Gëzim Saliu
Berisha: Mbështes ndëshkimin për vjedhësit e energjisë, por s’bëhet me terror policor në çerdhe, kopshte e shkolla
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje qeverinë se me masat e marra së fundmi po vendos shtetin policor në vend, duke i mbajtur me dhunë, sipas tij, shqiptarët nën ankthin e mbijetesës. Duke bërë të ditur se situata në vend është përkeqësuar si nga parametrat ekonomikë ashtu edhe nga ata ligjorë, kryedemokrati theksoi se qytetarët shqiptarë nuk mund të pranojnë rikthimin e shtetit që e rrëzuan 24 vite më parë. “Brenda një viti, ekonomia hyri në krizë. Papunësia dhe varfëria ka pushtuar çdo familje. Qytetarët luftojnë sot për mbijetesë, për bukën e gojës. Nuk dinë të qeverisin por të gjobisin, nuk dinë të drejtojnë por të dhunojnë. Nuk dinë të krijojnë pasuri kombëtare por të rrisin taksat, borxhet, çmimin e energjisë, naftës, ushqimeve, tarifat e shkollave dhe koston e jetesës. Premtuan mirëqenie, po sjellin shkatërrim të ekonomisë, vlerave demokratike dhe shtetit ligjor. Përmes dhunës synojnë t’i mbajnë shqiptarët nën ankthin e mbijetesës, nën frikën e së nesërmes. 24 vjet më parë, ne refuzuam shtetin policor dhe kthyem sytë nga shteti ligjor. Sot, nuk mund të lejojmë kthimin pas. Kjo është fytyra e së keqes dhe këtë të keqe ne duhet ta ndalim, sa nuk është vonë”, – theksoi lideri i opozitës.
Berisha
Ndërkaq, lidhur me aksionin e fundit të qeverisë ka reaguar edhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili megjithëse theksoi se mbështeste ndëshkimin sipas ligjit për të gjithë ata që vjedhin energjinë, pohoi se kjo nuk mund të arrihet përmes terrorit policor në çerdhe e shkolla. “Klika Rama – Meta, pas Kongresit Kombëtar të Policisë për energjinë, në kuadrin e shtetit policor nën pretekstin e luftës kundër vjedhjeve të energjisë elektrike, kanë ndërmarrë një valë terrori dhe reprezaljesh policore ndaj popullatës në mbarë vendin. Unë jam absolutisht për prerjen dhe ndëshkimin ligjor të çdo lidhjeje të paligjshme, dhe kjo është e domosdoshme. Por ky terror oruellian kulmon me akte të shëmtuara tejet të rralla edhe për pushtimet më të egra, futjen e çizmeve të Policisë në çerdhe, kopshte, shkolla, terrorizimi i vogëlushëve, nxënësve, mësuesve për të kontrolluar për vjedhje të energjisë”, – u shpreh përmes një reagimi në rrjetin social “FB” ish-kreu i qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Berisha tha se e gjithë kjo valë aksion vjen për të fashitur revoltën popullore që po zien sipas tij në mbarë vendin për rritjen e madhe në nivelin më të lartë në Evropë të çmimit të energjisë si dhe për shkak të vjedhjeve me faturat aforfe. “Qytetarë, ju nuk meritoni kurrë ndëshkimin me rritjen e çmimit të energjisë ndaj dhe duhet t’u dilni zot interesave tuaja!”, – theksoi ai. Ndërkaq dy ditë më parë, kreu i PD-së Basha bëri thirrje për protesta popullore kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Sipas kreut të opozitës, edhe pse qeveria nuk e pranon se përmes heqjes së fashës së 300 kë do të rritet çmimi i energjisë, vetë deklaratat e kryeministri për rritje të pensionit për kryefamiljarët e vërteton këtë fakt.
PD: Po bëhen prishje selektive, ja faktet. Po dhunohen qytetarët, miqtë e qeverisë s’preken
Partia Demokratike ka vazhduar dje denoncimet kundër prishjeve selektive që po bën INUK dhe i bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë pranë forcës kryesore të opozitës rastet e shkeljes së ligjit dhe të pabarazisë. Koordinatori i PD-se, Ervin Salianji, përmes një deklarate nga selia blu bëri publik rastin kur INUK ndërhyn tek një biznes dhe lë pa prekur anash tij dy lokale që janë të lidhur me qeverinë. “Siç tregon dhe fotoja, prishet hyrja e këtij lokalit në kat të dytë dhe këto dy ambientet e tjera që gjenden në të njëjtat rrethana ligjore, nuk preken. Pse? Sepse pronarët e tyre janë të lidhur me qeverinë. Arbitrariteti i qeverisë me aksionet policeske për ndërtimet dhe energjinë po thellohet çdo ditë, duke dhunuar të drejtat e njeriut dhe duke krijuar pabarazi para ligjit”, – tha ai. Sipas tij, PD shprehet e vendosur në favor të zbatimit të ligjit, por e vendosur të denoncojë çdo rast kur represioni cenon të drejtat e njeriut dhe kur selektiviteti krijon padrejtësi dhe pabarazi. “U bëjmë thirrje qytetarëve që të denoncojnë pranë zyrave tona rastet e shkeljes së ligjit dhe pabarazisë. Partia Demokratike ka ngritur një grup ekspertësh që do të trajtojnë dhe bëjnë publike çdo rast që do të paraqesin të dëmtuarit. Po ia bëjmë sot të qartë edhe një herë çdo shkelësi, abuzuesi apo dhunuesi të dinjitetit dhe pronës së qytetarëve se nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, por do të përgjigjet deri më një”. Po ashtu, nga qyteti i Durrësit, deputeti Eduard Halimi denoncoi dje prishjet e paligjshme e selektive dhe ndërtimet klienteliste që po vazhdojnë ndërkohë në breg të detit. “Asnjë copë lepër nuk u është dhënë në dorë qytetarëve. Për 30 minuta kanë kaluar fadromat e INUK-t bashkë me fadromat e policisë dhe kanë shkatërruar gjithçka. Këtu vetëm shtet ligjor nuk mund të ketë. Po vepron me arrogancë të plotë duke e zëvendësuar shtetin ligjor me një shtet policor, për më tepër kur po prishen banesat dhe lokalet e këtyre fukarenjve dhe shihni nga krahu tjetër ku është dhënë leja e ndërtimit dhe si po ndërtohet pallati”, – u shpreh Halimi pasi u takua me banorë të zonës së plazhit të dëmtuar nga arbitrariteti i qeverisë.