Vendimi i qeverisë për kalimin e 150 mijë metrave katrorë truall në pronësi të qytetarëve në Shkodër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër rihap procesin e legalizimit për 481 familje. Kështu bëri të ditur dje kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili tha se kjo është hera e parë që procesi i legalizimeve zhbllokohet pas një viti e gjysmë dhe vendime të tilla do të merren çdo muaj. “Me këtë vendim ALUIZNI rihap edhe një tjetër fazë të rëndësishme të procesit të legalizimeve, që është pikërisht ai i kalimit të pronësisë së truallit të qytetarëve që po legalizojnë banesat e tyre. Trualli që i kalon në pronësi këtyre qytetarëve, aktualisht është në pronësi shtet ose me pronar të tretë. Nëpërmjet këtij vendimi shteti heq dorë nga pronësia për këto troje, duke ja kaluar qytetarëve, për rastet kur trualli është me pronar shtetin”, – tha Lame. Ndërkaq, për rastet trualli ka pronar të tretë, kreu i ALUIZNI-t bëri të ditur se do të vazhdohet me procesin e kompensimit të tyre. “Për ne procesi i legalizimeve mbetet i lidhur ngushtësisht me procesin tjetër po aq të rëndësishëm të kompensimit të ish-pronarëve”, – u shpreh ai. Vlera që paguajnë qytetarët të cilët kërkojnë legalizimin është sa çmimi i një metri katror të miratuar në hartën e pronave. Nëse i paguan paratë menjëherë përfiton 20% ulje, 10% ulje përfiton edhe nëse vërteton se ke paguar rregullisht faturën e energjisë elektrike. Ndërsa qytetarët të cilët kanë ndërtuar pa leje, por në tokë të tyre përfitojnë 50% ulje të çmimit.