Sonila Mesareja
Artan Lame: Kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara
Procesi i kompensimit të pronave për ish-pronarët duhet të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur pasi në të kundërt fatura e kompensimit për shtetin shqiptar do të rritet sërish, e ndikuar kjo dhe nga vendimet e gjykatës së Strasburgut. Apeli zyrtar është bërë dje gjatë tryezës së dytë për reformën ligjore dhe institucionale të AKKP-së të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa ishin të pranishëm edhe aktorë të tjerë të institucioneve shtetërore. “AKPP nuk mund të niste asnjë punë pa ndryshuar situatën që gjetëm në këtë institucion, ku situata ishte alarmante. Bashkë me qeverinë morëm përsipër një plan-veprimi, që është paraqitur në Komitetin e Ministrave të Këshillin e Europës. Kemi nisur punën për krijimin e hartave të para dixhitale dhe kemi përfunduar punën për projektin-pilot të Vlorës, që duam ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë. Duam, gjithashtu, të krijojmë një hartë dixhitale të të gjitha vendimeve të marra këto 23 vite në lidhje me pronën. Me këtë reformë duam të ndryshojmë institucionin, ku informacioni ka qenë i paharmonizuar me institucionet e tjera, si dhe të krijojmë lehtësira ndaj qytetarëve, që atyre t’u njihet prona dhe ta gëzojnë atë. Nevoja për t’i dhënë zgjidhje procesit të tejzgjatur të kthimit dhe kompensimit të pronave është tashmë shumë emergjente. Kjo gjë, jo vetëm referuar ngërçit të madh që krijon anomalia e madhe pronave për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por edhe për shkak të faturës që mund të përballet buxheti i shtetit nga vendimet e pritshme të Gjykatës së Strasburgut” apeloi Qato gjatë fjalës së saj në tryezë.
Shqetësimet e AKKP-së për disa nga institucionet
Një tjetër shqetësim ngritur nga përfaqësuesit e kompensimit të pronave ishte dhe fakti se prej dy dekadash shumica e vendimeve të komisioneve të kompensimit të pronave nuk janë regjistruar në hipotekë çka përbën një problem për mbivendosjet e pronave. “AKKP ashtu sikurse çdo institucion i cili kërkon të verifikojë statusin juridik të pronave që kanë në trajtim, përballet me shkresa të ZRPP të cilat nuk garantojnë dot gjithmonë këtë status. Ky element bëhet pengesë për reformën afatshkurtër që duam të ndërmarrim në trajtimin me kompensim të pronarëve, toka e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale. Ndërkohë që puna në ALUIZN-n vazhdon normalisht për regjistrimin e pasurive të derivuara nga procedurat e legalizimit, AKKP e ka të vështirë të likuidojë kompensimin financiar të pronarëve të tokës, për shkak se prona përkatëse, nuk është futur në sistem, apo është pjesë e zonave kadastrale ku ende nuk ka mbaruar regjistrimi fillestar i pasurive. AKKP ka konstatuar faktin që të gjitha vendimet e Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të pronave nuk rezultojnë të jenë regjistruar në regjistrat përkatës të hipotekës” u shpreh Qato, duke ia adresuar këtë shqetësim kreut të ZRPP-së, z.Muho. “Nga njëra anë organet e përcaktuara nga ligji kanë nxjerrë vendime njohje pronësie për subjektet e shpronësuar, nga ana tjetër kurrkund në regjistrin e hipotekës nuk regjistrohet që kjo parcelë toke shtet ka një vendim komisioni ku i është njohur pronarit prona përkatëse. Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë ka rregulluar që edhe një kontratë qeraje me afat të gjatë të regjistrohet në hipotekë ndërkohë Akte të mirëfillta pronësie siç janë vendimet e komisionit nuk regjistrohen gjëkundi. Pretendimi ynë është që të gjitha këto sipërfaqe ku ka vendime Komisioni për njohje pronësie janë objekt për kompensim financiar apo fizik për shtetin shqiptar. Pra janë faturë për buxhetin e shtetit. Nëse ALUIZNI do të kishte informacion zyrtar për parcelën ndërtimore ku jep legalizim dhe të vendimit të komisionit për njohje pronësie mbi këtë parcelë, atëherë ky fond do të përllogaritej si fond kompensimi edhe për pronarët e njohur të cilët nuk kanë gëzuar asnjë qindarkë dhe asnjë metër katror toke në këto 23 vjet për pronat e njohura me vendime komisionesh. I njëjti problem konstatohet edhe me aktivitetin e agjencive apo drejtorive përkatëse pranë Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave. Për shembull, Drejtoria që transferon prona pushtetit vendor në Ministrinë e Brendshme, nuk ka të identifikuar një lidhje të qartë midis pronës shtet apo publike që transferon me numrat e pasurive sipas Zyrës se Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Të paktën në një pjesë të konsiderueshme të pronave te inventarizuara. Si rrjedhim transferon dhe kalon në funksion të pushtetit vendor prona të cilat jo vetëm janë të vështira të lokalizohen në terren por edhe nuk konfirmohen dot nëse ka pretendime për kthim nga pronarët e vjetër apo jo. Ky proces e konfondon qarkullimin e pronave dhe cënon sigurinë juridike të tyre. Gjithashtu, AKKP është shumë e shqetësuar për shtimin e fondit special të kompensimit për pronarët dhe se sa zbatohen ligjet aktuale për alookimin e këtij fondi dhe destinacionin e tyre si fond special për kompensimin e pronarëve. AKKP është shumë e interesuar që përmes kësaj reforme të njihet me politikat dhe planet sektoriale të të gjitha organeve qendrore, kryesisht ministritë e linjës të cilat menaxhojnë dhe kanë rol politikëbërës në territor. Nga njëra anë duhet të përcaktohen zonat përkatëse në territor të cilat përbëjnë interes kombëtar dhe si rrjedhim shteti si rregullator të përcaktojë çfarë territoresh rezervon për interesin e vet publik dhe ku shtrihen këto zona. Në këtë mënyrë veprimtaria e AKKP në procesin e kthimit të pronave do të ishte më i kontrolluar dhe në funksion të politikave dhe strategjive të qeverisë në territor” përfundoi znj.Qato.
