Sipërmarrëset/ Si mund të përfitohen fonde nga Ndihma Shtetërore

0
171

Ervin Kaduku

 –  Në listë janë ndërmarrje që drejtohen nga sipërmarrëse gra e vajza, si dhe ato që janë të regjistruara afër në kohë

–  Por bankat japin gjithnjë e më pak kredi

 busines economy moneyNdërmarrjet që drejtohen nga gratë dhe ndërmarrjet e reja që kanë 1 ose 2 vite që janë krijuar, do të mund të përfitojnë mbështetje financiare falë dy fondeve të miratuara nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, që drejtohet nga ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Skema që parashikon mbështetjen e sipërmarrjeve që drejtohen nga gratë synon lehtësimin e veprimtarisë ekonomike të këtyre ndërmarrjeve, duke ndikuar në përmirësimin e klimës dhe kushteve operuese të sipërmarrjes. Referuar vendimit, përfitues të ndihmës janë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat drejtohen nga gratë. Ndihma do të jepet ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorët prodhues dhe të shërbimit, në industrinë e përpunimit aktiv (fason), në sektorin e turizmit, në fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, në procesin e agropërpunimit, në fushën e dizajnimit, modelimit e artizanatit.

Ndihma do të jepet në formën e pagesës së interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Vlera gjithsej e ndihmës është 26. 5 milion lekë. Për një ndërmarrje, skema do të mbulojë 50% të normës së interesit, për 4 vite radhazi dhe jo më shumë se 1 milion lekë për një kredi. Skema e njoftuar do të fillojë të zbatohet në vitin 2014, dhe do të zgjasë 4 vite.

Ndërsa vendimi i dytë, është ai për krijimin e fondit për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja. Skema synon të nxisë krijimin dhe konsolidimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Përfitues të ndihmës janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të regjistruara pranë QKR-së, për një periudhë nga 1 deri në 2 vjet. Ndihma do t’u jepet ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, në procesin e agropërpunimit dhe në fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit. Ndihma do të jepet në formën e grantit. Shuma gjithsej e ndihmës është 25 milionë lekë. Ndihma për një ndërmarrje do të jepet për mbulimin e 70% të kostove të pranuara, por nuk do të kalojë shumën 300 mijë lekë. Pas këtyre vendimeve, Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mbetet që të përcaktojnë kriteret e shpërndarjes së fondeve ndërsa çdo vit duhet të raportojë rreth ecurisë së impaktit që ka pasur ndihma financiare.

 

Frenohet kreditimi në muajin shtator

Por, pavarësisht nga përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit, rritja e kredisë, kryesisht për subjektet, u frenua në muajin shtator, duke ftohur disi optimizmin pas rritjes për katër muaj me radhë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë zbriti në 556.3 miliardë lekë, rreth gjysmë miliardi lekë më pak krahasuar me fundin e gushtit. Megjithatë, rritja vjetore e kredisë vazhdon të qëndrojë në territor pozitiv, me rreth 1.6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2013.

Përcaktues në frenimin e kreditimit, siç ndodh zakonisht, ishte segmenti i biznesit, ku totali i kredisë u ul me rreth 750 milionë lekë. Megjithatë, edhe kredia për biznesin po e ruan rritjen me bazë vjetore. Një trajektore të ngjashme ndoqi edhe shifra e totalit të depozitave, që pas katër muajsh radhazi në rritje, për muajin shtator u tkurr me rreth tre miliardë lekë. Rritja vjetore e depozitave është tashmë në vlera minimale, me rreth 0.3%.

Sidoqoftë, gjendja e likuiditetit është larg të qenit një shqetësim për sistemin bankar. Raporti mes kredive dhe depozitave vazhdon të jetë në nivele mjaft të ulëta, me 58%. Sektori bankar zotëron mjaft fonde të lira për të rritur më tej kreditimin dhe pritshmëritë për tremujorin e fundit të vitit janë më pozitive, falë rrugës drejt përmirësimit të ekonomisë, por edhe për shkak të një prirjeje sezonale.

 

 Rritet edhe më tej borxhi publik i Shqipërisë

Niveli i borxhit publik për periudhën 9-mujore llogaritet në vlerën e 960 miliardë lekë, ose 67.76% e PBB-së. Shifrat e publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se në këtë vlerë të borxhit publik nuk janë përfshirë detyrimet e prapambetura që qeveria i ka biznesit. Po sipas këtyre statistikave, stoku i borxhit shtetëror vlerësohet të arrijë 910 miliardë lekë, ndërsa stoku i borxhit të garantuar në 50.7 miliardë lekë. Referuar kësaj periudhe, borxhi i brendshëm llogaritet të jetë 554 miliardë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm ishte 405.8 miliardë lekë. Sipas dokumentit të kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017, të miratuar nga qeveria, borxhi publik do të vijë duke u ulur nga viti në vit.

Sipas këtyre të dhënave, pas një rritje në fund të vitit 2014, në vitin 2015 do të fillojë dhe ulja e nivelit të borxhit publik në 71.7%, në vitin 2016 është parashikuar në 69.2% dhe në vitin 2017 në nivelin 65.6% e PBB. Borxhi publik ka ardhur në rritje nga viti në vit, aq sa dy vjet më parë u hoq me ligj edhe tavani prej 60%. Financat publike gjatë viteve të fundit janë gjendur përballë disa vështirësive, ku qeverisë i është dashur të rrisë borxhin për të financuar ekonominë. Ndërkaq të dhënat tregojnë se situata e tregjeve evropiane vazhdon të mos jetë e favorshme dhe besueshmeria e ekonomisë sonë është ende mjaft e ulët. Për këtë shkak qeveria është orientuar më tepër drejt huamarrjes së brendshme.

