Erneta Shevroja
Deputetja: Mbetet djali im, drejtësia do të veprojë. Rama: Ligji i njëjtë për të gjithë
Kryeministri Edi Rama doli dje në një konferencë për mediat, jo ashtu siç pritej pas lajmërimit të tij, por ai doli i shoqëruar nga deputetja dhe mikja e tij, Luiza Xhuvani, pas përfshirjes së djalit të saj në krimin e rëndë që ndodhi në Rrugën e Elbasanit në të gdhirë të ditës së djeshme. Xhuvani ishte e para që foli, ku deputetja, e cila është edhe nëna e njërit prej të dyshuarve të vrasjes së 4-fishtë, në konferencën e drejtpërdrejtë për mediat, njoftoi se pas ngjarjes së rëndë i kishte dorëzuar Kryeministrit dhe Kuvendit kërkesën për dorëheqje nga posti i deputetes. Luiza, nëna e Kostandinit 26 vjeç, garantoi se edhe për djalin e saj ligji do të veprojë njësoj si për çdo person tjetër. Edhe Kryeministri Rama siguroi se për këtë ngjarje “kriminale” do të vendoset drejtësia.
Rama
Kreu i qeverisë, Edi Rama, në fjalën e tij u shpreh se ngjarja makabre është edhe më e ndjeshme, për faktin se njëri prej të dyshuarve është djali i një zyrtareje të qeverisë. “Qysh në sekondën kur mora lajmin e rëndë për këtë ngjarje, ishin prindërit e të vrarëve dhe prindërit e autorëve të dyshuar që më erdhën në mendje. Arrij ta kuptoj se ç’mund të ndiejnë nënat, baballarët, të afërmit dhe miqtë e 4 të vrarëve, por edhe për faktin se i dyshuari kryesor i policisë për vrasjen e tyre është djali i një deputeteje. Ky fakt e bën të pamundur edhe për opinionin publik që të mos jetë i pandjeshëm ndaj një krimi që u mori jetën 4 personave”, – tha Rama. Referuar dorëheqjes së dhënë nga deputetja, Kryeministri u shpreh se politika duhet të mësojë nga vendimi i Xhuvanit dhe kjo duhet të vlejë edhe për gjykatësit. “Politika shqiptare duhet të mësojë nga vendimi i Xhuvanit, vendim i cili duhet t’u vlejë edhe gjykatësve. Zyrat janë tonat, por pushteti është i popullit. Fëmijët janë tanët, por ligji është njësoj për të gjithë fëmijët. Nuk duhet të ngatërrohemi me termat, në fakt. Kostandini është një burrë 26 vjeç, që është tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm që nuk kanë asgjë të përbashkët me jetën e ulët dhe me politikën e krimit. Gruaja dhe nëna, të cilës sot i ra fatkeqësia të jetojë në çdo qelizë të vetvetes shprehjen “Ç’të bën fëmija, s’ta bën as Perëndia!”, si asnjë burrë tjetër më parë, tregoi se nga çfarë niveli i lartë vjen. Nuk do të kisha dashur kurrë që të ndodhtë kjo gjëmë për miqtë e mi Luiza dhe Gjergj Xhuvani, por sot të gjithë ne që besojmë te etika e politikës, së bashku mund ta bëjmë më të mirë jetën tonë”, – tha Rama. Ndërkaq, duke u përqendruar tek ngjarja, Kryeministri tha se me shumë gjasë, djali i deputetes socialiste do ta ketë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi. “Luiza i përket jetës krijuese të një çifti artistësh, të cilët kanë bërë histori në kinematografinë e teatrin shqiptar dhe sot janë dy prindër tragjikisht fatkeqë që tanimë duhet ta jetojnë jetën e tyre familjare si një film të stërmundimshëm pa mbarim; në një apartament të vjetër e modest artistësh që kanë jetuar gjithnjë me të ardhurat e punës së ndershme e pak fitimprurëse krijuese; me një vajzë të mrekullueshme e të shkëlqyer në mësime dhe një djalë që, me shumë gjasë, do ta ketë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”.
