Prokuroria: Përfunduan hetimet për Anesti Dhimojanin, dosja dorëzohet për gjykim në gjykatë për akuzën “Refuzim për deklarim të interesave private”
Vlorë
Ish-kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës është dërguar dje në gjyq nga Prokuroria e këtij qyteti me akuzën e “Refuzimit për deklarim të interesave private”. Sipas akuzës, hetimi ndaj Anesti Dhimojanit ka nisur pas kallëzimit të dorëzuar në 29 gusht 2014 nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Sipas burimeve nga akuza e Vlorës, nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Dhimojani nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private ‘Pas largimit nga funksioni”, pavarësisht se ai kishte njoftim zyrtar mbi këtë detyrim dhe fillimisht ndaj tij ishte aplikuar edhe masa administrative “gjobë” për vonesë në deklarim.
Akuza
Organi i akuzës së Vlorës bën me dije se i pandehuri Anesti Dhimojani ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë nga data 1.11.2011 deri në datën 4.6.2014, datë në të cilën është larguar nga kjo detyrë. Bazuar në kërkesat e nenit 3, paragrafi (1), germa (ç) të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, për shkak të këtij funksioni i pandehuri Anesti Dhimojani ka pasur detyrimin që të dorëzonte deklarimin e interesave private pranë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPKI) Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Anesti Dhimojani nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private “Periodike vjetore”, për vitet 2011, 2012 dhe 2013. Po kështu, nuk rezulton që i pandehuri Anesti Dhimojani të ketë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar deklaratën e interesave private pas largimit nga funksioni, brenda afatit 15-ditor, siç është parashikuar edhe nga neni 7/1, pika 3 e ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.
Vendosja e gjobës
Lidhur me këto mosveprime ILDKPKI Tiranë, me vendimin me nr. 178, datë 29.8.2014 ka vendosur që të marrë masë administrative ndaj të pandehurit Anesti Dhimojani, duke e dënuar atë me gjobë në masën 100.000 lekë. Vendimi i mësipërm i është njoftuar të pandehurit me anë të shërbimit postar dhe i pandehuri ka marrë dijeni për vendosjen e masës administrative. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se edhe pas vendosjes së masës administrative dhe njoftimit të saj i pandehuri Anesti Dhimojani nuk ka dorëzuar në organin kompetent deklarimin e interesave private “Periodike vjetore”, për vitet 2011, 2012 dhe 2013, si dhe nuk ka dorëzuar interesave private pas largimit nga funksioni. Në këto rrethana, i pandehuri Anesti Dhimojani akuzohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/1 i K. Penal.
Dëshmia
I pyetur lidhur me akuzën i pandehuri ka shpjeguar se ka dijeni për masën administrative të marrë nga ILDKPKI Tiranë ndaj tij, ka shpjeguar gjithashtu se deklaratat e interesave private periodike vjetore dhe atë pas largimit nga funksioni nuk i ka dorëzuar për shkak të neglizhencës së tij, por jo me ndonjë qëllim për të fshehur ndonjë pasuri. Por, sipas akuzës, këto shpjegime nuk përbëjnë shkak për përjashtimin e të pandehurit nga përgjegjësia penale.
Vlorë/ Pranga dy të rinjve, grabitën filialin e një banke të nivelit të dytë
Dy të rinj janë vënë në pranga dje nga policia e Vlorës, pas grabitjes së filialit të një banke të nivelit të dytë në këtë qytet. Dy të rinjtë, shokë mes tyre, Skënder Lamaj, 28 vjeç nga fshati Trevllazër dhe Irakli Halilaj, 30 vjeç, nga Vlora, kanë qenë të maskuar dhe armatosur në momentin e sulmit dhe prangosja e tyre u bë e mundur vetëm falë shtypjes në kohë të sistemit të alarmit nga njëri prej punonjësve të bankës. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites në zonën e Skelës në Vlorë, ndërsa mundën të bllokonin jo vetëm hajdutët, por edhe ato pak para që mundën të merrnin. Të maskuarit kishin hyrë në bankë si njerëz të zakonshëm dhe më pas nën kërcënimin e armëve i kërkuan njërës prej arkëtareve shumën e parave që ajo kishte në kasafortë. Por, pavarësisht se arritën të merrnin paratë, ata nuk mundën të largoheshin shumë pasi pas njoftimit me anë të sistemit të alarmit, u bllokuan në kohë nga policia. Pas arrestimit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy paruke dhe çantën e grabitësve në afërsi të bankës. Nga të dhënat e para mësohet se dy të rinjtë kanë vendosur të largohen në këmbë deri te automjeti me targa TR 2509 U, tip “FIAT Brava” që e kishin parkuar te universiteti i Vlorës, pak metra larg vendit ku ndodhej banka. Ende nuk dihet ende nëse ka pasur person të tretë të përfshirë në tentativën e grabitjes së bankës, megjithatë hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë. Ndërkohë që parukja dhe sendet e gjetura në çantën e grabitësve do i nënshtrohen ekspertizës.