 

 Sistemi i ujësjellësve, me performancë negative

 Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë vendin kanë rezultuar me performancë negative për vitin 2013, krahasuar me një vit më parë, në dy treguesit kryesorë, arkëtimet dhe humbjet.

Konkretisht, norma e arkëtimit në vitin 2013 ka qenë 82 për qind nga 90 për qind që ka rezultuar në vitin 2012, duke bërë që niveli i arkëtimeve të ulet me 8.9 për qind. Nga ana tjetër niveli i humbjeve në rrjet është rreth 67.4 për qind, çka do të thotë se gjysma e ujit të pijshëm që prodhohet, është ujë pa të ardhura. Një tjetër shqetësim që kanë pasur gjithnjë kompanitë ka qenë kostoja e energjisë elektrike, ku shpeshherë ujësjellësit kanë rezultuar edhe debitorë.

Kreu i ERRU, Avni Dervishi, theksoi dje, në një konferencë të punonjësve të sektorit, se për këtë po punohet për të arritur një zgjidhje, në mënyrë që të trajtohen si klientë specifikë. Performanca e 58 ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë vendin ka qenë qenë e ndryshme për kompani të ndryshme. Por, duke e marrë si një e tërë, raporti evidenton se në tre treguesit financiar ka pasur një përmirësim të vogël në drejtim të mbulimit të kostove të operimit dhe të mirëmbajtjes, në mbi 110 për qind.

 

Normalizohet tregu shqiptar i kartave celulare

Shqiptarët po heqin dorë nga numri i dytë apo i tretë celular.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i kartave SIM të përdoruesve aktivë, që kanë kryer të paktën një thirrje në periudhën prill – qershor, ka zbritur në 3.5 milionë, nga 3.7 milionë që kishte qenë në fund të vitit 2013. Në total, numri i kartave SIM aktive ka zbritur në 4.9 milionë, nga 5.3 milionë që kishte qenë në dhjetor 2013.

Këto statistika tregojnë se tërheqja e operatorëve nga ofertat e mbyllura vetëm për komunikim brenda rrjetit po jep efektet e veta. Në paketat ofertë, tashmë operatorët ofrojnë njësi të mjaftueshme komunikimi edhe jashtë rrjetit, çka ka bërë që përdoruesit të mos mbajnë disa karta SIM për të komunikuar brenda secilit rrjet. Vitin e kaluar Autoriteti i Konkurrencës kreu një hetim të thelluar për këtë çështje, me kërkesën e njërit operator. Ndonëse nuk mori masa ndëshkuese, Autoriteti i Konkurrencës vuri në dukje se ekziston rreziku serioz që operatorët e mëdhenj të përdorin diskriminimin tarifor për të nxjerrë jashtë tregut operatorët më të vegjël.

Nga hetimi u nxorën disa rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që priten të reflektohen në masa të reja rregullatore, pas miratimit të analizës së tregut të telefonisë celulare. Dokumenti paraprak është miratuar nga AKEP për konsultim publik gjatë verës, ndërsa vendimi final pritet të publikohet gjatë ditëve të ardhshme. Pritet që AKEP të shpejtojë orientimin në kosto të tarifave me shumicë që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit, me qëllim zgjerimin e hapësirave të konkurrencës. Pritet gjithashtu të vendoset shprehimisht edhe detyrimi i mosdiskriminimit për tarifat brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit.

 

Aksione të Doganës, kapen mallra kontrabandë

Aksione të Strukturave të Specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Kakavijë, Qafë-Botë dhe Shkodër

Mëngjesin e djeshëm nga struktura të specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave e bë parandalimi dhe goditja e tri rasteve të kontrabandës në tre pika Doganore.

Operacioni i parë u finalizua në Degën Doganore Kakavijë ku u bllokua një sasi e konsiderueshme Çizme grash, këpucë dhe konfeksione. Këto mallra po kontrabandoheshin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë me autobusin me targa AA 578 CK, me drejtues mjeti A. Taraj dhe M. Simoni. Vlera e detyrimit doganor shkon ne 20 mijë Euro.

Operacioni i dytë u finalizua në Degën Doganore Qafë Botë, ku Shtetasi A. Qosja me automjetin e tij tip kamion, me targa AA 663 FR, tentonte të kontrabandonte 1000 duzina luge ose 12000 copë, mbulesa divani 74 copë, perde 1069 copë ose 3207 metra linearë, mbulesa tavoline 604 copë, shalle 410 copë, konfeksione 281 copë. Vlera e shmangies doganore ishte rreth 35 mijë euro.

Operacioni i tretë u finalizua në Doganën Shkodër, ku subjekti Vasil Tahiri me automjetin me targa SH 9022 C, po përpiqej të fshihte pa deklaruar një sasi të konsiderueshme mallrash industriale dhe konfeksione. Vlera e shmangies së detyrimit doganor shkon në disa mijëra euro.