Erneta Shevroja
Halimi: Rama kërkon t’i bëjë një, partinë dhe drejtësinë, që të mos ketë askënd mbi tokë ta ndalë në marrëzinë për të arrestuar e futur në burg gjithkënd
Partia Demokratike reagoi dje menjëherë pasi Komisioni i Ligjeve miratoi dy emrat e rinj për KLD-në, Vangjel Kosta dhe Albana Shtylla. Sipas PD-së, zgjedhja e këtyre dy kandidaturave është një mjet i Kryeministrit Edi Rama për të kapur dhe për të krijuar mbrojtje për të inkriminuarit nga sistemi i drejtësisë.
Anëtarët e rrinj të KLD-së
Partia Demokratike reagoi ashpër dje ndaj qeverisë në lidhje me zgjedhjen e dy kandidaturave të rinj të KLD-së, që zëvendësojnë Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn, të shkarkuar nga parlamenti të enjten e kaluar. Referuar anëtarit të ri Vangjel Kosta, në një deklaratë për mediat ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se qeveria po çon në Këshillin e Lartë të Drejtësisë një ish-gjyqtar që ka dënuar në të kaluarën në emër të Enver Hoxhës. Ndërsa sa i përket kandidaturës tjetër, atë të Albana Shtyllës, Halimi u shpreh se po zgjidhet një “kamikaze politike”.
“Ata që kanë dhënë prova në diktaturë se nuk e bëjnë dysh fjalën e udhëheqësit politik dhe arrestojnë, dënojnë dhe shpallin armik të popullit dhe sabotatorë këdo që kundërshton udhëheqësin. Ata që kanë dhënë prova se shndërrohen lehtësisht në kamikazë politike sapo udhëheqësi i partisë jep urdhër. Ndaj, kërkon të çojë në KLD ish-gjyqtarin e diktaturës që ka dënuar në emër të Enver Hoxhës 30 vjet më parë dhe atë që kanë dhënë prova se shndërrohet lehtësisht në kamikaze politike sa herë flet udhëheqësi i partisë jo më larg se 1 vit më parë”, – nënvizoi Halimi.
Nënshtrimi i drejtësisë
Halimi vijoi duke u shprehur se kjo është një rrugë e zgjedhur e Kryeministrit për të nënshtruar politikisht sistemin e drejtësisë dhe për të shpëtuar të inkriminuarit në qeveri.
“Klithjet e përditshme të Kryeministrit ndaj qytetarëve dhe tundja e prangave me policinë që është bërë më politike se kurrë në këta 23 vjet, kërkon t’i çojë deri në fund me nënshtrimin dhe kapjen politike të drejtësisë, që askush të mos e ndalë në marrëzinë e delirit të pashoq që e ka kapur atë dhe farë e fisin që ka emëruar në qeveri”, – tha deputeti demokrat. “Kërkon t’i bëjë një, partinë dhe drejtësinë, që të mos ketë askënd mbi tokë ta ndalë në marrëzinë për të arrestuar e futur në burg gjithkënd”, – vijoi ai.
Qeveria tenton të nënshtrojë drejtësinë, sipas Halimit, për të mbrojtur korrupsionin e ministrave të kabinetit qeverisës dhe deputetët të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale. Po ashtu, nënshtrimi i pasurisë i duhet qeverisë, vijoi ai, për të shkatërruar pasuritë e qytetarëve njësoj si në sistemin e kaluar politik.
“Ju që keni bërë burg për trafik droge duhet të jeni deputetët e mi, elita e kombit, ndërsa qytetarët që nuk kanë lekë të paguajnë energjinë janë hajdutët e kombit, janë sabotatorë të zhvillimit të vendit, sabotatorë të qeverisë, armiqtë e popullit. Deputetët e krimit duhet të rrinë në aulën e Parlamentit, ndërsa qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë apo kapin me dorë mistrinë e ndërtimit, të shkojnë në burg”, – tha Halimi.
“Mos arresto qytetarët si sabotatorë, sikur të ishim 50 vjet me parë”, – e mbylli deklaratën Halimi.
