Policia: Dyshime për vdekje aksidentale ose vrasje. Në trup nuk iu gjetën shenja dhune
Lezhë
Vdekje aksidentale apo vrasje? Ky është dyshimi që pritet të zbardhin ekspertët mjeko-ligjorë për shkakun e vdekjes së një 46-vjeçareje, e cila u gjet e dekompozuar në bodrumin e një pallati 8-katësh në qytetin e Lezhës. Sipas burimeve policore, trupi i pajetë dhe i dekompozuar i gruas u gjet në gropën e ashensorit të pallatit, ku dyshohet se prej javësh ndodhej trupi i Lule Jakbashaj dhe që deri mëngjesin e djeshëm nuk ishte konstatuar nga askush. Policia pritet të hedhë dritë rreth kësaj ngjarjeje, nëse gruaja ka rënë aksidentalisht në gropën e ashensorit apo dikush e ka vrarë në vend tjetër dhe më pas e ka hedhur aty. Paraprakisht bëhet me dije se në trupin e gruas nuk janë konstatuar shenja dhune.
Zbulimi
Era e përhapur nga trupi i dekompozuar i gruas bëri që banorët të njoftojnë policinë, e cila gjeti në bodrumin e Pallatit (aty ku ndodhet gropa e ashensorit) trupin e pajetë. Viktima është identifikuar si 46-vjeçarja Lule Jakbashaj, nga fshati Balldre i Lezhës. Burime pranë policisë bëjnë me dije se trupi i pajetë i 46-vjecares ishte i dekompozuar, çka tregon se vdekja e saj ka ndodhur prej javësh. Mësohet, gjithashtu, se në pallatin ku u gjet trupi i pajetë jetonte një kushërirë e viktimës, e cila po merret me në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Trupi i pajetë i 46-vjeçares ndodhet aktualisht në morg ku po i nënshtrohet eskpertizës mjeko-ligjore, e cila do përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes.
Dyshimet
Megjithatë policia ka disa dyshime për këtë ngjarje dhe për këtë pret përgjigjen e ekspertizës mbi shkaqet e vdekjes. Dyshimet e bluve të qytetit të Lezhës, veç vdekjes aksidentale, çojnë edhe në pistën e vrasjes. Blutë e Lezhës dyshojnë që gruaja të jetë hedhur aty pasi të jetë vrarë, por megjithatë autopsia do të hedhë dritë mbi shkaqet e vdekjes. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se në trupin e gruas nuk janë gjetur shenja dhune. Në pyetje po merren edhe familjarët edhe viktimës, ndërkohë që për policinë mbetet e mistershme se përse nuk ka pasur denoncim për zhdukjen e 46-vjeçares përgjatë gjithë këtyre ditëve.
Tiranë/ Tritol depos farmaceutike, shënohen vetëm dëme materiale
Një ndërtese në autostradën Tiranë-Durrës është bërë mëngjesin e djeshëm pre e një sulmi me tritol, ndërsa ka shpërthyer kati i parë i saj i cili ishte në ndërtim. Ngjarja ndodhi dje në kilometrin e 7-të të autostradës ku ndodhet ndërtesa disakatëshe. Nga shpërthimi me lëndë plasëse tritol pati vetëm dëme të vogla materiale në katin e parë, pa shënuar të lënduar në njerëz. Sipas burimeve, godina ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të Nexhat Sheqit, 54 vjeç, ndërsa dyshohet që shpërthimi të jetë bërë me 150 gram tritol. Ky objekt është drejt përfundimit dhe do të shërbejë si depo farmaceutike e “Rejasi Pharm”, ku do të përfshijë edhe vendosjen e administratës në zyrat e kësaj ndërtese.
Shkodër/ I thyejnë makinën, avokates i vjedhin 3 mijë lekë dhe dy prokura
Një avokate ka rënë pre e hajdutëve në Shkodër. Sipas burimeve policore, avokatja Jelldyz Kastrati, e cila njihet për mbrojtjen e disa të pandehurve në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dëmtuar në qytetin e Shkodrës pasi i kanë vjedhur para e dokumente. Grabitja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit të Shkodrës tek shkolla “Ismail Qemali”, aty ku edhe ka qenë makina e parkuar. Automjeti privat i avokates Kastrati është grabitur gjatë natës ndërsa nga kroskoti i makinës janë marrë 3 mijë lekë të reja, si dhe dy prokura. Kohët e fundit avokatia Jelldyz Kastrati, ka përfaqësuar mbrojtjen ndaj disa personave të njohur në botën e krimit. Ndërsa për 3 vite me radhë ka qenë edhe avokatja e Dritan Dajtit, si dhe e anëtarëve të bandës së Durrësit e asaj të Cërrikut.