– Haxhinasto: Priten në të ardhmen taksa edhe për kalimin në segmentet Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Elbasan
Nëse do të kalosh me makinë në Rrugën e Kombit, autostrada Durrës- Kukës, shumë shpejt, ndoshta vitin tjetër, do të duhet të paguash një tarifë prej 5 eurosh. Kjo taksë që deri tani është në fazën e propozimit, por që me shumë gjasa do të miratohet, për ministrin e Infrastrukturës dhe të Transportit është e përballueshme. “Është relativisht sa 3-4 litra naftë” tha ministri Edmond Haxhinasto në një emision mediatik.
“Besoj se do të jetë një kosto e përballueshme nëse do të kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohet në rrugë në rastin e realizimit të gjithë shërbimit të mirëmbajtjes,” nënvizoi ai duke shtuar se tenderi për dhënien me koncesion të kësaj rruge do të bëhet brenda këtij viti.
Kjo ministri është në fazën e procesit të përgatitjes së një studimi për taksimin e rrugëve të Shqipërisë që e aplikojnë disa vende të rajonit. “Mendoj se janë mundësitë për të zbatuar këto taksime, flas për rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan. Do jemi shumë më të qartë pas studimit që përfundon pranverën e vitit që vjen”, u shpreh Haxhinasto.
Ne do të ndjekim një praktikë botërore pasi është e domosdoshme që përdoruesit e rrugës që të marrin një shërbim të cilësisë së lartë duhet të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës, tha ai.