Dosja/ Dosja “Lazarati”, Prokuroria dërgon në Gjykatë 15 të pandehur për kultivim droge

0
208

Alma Çuka

Dosja “Lazarati”Operacioni i Policisë së Shtetit, zhvilluar në qershor të këtij viti në Lazarat, u finalizua me arrestimin e dhjetëra personave për akuzën e kultivimit, ndërkohë që vetëm 5 persona janë duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

 Prokuroria e Gjirokastrës mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 15 të pandehur, arrestuar gjatë operacionit në zonën e Lazaratit. Personat, të cilët tashmë janë gati të t’u përballur në Ggjykatë me provat e Prokurorisë, akuzohen për prodhim, shitje, kultivim lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, 3 persona të tjerë për të njëjtat akuza, janë dërguar për gjykim disa ditë më parë. Prokuroria e Gjirokastrës, në kërkesën për gjykim argumenton se pas hetimeve të zhvilluara me intensitet të lartë dhe pas mbërritjes së pjesës më të madhe të akteve të ekspertimit biologjik dhe balistik nga Laboratori Kriminalistik i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, është krijuar bindja e mbështetur në prova se këta persona kanë konsumuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.

 

Operacioni dhe akuzat

Numri i personave të shoqëruar nga policia në fshatin e ashtuquajtur “rebel” të Lazaratit, gjatë ndërhyrjes për të shkatërruar parcelat e mbjella me bimën narkotike kanabis sativa, ishte disa herë më i lartë se sa ai që përfunduan në gjykatë. Pjesa më e madhe e banorëve të këtij fshati u shoqëruan për të dhënë shpjegime, lidhur me dijeninë që kishin ose jo për personat e inkriminuar, vendin ku ata strehoheshin si dhe për shtetas të tjerë të panjohur që futeshin në territorin “e blinduar” të fshatit dhe prej andej dilnin me tonelata drogë të presuar. Përfundimi i operacionit, duket se nuk i përmbushi pritshmëritë, për sa i takon arrestimit të kupolës së trafikut të drogës. Kokat e trafikut të organizuar, aktualisht janë të lirë. Asnjë prej tyre nuk ra në duart e policisë. Për llogari të Krimeve të Rënda, aktualisht janë duke u hetuar vetëm pesë persona, në krye të të cilëve është i mirënjohuri Gate Mahmutaj, djali i tij dhe tre persona të tjerë. Akuzat ndaj tyre nuk janë për trafik të organizuar. Ata akuzohen për “Kultivim dhe tregtim të lëndës narkotike”, “Mbajtje të armëve luftarake” dhe “Vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë” . Prokuroria shprehet se po vijon hetimin për të gjithë rastet e konstatuara gjatë operacionit të Lazaratit dhe që janë në kompetencë lëndore të saj.

 

Dekonspirimi

Operacioni në fshatin Lazarat erdhi si pasojë e një hetimi intensiv të kryer në mënyrë të fshehtë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rëndë. Gjashtë muaj para ndërhyrjes në Lazarat, Krimet e Rënda kishin arritur që përmes përgjimeve telefonike të identifikonin kokat e trafikut të lëndës narkotike që kryhej në këtë fshat. Emrat e personave ishin future në listën e zezë. Por, disa ditë para ndërhyrjes, mendohet se operacioni u dekonspirua nga burime të brendshme të policisë. Këtë fakt Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka cilësuar si mangësi të punës së Policisë së Shtetit. Madje, disa herë mes dy institucioneve, të cilat bashkëpunuan për të shkatërruar bandën e trafikut të drogës në Lazarat, ka pasur debate lidhur me nxjerrjen e sekretit. Prokuroria pohoi se që nga muaji dhjetor, kohë kur u krijuar edhe task-forca për Lazaratin, u vunë nën përgjim 150 persona. Nga përgjimi dolën elementë të konsiderueshëm për të zbuluar kokat e trafikut, por menjëherë pas ndërhyrjes, asnjë prej personave që ndodheshin në listën e përgjimit, nuk ra në prangat e policisë. Policia arrestoi disa banorë të zonës, të cilët kanë pranuar se e kanë kultivuar bimën kanabis sativa, duke parë si mjetin e vetëm të jetesës.

 

Të pandehurit

 Viron Difo

Afrim Aliko

Mehmet Mani

Edmond Gërveshi

Mehmet Mamo

Gjirit Malaj

Demo Boci

Maliq Skënderi

Abaz Bilbili

Ismail Buci

Medi Krishti

Artur Shemsho

Avdul Avduli

Lutfi Trako

Pertef Brahimi

 

Shpërthimi/ Vlorë, përfshihet nga flakët një makinë

Rikthehen shpërthimet e makinave në qytetin e Vlorës. Gjatë orëve të pasdites së djeshme në zonën e Ujit të Ftohtë është përfshirë nga flakët një makinë e parkuar në anë të rrugës. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia, e cila kreu veprimet e para, ndërkohë që shkaqet nuk janë zbardhur ende. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, kur automjeti tip “Peugeot” me ngjyrë të bardhë, pa targa, është përfshirë nga flakët. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar, ndërsa mbeten ende të paqarta shkaqet e djegies së makinës.

 

Dhuna në familje/ Kërcënoi me armë bashkëshorten, arrestohet 60-vjeçari

Efektivët e komisariatit numër 5 Tiranë arrestuan një 60-vjeçar, pasi dyshohet se kërcënonte me armë bashkëshorten e tij. Ndalimi dhe më pas arrestimi i shtetasit Mehmet Meta u krye në datë 29 tetor, rreth orës 20:00. Policia njofton se ai u arrestua në flagrancë, sepse ndaj tij kishte bërë kallëzim bashkëshortja, shtetasja F. M. Gjatë deklarimit në polici ajo është shprehur se bashkëshorti ka përdorur dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj duke e kërcënuar për jetën me një armë pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Sipas dëshmisë së bërë nga bashkëshortja, e cila tashmë është marrë në mbrojtje nga forcat e policisë, kjo nuk është hera e parë, që ajo ndihej e kërcënuar. Sipas saj ka pasur plotë raste, kur bashkëshorti, kthehej në banesë në gjendje të dehur dhe më pas e kërcënonte për vdekje. Menjëherë pas kallëzimit në polici, gruaja e dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti, ka depozituar në Gjykatë edhe padinë për urdhër mbrojtje dhe zgjidhjen e martesës.

Materialet ndaj të arrestuarit iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Dhunë në familje” si dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga neni 130/a & 278