Rekomandimet e Muhos
Pas dy aktorëve të rëndësishëm në këtë tryezë, disa rekomandime në lidhje me procesin ka dhënë edhe z. Ilirjan Muho, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku ndër të tjera vlerësoi se në fund të qershorit u promovua sistemi ALBPOS, i cili unifikon të dhënat dhe që do të ndihmojë në orientimin e institucioneve për informacionet që ata do të marrin nga ky sistem dixhital. “Kur flasim për pronat, nuk mund të lëmë pa theksuar kontributin e ZRPP-ve vendore, të cilat lidhen me këtë proces së pari duke dhënë informacionin bazë mbi pronën, ndërsa më pas procesi vijon me zyrat e ALUIZNI-t. Do të tërhiqja vëmendjen në një të metë që është konstatuar në vite dhe ka shkaktuar problem në lidhje me çështjen, që është bashkëpunimi institucional. Tashmë situata ka ndryshuar, pasi tashmë informacionin e kemi online dhe është i referueshëm nga të gjithë. Kemi ndryshuar shumë situatën me dixhitalizimin e sistemit, që është shtrirë në 35 zyrat vendore në një vit, pasi fillimisht ka qenë vetëm në 5 zyra vendore. Një zhvillimi i tillë rrit transparencën dhe shpejtësinë e procesit, që ka qenë burokratik dhe sillte pengesa në komunikimin midis institucioneve, ndërsa besojmë se përfundimisht do të shmangë edhe korrupsionin. Për shkak se më parë informacioni ka qenë në regjistra dhe jo dixhital, kjo ka sjellë shpesh herë edhe pasaktësi të të dhënave. AKPP dhe ALUZINI tashmë kanë mundësi për një bashkëpunim më të mirë me zyrat vendore të ZRPP-së, ndërsa institucionet aktualisht punojnë me harta të ndryshme të pronave. Në momentin që konstatohet një problem në zyrat tona, problemi duhet parë aty ku është dhënë titulli i pronësisë. pasi ne nuk mund të procedojmë me regjistrimin e pronave, pasi do të krijonim një mbivendosje artificiale të pronave” përfundoi reagimin e tij z.Muho.
Reagimi i Lames
Pas kreut të AKKP-së, ka qenë kreu i Agjensisë së Legalizimeve, Artan Lame që ka marrë fjalën, duke deklaruar se veprimi me zona në tërësi do të ndikonte pozitivisht qoftë për legalizimet qoftë dhe për kompensimin e ish-pronarëve. “Ky është një proces zinxhir dhe ka nevojë për angazhimin e të gjitha institucioneve, sepse secili ka rolin e vet. Në ndryshimet që iu bënë ligjit për legalizimin e pronave dhe ndryshimet për skemën e kompensimit të ish- pronarëve kanë sjellë disa përmirësime thelbësore, pasi ligji i vjetër u kishte dhënë mundësi ish- pronarëve që të kompensoheshin, por implementimi i ligjit ishte i pamundur dhe jo operativ. Ndryshimet e bëra krijuan mundësinë që ky ligj tashmë të funksionojë. Ky ka qenë një hap në lehtësimin e situatës së pronave, pasi prej mëse dhjetë vjetësh ka patur nevojë për ndryshime të vogla ligjore. Do të vazhdojmë në drejtim të trajtimit të çështjes së ish- pronarëve dhe kemi këmbëngulur që të bëhet legalizimi fillimisht dhe kryesisht në zonat informale dhe më pas, në zonat e shpërndara” tha Lame.