Ndeshja Shqipëri-Serbi/ Sekretari amerikan: Mesazhet e liderëve shqiptarë më të mira; Vuçiç, kujdes me fjalët për incidentin
Senatori amerikan Christopher Murphy ka rrëfyer me hollësi vizitën e tij në rajonin e Ballkanit, ku është ndalur në secilin destinacion javën e kaluar. Kjo vizitë që përkoi edhe me ndeshjen Shqipëri-Serbi, nuk e anashkaloi ngjarjen sportive që shkaktoi shumë debat, jo vetëm në vendet tona fqinje. Murphy është shprehur se ka bërë të pamundurën që vizita e Kryeministrit Rama në Beograd të mos anulohej. “Huliganizmi i futbollit nuk duhet të bllokojë asnjëherë pajtimin politik”, – tha ai gjatë një konference, mesazh që e ka përsëritur edhe në rrëfimin e tij. Mes gjithë atyre deklaratave që u dhanë nga liderët e rajonit, ai ka zgjedhur atë të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, si një mesazh domethënës. “Kryetari i Parlamentit shqiptar e shprehu këtë më mirë akoma pas takimit tim me të. Duke e perifrazuar, ai tha: “Për ne është më e rëndësishme të fitojmë lojën e një të ardhmeje të përbashkët evropiane, sesa të fitojmë një ndeshje futbolli”, – ka thënë senatori amerikan.
Ai është ndalur edhe tek takimi me Kryeministrin serb, Alekandër Vuçiç, i cili ka folur për konfliktet ende të paharruara. Ndërkaq, sekretari amerikan i ka kërkuar më shumë diplomaci dhe kujdes, pasi “fjalët që do të përdorte atë ditë për të përshkruar incidentin mund të përcaktonin nëse çështja merrte flakë apo do të shuhej”. Por, Murphy nuk pajtohet me këshillën që i dha ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, që iu shpreh: “Djalë i ri, e di cila është këshilla më e mirë që mund t’i jap dikujt që mundohet të kuptojë Ballkanin? Mos u mundo!”
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Presidentit për ligjin e FA-së
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Presidentit për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në një vendim përfundimtar. Presidenti këmbëngul se ligji i heq disa nga kompetencat kryesore, që lidhen me drejtimin e forcave të armatosura, në kohë lufte, fatkeqësish natyrore apo dhe në kohë paqeje. Institucioni i Presidentit argumenton se ky ligj cenon kompetencat edhe lidhur me emërimin apo lirimin e ushtarakëve të lartë dhe bie ndesh me Kushtetutën.
Kuvendi si palë e interesuar këmbëngul se kompetencat e Presidentit nuk janë prekur, madje përfaqësuesit ligjorë të tij vunë në diskutim edhe pavarësinë e institucionit të Presidentit, kur thanë se brenda Kuvendit ka qëndrime të ndryshme sa u përket ndryshimeve kushtetuese, që sollën një President nga radhët më të larta të një partie politike. Ky ligj, sipas Presidentit të Republikës, shkel Kushtetutën, pasi transferon në institucione të tjera 13 prej detyrave që më parë kishte Presidenti. Në depozitimin e kërkesës për pezullim të ligjit bërë pak ditë më parë po nga Presidenca.
Letra/ Avokati i Popullit: INUK ka përfshirë në aksion edhe objekte në proces legalizimi
Avokati i Popullit njoftoi dje se me aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, INUK ka përfshirë dhe shumë objekte të cilat janë në proces legalizimi. Duke u nisur nga ankesat e shumta drejtuar këtij insitucioni komisonerët e Avoaktit të Popullit kanë verifikuar bazën ligjore nga ku ka rezultuar se Aluizmi nuk është shprehur ende me një vendim përfundimtar me objekte të cilat ndodhen në lagjen e Selitës. “Rekomandojmë pezullimin e ekzekutivit të vendimeve të nxjerra nga INUK për prishjen e këtyre objekteve që rezultojnë se janë ë procces legalizimi”,theksohej në letër.