Qëndrimi
Kryeministri Rama siguroi se ligji do të veprojë mbi të dyshuarin Kostandin Xhuvani njësoj si për të gjithë. Kreu i qeverisë akuzoi qeverinë e shkuar se në të tilla ngjarje do të vepronte shumë ndryshe nga ajo që bëri deputetja Xhuvani. “Sot unë di me siguri që koha e dyfytyrësisë së qeverisë në luftën me krimin e me kundërvajtësit ka perënduar në 23 qershor; koha e djalit që nxirrte babën përpara, për të mohuar baxhanakun e vet nga salla e konferencave të Kryeministrisë apo për ta trajtuar “New York Times”-in si letër higjienikë nga foltorja e Kuvendit, kur 26 vetë ishin pjekur të gjallë nga shpërthimi i korrupsionit të familjes në pushtet, ka mbaruar në 23 qershor”, – tha Rama. Më tej Kryeministri theksoi: “Çfarë u provua përsëri sot, është se Policia e Shtetit është në krye të detyrës ndaj kujtdo qoftë që i del përpara si objekt i punës së saj. Gjithashtu, e kam fare të pamundur ta imagjinoj që në atë kohë, do të ndryshonte në ndonjë gjë rruga e drejtësisë për fëmijën në fjalë nga rruga e drejtësisë që nxori të pafajshëm vrasësit e 21 Janarit. Çfarë do të ndodhë më tej me çështjen, sigurisht që do ta vendosë drejtësia. Por nëse herë të tjera, unë e kam ngritur zërin ndaj gjykatësve duke kërkuar drejtësi, nuk kam ndërmend ta ul sot”, – deklaroi kreu i qeverisë. “Luiza dëshmoi sot se të merresh me politikë për qëllime të mira, nuk është hiç njësoj si të luash teatër”, – e mbylli deklaratën Kryeministri.
Deklarata/ Luiza Xhuvani: Drejtësia të bëjë drejtësi, ajo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë askujt
Dalja e saj ishte e papritur, e megjithatë, Luiza Xhuvani, me lot në sy doli para mediave nga podiumi i Kryeministrit për t’u prononcuar lidhur me vrasjen, ku një prej autorëve të dyshuar ishte djali i saj Kostandini. Ajo tha se ajo që kishte ndodhur ishte një tragjedi e madhe për familjet e të vrarëve, ndërsa prononcimin e mbylli me fjalët: “Drejtësia le të bëjë drejtësi. Është dhimbja e një nëne, që sot e ka të pamundur të marrë mbi vete, fajet e të birit. E kuptoj se sot, gjëja më e lehtë dhe më e thjeshtë është që të fajësosh prindërit për fajin e Kostandinit, edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji, përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy, njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit, prindër që si çdo prind, dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por, me sa duket, paskemi qenë të pafat në këtë drejtim. Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është tragjike, por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj. Janë katër familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjtë, katër familje që sot kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi. Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë para ligjit. Kush është prind, më kupton; kush është nënë, më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave, ai do të mbetet djali im. E pikërisht se një nënë duhet të gjendet në krah të fëmijës në momente tragjike si kjo, me bindjen se drejtësia duhet të funksionojë me drejtësi ndaj kujtdo, edhe kur bëhet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdo lloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që ma ka zgjedhur, duke i kërkuar ndjesë, i kam paraqitur sot Kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PS-së dorëheqjen time si deputete e rrethit të Sarandës. Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua dhe mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë. Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im, nuk mund ta mohoj se është gjaku im. Po tërhiqem në thellësinë e dhimbjes, me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi”, – përfundoi Xhuvani.
Shkëlzen Berisha: Rama nuk na tha nëse ndikoi në lirimin e vrasësit herën e parë
Pas deklaratave të kreut të qeverisë, Edi Rama, se nuk do të zbatohen dy standarde në dënimin e autorëve të krimit, siç do të vepronte qeveria e shkuar, reagoi djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Djali i ish-kreut të qeverisë shkroi në faqen e tij në “Facebook” se Rama nuk kërkoi ndjesë publike për katër të vrarët. “Si gjithmonë asnjë ndjesë apo përgjegjësi politike për masakrimin e shëmtuar të 4 të rinjve, ndërsa ministri i tij luan me lodra nëpër emisione televizive”, – deklaroi Shkëlzen Berisha. Ai akuzoi Ramën se në fjalën e tij nuk tha nëse ka qenë i përfshirë në lirimin e Kostandin Xhuvanit herën e arë kur ai u burgos për vrasje. “Ai nuk gënjeu kur tha se ishte mik i familjes Xhuvani, por nuk na tha nëse ai dhe miqtë e tij kanë ndikuar në lirimin e vrasësit që herën e parë, duke i dhënë atij mundësi të vrasë sërish”, – akuzoi djali i ish-kreut të qeverisë. Djali i ish-kryeministrit reagoi edhe ndaj deklaratave të kreut të qeverisë Rama, i cili e akuzoi Shkëlzen Berishën si i përshirë në ngjarjen e Gërdecit ku u vranë 26 persona, por nuk pati asnjë të dënuar. “Përcolli të njëjtin stil shpifjesh, pa shije e të dala boje nga stërpërdorimi ndaj kundërshtarëve, sa herë që ndodhet nën presionin e opinionit publik. Doli për të na thënë se vendosi një standard politik, por nuk na tha çfarë e pengoi ta vendoste këtë standard kur djali i deputetes së tij vrau për herë të parë?”, – deklaroi djali i ish-kreut të qeverisë.