Sugjerimi/ Llalla, zyrtarëve të DASH: Traktat të ri ekstradimi Shqipëri-SHBA

0
183

Sonila Mesareja

 prokuroria e pergjithshmeKryeprokurori parashtroi mundësinë e nënshkrimit të një dokumenti të ri ekstradimi

 Llalla: Dërguam para gjykatës 1 prokuror e 5 gjyqtarë, vijojmë hetimet për zyrtarët

 Mes Shqipërisë dhe SHBA-së pritet të nënshkruhet një marrëveshje e re ekstradimi, pasi ajo aktuale ka nevojë për rishikime, sepse i përket vitit 1933 dhe është mjaft kufizuese për disa vepra penale. Kjo mundësi modifikimi e marrëveshjes aktuale u hodh nga kreu i Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri, Adriatik Llalla, i cili prej disa ditësh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku diskutoi me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për forcimin e bashkëpunimit në terma konkretë. Më konkretisht, kryeprokurori Llalla, gjatë takimeve të zhvilluara me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë, parashtroi mundësinë e nënshkrimit të një Traktati Ekstradimi të ri ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së. Duke vlerësuar dinamikën në rritje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Llalla, gjatë diskutimeve e cilësoi si të nevojshëm nënshkrimin e një dokumenti të ri në këtë fushë, pasi mes dy vendeve është ende në fuqi traktati i ekstradimit i vitit 1933.

 

Marrëveshja

“Aktualisht, ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së është në fuqi Traktati i Ekstradimit, nënshkruar në vitin 1933. Prej asaj kohe, për shkak edhe të politikës izoluese të qeverisë shqiptare në periudhën 1945-1990, ky traktat nuk ka pësuar asnjë ndryshim”, – theksoi Llalla. Për prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Traktati, i cili është në fuqi, “ka të parashikuar veprat penale për të cilat mund të realizohet ekstradimi, por lista e këtyre veprave është kufizuese”. “Shqipëria dhe SHBA kanë ratifikuar Konventa Shumëpalëshe sa i përket ratifikimit, por edhe këto akte ndërkombëtare, në vlerësimin e prokurorisë shqiptare, “kanë fusha mbulimi të kufizuara në vepra penale specifike”. Për këto arsye, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Shqipëria vlerëson se është i nevojshëm nënshkrimi dhe ratifikimi i një traktati të ri, i cili të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ndihmojë autoritetet kompetente në përmbushje të detyrimeve të tyre sa u përket veprave penale dhe personave që kërkohen për ekstradim”, – nënvizoi prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu Llalla, vuri në dukje se “është konstatuar rritje e ndjeshme e kërkesave reciproke për ndihmë të ndërsjellë juridike. Megjithatë, sipas Llallës, këto kërkesa, kanë vonesa në realizimin e tyre, për shkak të kanaleve burokratike të komunikimit. Për të qenë më aktivë në plotësimin e këtyre kërkesave, Llalla, u shpreh se “është i domosdoshëm nënshkrimi i një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në çështje penale”. Propozimet e prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë u përkrahën nga zyrtarët në Departamentin e Drejtësisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilët shprehën angazhimin për nënshkrimin e këtyre dokumenteve, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh.

 

Intervista

Kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi edhe njëherë dje nga Uashingtoni vendosmërinë e institucionit që drejton për të luftuar korrupsionin, duke çuar deri në fund hetimet ndaj zyrtarëve të lartë. Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, Prokurori i Përgjithshëm tha se organi i akuzës ka dërguar përpara gjykatës disa zyrtarë, përfshi 5 gjyqtarë dhe një prokuror të akuzuar për veprën penale të korrupsionit. “Prokuroria shqiptare ka pasur në hetim dhe vijon të ketë në procese hetimi zyrtarë të lartë. Ne synojmë që me goditjen e këtij fenomeni, i cili pengon vërtet të ardhmen evropiane të vendit, synojmë të afrojmë Shqipërinë drejt kësaj të ardhme. Ka patur rezultate konkrete në këtë drejtim. Kemi dërguar për gjykim disa zyrtarë, përfshirë gjyqtarë apo prokurorë.”- deklaroi Llalla. Ndërsa lidhur me hetimin e vrasjes së bankierit Artan Santo, kreu i organit qëndror të akuzës theksoi se çështja është shumë e ndjeshme dhe se hetimet vazhdojnë. Sipas tij, ka shumë dyshime dhe versione të ndryshme për ngjarjen. Një opinion ka dhënë kryeprokurori edhe për supervjedhjen e ndodhur në Thesar. “Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj nga skandali i vjedhjes në Thesarin e Shtetit në Bankën e Shqipërisë, Prokuroria nuk e di ende se ku kanë përfunduar 713 milionë lekët e vjedhura.” Kryeprokurori bëri të ditur se nga hetimet e deritanishme, Prokuroria nuk ka të dhëna se ku mund të kenë përfunduar paratë e vjedhura. Llalla u shpreh se hetimet për skandalin në Thesarin e Shtetit vijojnë, ndërsa shtoi se hetimet në këtë fazë janë të përqëndruara në drejtuesit e nivelit të lartë të akuzuar.

Ndërsa sa i përket rekursit të bërë nga ana e organit të akuzës për rikthimin në burg të ish-guvernatorit Ardian Fullani, Llalla thekson se kjo është bërë për të ruajtur të padëmtuara provat lidhur me këtë çështje. “Hetimi është në proces. Prokuroria ka përfunduar hetimet për mjaft zyrtarë të nivelit të ulët, vijojnë për nivelet drejtues, dyshimet nëse janë të përfshirë, në vjedhjen e Bankës do të provohet në vijim. Nga hetimet e deritanishme nuk kemi të dhëna se ku kanë përfunduar paratë e vjedhura nga Thesari i Shtetit. Në rastin konkret prokurorët që merren me rastin vlerësuan që Guvernatori i Bankës të hetohej në burg që të mos dëmtoheshin provat.” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency