Erneta Shevroja
Gara në PD, drejtuesit e ardhshëm të 22 departamenteve dhe 6 sekretariateve do të zgjidhen me votë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zbardhi dje proceduarat për zgjedhjen e drejtuesve të departamenteve dhe të sekretariateve. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Basha ftoi që të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të aplikojnë për të zënë pozicionet e posaçme në dy strukturat.
Gara
Pasi zgjodhi Këshillin Kombëtar, tashmë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka hapur rrugë anëtarëve të PD-së që të garojnë për drejtues të 22 departamenteve dhe 6 sekretariateve. Gara u hap dje dhe aplikimi do të mbyllet më 6 nëntor të këtij viti. Drejtuesit e këtyre dy organeve do të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili u zgjodh gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së më datat 27-28 shtator.
Kriteret
Anëtarët që do të aplikojnë duhet të plotësojnë disa kritere, në bazë të të cilave Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të bëjë përzgjedhjen për të caktuar 22 drejtuesit e departamenteve dhe 6 drejtuesit e sekretariateve. Kushti i parë që duhet të plotësojnë anëtarët, të cilët do të futen në garën për drejtues ka të bëjë me shkollimin. Aplikantët sipas udhëzimit të posaçëm të kreut të PD-së, duhet të kenë shkollim të plotë dhe cilësor. Gjithashtu, duhet të kenë karrierë të spikatur në fushën profesionale dhe akademike. Kriteri i dytë lidhet me reputacionin që aplikanti gëzon në shoqëri si dhe përgatitja politike.
Aplikantët, sipas udhëzimit të Bashës, duhet të gëzojnë reputacion pozitiv në shoqëri për aktivitetin dhe integritetin e tyre profesional e njerëzor, si dhe politik. Konkurrentët duhet të kenë një karrierë të sprovuar në politik si dhe të ofrojnë mundësi të vërteta për ngritjen në nivel më të lartë të rezultateve të Partisë Demokratike. Sipas udhëzimit të kryetarit të PD-së konkurrentët përveç aplikimit do të dorëzojnë edhe një letër ku do të jetë i përmbledhur vizioni i tyre për pozicionin që ata dëshirojnë ose janë të kualifikuar. Drejtuesit e ardhshëm të këtyre strukturave do të zgjidhen me votë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike.
Departamentet
- Energjia dhe Burime Njerëzore
- Infrastruktura dhe Transporti
- Bujqësia, Zhvillimi Rural, Peshkimi dhe Agroindustria
- Shoqëria e Informacionit dhe Komunikimi
- Ekonomia dhe Tregu
- Financat Publike, Tregu Bankar Financiar dhe jo Bankar
- Antikorrupsioni, Aksesi Publik në Shërbime dhe Transparenca në Qeverisje
- Të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore
- Punësimi dhe Çështjet Sociale
- Emigracioni dhe Diaspora
- Të Përndjekurit Politik dhe Pronarët
- Siguria, Rendi Publik, Lufta kundër Krimit
- Administrata Publike
- Sistemi i Drejtësisë dhe Gjyqësori
- Pushteti Vendor dhe Administrimi i Territorit
- Ambienti, Pyjet dhe Turizmi
- Arsimi, Shkenca dhe Inovacioni
- Kultura, Rinia dhe Sporti
- Shëndetësia
- Integrimi Evropian
- Politika e Jashtme
- Siguria Kombëtare
Sekretariatet
- Burime Njerëzore
- Organizimi
- Çështjet Zgjedhore
- Marrëdhëniet me Publikun
- Organizata Partnere
- Shoqëria Civile
Rritja e pensioneve/ Basha, thirrje për protesta: Rama përgënjeshtron veten, sa do të rritet çmimi i energjisë
Edhe pse Kryeministri disa herë i ka cilësuar spekulime zërat se do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh dje se Rama përgënjeshtron vetë deklaratat e tij. Kjo lidhet me faktin e heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh, nga ana tjetër Kryeministri premton rritje të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara. “Rama përgënjeshtron veten: Njëherë deklaron se çmimi i energjisë nuk do të rritet, pastaj premton rritje pensioni për kryefamiljarët për të balancuar efektin e rritjes së çmimit!!!”, – shkroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas liderit të opozitës, kreu i qeverisë po devijon nga pyetja kryesore, sa do te rritet çmimi i energjisë? “Sa do te rritet çmimi i energjisë? Edi Rama nuk ka ndërmend t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ai vazhdon të tallet me shqiptaret, ashtu siç u tall kur në vit më parë premtoi jo rritje, por ulje të çmimit të energjisë”. Sipas Bashës, do të jenë mbi 2 milionë shqiptarë që do të vuajnë nga rritja e energjisë. Edhe një herë, kreu i opozitës deklaron se rruga e vetme janë protestat për të ndaluar sipas tij politikat e qeverisë që varfërojnë shqiptarët. “Mbi 2 milionë shqiptarë do të paguajnë më shumë, do të varfërohen më tej! E vetmja gjë që na ofron sot dyshja Rama-Meta është rritje çmimesh, rritje taksash dhe gjobash, dhunë policore, arbitraritet dhe paligjshmëri. Protestat popullore janë rruga e vetme për të ndalur të keqen që po pllakos vendin”, – shprehet kreu i PD-së. Në seancën e djeshme parlamentare kryeministri Edi Rama tha se Qeveria do të rrisë pensionet e të moshuarve, pensionet e familjare, ndihmën ekonomike dhe pagat për personat me aftësi të kufizuar me qëllim që të mos e ndiejnë heqjen e fashës prej 300 kilovatësh. “Rritja e pensioneve të të moshuarve, pensionit familjar, rritja e ndihmës ekonomike dhe rritja e pagës së aftësive të kufizuara në funksion të përballimit pa asnjë më të voglën dhimbje të heqjes së fashës së famshme të 300 KV”, – tha Rama në sallën e Kuvendit.