Studentët kërkojnë rritje të investimeve, biblioteka, hapësira publike dhe tarifa të ulëta
“Qëndrimin publik të Këshillit të Ministrave e presim deri në mbledhjen e tij të radhës, më datë 5.11.2014, dhe deklarojmë se nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, në traditën më të mirë të mosbindjes civile dhe vetëvendosjes në universitet, do t’i përshkallëzojmë qëndrimet tona deri në zaptime të plota të universiteteve shtetërore”. Ky është paralajmërimi i mijëra studentëve, të cilët i kërkojnë qeverisë uljen e tarifave të studimit. Peticioni, i cili i është dërguar Këshillit të Ministrave, kërkon anulimin e vendimit, i cili rrit në mënyrë të konsiderueshme tarifat për programet e studimit master. Gjithashtu, studentët kërkojnë që të mos paguajnë 30% të tarifës së masterit që në fillim të vitit akademik.
Peticioni i studentëve drejtuar qeverisë
Ne, studentët e universiteteve publike të Republikës së Shqipërisë, duke shprehur shqetësimin tonë në lidhje me situatën e krijuar rishtazi nga ndryshimet në legjislacionin e Arsimit të Lartë, si dhe duke shprehur shqetësimin e kahershëm për mungesë të kushteve dhe standardeve të nevojshme për të garantuar një arsimim cilësor dhe dinjitoz,po i drejtohemi Këshillit të Ministrave dhe organeve përgjegjëse për arsimin e lartë (MAS, Rektorate etj.) me këtë peticion, duke kërkuar anulimin me efekt të menjëhershëm të:
– Rritjes së tarifave të studimit për të gjitha nivelet e studimit për vitin akademik 2014- 2015. Gjithashtu, kërkojmë ulje të përshkallëzuar drejt 0-s të tarifave të studimit në vitet në vazhdim.
– Pagesës në formën e paradhënies së 30% të tarifës së masterit që në fillim të tij.
– Pagesës për provimet e mbartura ose për përmirësim. Dija është një e drejtë universale dhe jo mall treg Pika 18 e Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15.10.2014, shkel parimin e pabarazisë dhe të mos diskriminimit në Arsimin e Lartë, për shkak të pamundësisë ekonomike të studentëve për të paguar tarifat e larta.
Kërkesat tona në lidhje me përmirësimin e kushteve dhe vendosjen e standardeve me të cilat garantohet një arsimim cilësor dhe dinjitoz, përshijnë:
- Rritjen e investimeve në infrastrukturën universitare
- Transparencë administrative dhe financiare
- Unifikim të metodave të vlerësimit për të gjithë universitetet shtetërore
- Garantimi i praktikës mësimore dhe ofrimi i mundësive të pësimit.
Rritje të investimeve në infrastrukturën universitare
Kërkojmë të përmirësohet infrastruktura e brendshme e fakulteteve/universiteteve, ku përfshihen:
- Krijimi i laboratorëve të kërkimit dhe të ambienteve ku të zhvillohen praktikat dhe eksperimentet në mënyrë cilësore
- Biblioteka serioze, me literaturën e domosdoshme
- Kushte normale infrastrukturore (ndriçim, ngrohje etj.) për zhvillimin e proceseve mësimore.
- Hapësira të lira publike brenda ambienteve universitare për kohën e lirë të studentëve
Transparencë administrative dhe financiare
- Të bëhen transparente aktivitetet dhe procedurat administrative të strukturave universitare, për mirinformimin e universitarëve në lidhje me veprimtarinë e tyre të përditshme.
- Të bëhen transparente burimet dhe shpenzimet financiare të universiteteve, për të shmang korrupsionin dhe keqpërdorimet e tjera lë mundshme me fondet publike. Unifikimi i metodave të vlerësimit për të gjithë universitetet shtetërore Vlerësimi duhet të kryhet sipas Rregullores së Sistemit të Bolonjës në të gjitha universitetet shtetërore. Kjo Rregullore cilëson qartë mënyrën e vlerësimit të cilësisë dhe rishikimit të elementëve përkatës të disiplinave, si dhe ndarjen e krediteve ndërmjet tyre (leksione, seminare, detyra, projekte, laboratorë etj.). Ose në të kundërt, nëse kjo metodë vlerësimi nuk aplikohet për të gjitha universitetet, atëherë të shfuqizohet dhe të vendoset një sistem tjetër funksional dhe i unifikuar.
Garantimi i praktikës mësimore dhe ofrimi i mundësive të punësimit
- Praktika dhe programe trajnimi. Organet shtetërore kompetente dhe universitetet duhet të krijojnë ndërmjetësim me agjenci të ndryshme shoqërore për afrimin dhe trajnimin e studentëve në fusha të ndryshme studimi, për përmirësimin e aftësive të tyre profesionale. Kjo është një e drejtë që studentët evropianë dhe Ballkan as e kanë, përveç atyre shqiptarë.
- Bashkëpunim të koordinuar shtet-universitet për ofrimin e mundësive të punësimit. Strukturat më të larta drejtuese shtetërore, në bashkëpunim me universitetet, duhet të bëjnë të mundur afrimin e agjencive të ndryshme shoqërore, shtetërore dhe private, për t’u krijuar mundësinë studentëve në prag diplomimi për një punësim sa më të shpejtë në fushën e tyre të studimit. Kërkojmë një deklaratë publike të menjëhershme nga Këshilli i Ministrave dhe organet kompetente për Arsimin e Lartë, ku të komunikohet mbështetje institucionale për kërkesat tona dhe fillimi i një procesi konkret për realizimin e tyre!
Qëndrimin publik të Këshillit të Ministrave e presim deri në mbledhjen e tij të radhës, më datë 5.11.2014, dhe deklarojmë se nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, në traditën më të mirë të mosbindjes civile dhe vetëvendosjes në universitet, do t’i përshkallëzojmë qëndrimet tona deri në zaptime të plota të universiteteve shtetërore. Universiteti është i të gjithëve!
STUDENTËT E UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË