkombëtar. Ulja e çmimeve ka frenuar prodhimin e bakrit në vend. Tregtarët raportojnë edhe frenim të eksportit të kromit, ndonëse prodhimi nuk ka rënë.

 

Ish-drejtori i Thesarit sulmon Ridvan Boden

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Thesarit në Ministrinë e Financave, sot drejtues i sektorit të Dëmshpërblimeve, Eduart Ypi, ka akuzuar dje ministrin e tij të dikurshëm Ridvan Bode se ka bërë favorizime në pagesat që u janë bërë bizneseve. Gjatë një raportimi në komisionin e ekonomisë, ku Ypi është propozuar nga Presidenti Nishani për komisioner i Autoritetit të Konkurrencës, ai tha se puna e tij për të gjitha vitet në Ministrinë e Financave ka qenë e ndershme, pavarësisht pengesave që ka pasur nga udhëheqësi i këtij dikasteri. Eduart Ypi u shpreh se shlyerja e një liste me detyrime të papaguara prej 104 milionë eurosh, që u arkëtuan nga privatizimi i 4 HEC-eve, sot në pronësi të kompanisë Kurum, u bë në mënyrë selektive dhe pa marrë firmën e tij.

Komisioni i Ekonomisë ka kaluar për në seancën parlamentare votimin për dy kandidatët për komisionerë të Autoritetit të Konkurrencës, Eduart Ypin dhe Armand Afezollin.

Ish-ministri Bode nuk ka pranuar të komentojë këto akuza.

 

Rikthehen tregtarët serbë të perimeve në Lushnjë

Serbët nisin eksportet në Lushnjë, ndonëse të paktë në numër. Ata i janë kthyer tregtisë, pas bllokimit dyjavor për shkak të incidentit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë. Inati i serbëve me domaten e Lushnjës nuk zgjati shumë. E kuptuan se paraja që fitojnë me tregtinë e domateve i vlen më tepër se sherri për një ndeshje futbolli.

Që nga orët e para të mëngjesit maunet u kthyen në Divjakë pas dy javësh për t’u ngarkuar me tranguj dhe domate. Tregtari serb Vaso Bideviç tha se biznesi mbetet biznes, ndërsa politika ka punën e saj. Prodhimet shqiptare pëlqehen në Beograd, sipas tij.

Dy javë pas bllokimit, edhe tregtarëve shqiptarë u munguan ortakët e tyre serbë, me të cilët punojnë që prej 5 vitesh.

Zëvendësministri i Bujqësisë Jani Babi siguroi se marrëveshjet tregtare me Serbinë do të vazhdojnë si më parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency