Erneta Shevroja
Kryeministri: Të prodhojmë kapacitete të reja për tregun e punës, kjo kërkon rishikim rrënjësor të të gjithë mënyrës së funksionimit dhe sjelljes së universitetit me tregun e punës dhe anasjelltas
“Sjellja e sistemit tonë arsimor është si para 25 viteve”, – deklaroi dje Kryeministri Edi Rama në Vlorë, ku mori pjesë në 20-vjetorin e themelimit të Universitetit “Ismail Qemali”. Kryeministri paralajmëroi fakte “tronditëse” që do të bëhen publike këtë të hënë për arsimin parauniversitar, duke u shprehur se rrënjët e dijes janë tërësisht jofunksionale. Një ndër masat më urgjente që do të merret nga qeveria, do të jetë licencimi i mësuesve që japin mësim në shkollat e mesme, lajmëroi Rama. Një problematikë tjetër ku u përqendrua shefi i qeverisë ishte arsimi i lartë, që shumë shpejt do të kalojë në Parlament për diskutim dhe në fjalë janë ndryshime të thella të funksionimit të vetë strukturës së universiteteve. Po ashtu, Rama foli edhe për tregun e punës. Ndërkohë që çdo kush arsimohet për të pasur një vend pune, sistemi aktual nuk e jep këtë rezultat. Sipas kreut të qeverisë, fokusi duhet të vendoset te kërkesa e tregut.
Monitorimi, rezultate tronditëse
Kreu i qeverisë shfrytëzoi një takim në Universitetin e Vlorës për të bërë të ditur të gjitha problematikat që e mundojnë sot sistemin arsimor. Duke u ndalur tek arsimi parauniversitar, shefi i qeverisë deklaroi se problematikat janë shumë më të mëdha nga sa ç’pritej. Ai njoftoi se ditën e hënë do të bëhen publike rezultatet e një monitorimi disamujor, i kryer në arsimin parauniversitar në të gjithë vendin. Ai paralajmëroi fakte “tronditëse”. “Ditën e hënë kemi vendosur që rezultatet e këtij monitorimi t’i bëjmë publike, pavarësisht se kush mendon me zemër për të mirën e këtij vendi, do të tronditet nga rezultatet. Rezultate aq tronditëse, por edhe aq domethënëse për të kuptuar se sa shumë jofunksionale dhe se sa shumë të sëmura janë rrënjët e sistemit tonë të dijes dhe se çfarë kalbëzimi ka pësuar në rrënjë sistemi ynë i dijes, duke përcjellë vit pas viti, përgjatë gjithë trungut të dijes, një sëmundje, e cila ka nevojë sot për një operacion rrënjësor”, – paralajmëroi Rama. Monitorimi kishte në fjalë identifikimin e mësuesve që japin lëndë përkatëse, duke e mos e pasur atë si profilin për të cilin janë specializuar. Por, përveç këtij fakti, kreu i mazhorancës tha se janë shumë mësues pa arsim fare që japin mësim në shkollat e mesme, por edhe mësues që nuk japin mësim ndërkohë që marrin rrogë. “U nisëm për të konstatuar numrin e mësuesve jashtë profilit dhe ajo që gjetëm është se përtej numrit të mësuesve jashtë profilit, që është një numër absolutisht i papranueshëm, ka një numër ende më të madh mësuesish pa arsim, fare, përkatës. Sikundër ka një numër të konsiderueshëm mësuesish që paguhen prej vitesh me paratë e popullit shqiptar dhe që nuk japin mësim”, – tha Rama, duke njoftuar njëkohësisht masat që pritet të merren për shkollat parauniversitare.
Masat, urgjent licencimi i mësuesve
Qeveria do të marrë edhe një masë të pazbatuar deri tani. Mësuesit do të pajisen me licencë dhe do t’u nënshtrohen provimeve sistematike. “E para, për të pastruar sistemin nga mësuesit pa arsim dhe në një kohë, sa ç’është koha që kemi deri në fund të vitit; e dyta, për të pastruar mësuesit jashtë profilit; e treta, për të pastruar sistemin nga mësuesit që paguhen pa dhënë mësim fare; e katërta dhe më e rëndësishmja, për të nisur urgjentisht procesin e licencimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë përmes provimit të licencimit dhe për të bërë që çdo mësues i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm të ketë licencën e mësuesit, por të ketë edhe kuotën e krediteve të veta që duhet t’i rinovojë në mënyrë sistematike, me provime sistematike”, – deklaroi Rama në aktivitetin në Vlorë, ku e pranishme ishte edhe ministrja Lindita Nikolla dhe ambasadori italian, Massimo Gaiani.
Arsimi i lartë në Parlament
“Sjellja e sistemit tonë arsimor universitar është e njëjtë me atë të 25 viteve më parë”, – tha kreu i qeverisë referuar faktit se arsimi i lartë nuk u është përshtatur aspak kërkesave të tregut. “Dhe sfida që kemi është të lidhim universitetin sot, me botën sot!”, – u shpreh Kryeministrit. “Universiteti, çfarë bën?! I përgjigjet kësaj sfide? Dhe sipërmarrja çfarë bën? I qaset universitetit? Të dyja këto pyetje mbeten pa përgjigje ose kanë përgjigje negative për momentin, sepse sistemi ynë i të menduarit ende mbetet joaktiv, në funksion të këtij ndërveprimi. Dhe ne besojmë se ligji i arsimit të lartë, që shumë shpejt do të shkojë në Parlament, do të çelë perspektiva të reja për universitetet, duke bërë disa ndryshime rrënjësore në mënyrën e organizimit dhe duke u dhënë universiteteve një autonomi, jo thjesht për të zgjedhur rektorin apo për të zgjedhur dekanët, por për të vepruar si forca që kanë kapacitete dhe mundësi ligjore fitimprurëse. Në mënyrë që universitetet të kthehen në instrument, edhe përfitimi financiar, për nevojat e veta dhe për nevojat e stafit pedagogjik, në funksion të kërkimit shkencor dhe në funksion të rritjes së mundësive ekonomike të stafeve akademike”, – nënvizoi shefi i qeverisë.
Rama ritheksoi që të mos “prodhojmë diploma për tregun nesër, por të prodhojmë kapacitete të reja për tregun e punës sot dhe kjo kërkon rishikim rrënjësor të të gjithë mënyrës së funksionimit dhe sjelljes së universitetit me tregun e punës dhe anasjelltas. Për të vërtetuar këtë fakt, Rama mori një shembull. “Shqipëria sot është qartësisht një vend që ka hyrë në një rrugë zhvillimi intensive të industrisë së naftës. Ne besojmë, shumë shpejt, edhe të gazit. Është gjithmonë e më qartë edhe nga të dhënat e fundit të eksplorimeve se Shqipëria ka një pasuri ende të panjohur në naftë dhe në gaz, që mund të përcaktojë në mënyrë dramatike një kapërcim epokal të vendit tonë në vitet e ardhshme. Po sa inxhinierë nafte ka sot Shqipëria?, – pyeti Kryeministri. – Të gjithë në Kanada! Po sa teknikë nafte ka sot Shqipëria? Sa njerëz të lidhur me këtë industri ka sot Shqipëria? Zero!”, – theksoi ai.
Në fund të takimit, Kryeministri këshilloi studentët të mos dëgjojnë këshilla se gjerat nuk bëhen. “Do t’ju dalin njerëz përpara që do t’ju thonë: “shiko se je e re, je i ri, nuk e di ti si bëhet kjo punë”. Mos i dëgjoni!”
Ambasadorja e BE-së, Vlahutin: Shqipëria s’duhet të humbë kohë për hapjen e negociatave
Shqipëria nuk duhet të humb kohë për hapjen e negociatave me Bashkimin e Europian, për të qenë pjesë e strukturave të saj. Kështu deklaroi dje ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin e ftuar në Universitetin e Vlorës, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Sipas Vlahutin, marrja e statusit të vendit kandidat, i shton detyra tepër më të rëndësishme Shqipërisë, të cilat duhet ti përmbushë. “Rregullat janë tejet të rëndësishme dhe na bëjnë të parashikueshëm. Rregullat nuk janë këtu për t’ju vështirësuar jetën, por për tua rregulluar. Tragjedia e Luftës së Dytë Botërore solli një paradigmë. E që atëherë nuk flitej më për fitimtarë. BE u ngit mbi diçka që unë e quaj strategji. Kjo është ajo që dua t’ju them sot. Nuk do jeni më kurrë vetëm. Për vende në tranzicion si Shqipëria, është themelore t’ju them se ju u bëtë vend anëtar për Be, por ju shtuan detyrimet. Është mjaftë me rëndësi të kuptoni se kjo po ndodh se ju e deshët, dhe është pjesë e të ardhshmes suaj. Negociatat me BE janë të ftohta, por në fakt ka pak dhe aspak për të negociuar, pasi ka rregulla për gjithkënd. Ajo çka duhet të bëjmë është që Shqipëria mos të humb kohë.”-tha Vlahutin. Duke përmendur investimet e Bashkimit Europian, ambasadorja Vlahutin theksoi se janë akorduar 20 milion euro për ndërtimin e shëtitores së Vlorës.