Gëzim Saliu
Basha: Rama, i lidhur me turp me ngjarjen, të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar gjeti sulmin ndaj opozitës
Rama: Bubullojnë para çdo mikrofoni si zhurma e prodhuar nga njeriu prej overdozës së fasuleve
Masakra e ndodhur dy ditë më parë në Rrugën e Elbasanit dhe përfshirja në të e djalit të deputetes së dorëhequr tashmë Luiza Xhuvani ka sjellë reagime të forta nga palët politike. Kryeministri Rama, i cili ditën e ngjarjes theksoi se drejtësia është e barabartë për të gjithë dhe njëkohësisht akuzoi opozitën se kur ishte në mazhorancë nuk veproi asnjëherë në këtë formë, ia “dedikoi” tërësisht të djathtës reagimin e tij të djeshëm në rrjetin social. Në shkrimin e titulluar “Në vend të replikave me opozitën e munguar”, kreu i qeverisë akuzoi PD-në si një forcë politikë të sajuar dhe të gënjeshtërt. Por vetëm dy orë pas deklaratave të Kryeministrit, nuk mungoi reagimi i kryedemokratit Basha, i cili në të njëjtën formë iu përgjigj Ramës, me një shkrim me titull “Vrasësi me mbrojtje kryeministrore dhe Kryeministri lakuriq”. Sipas kreut të opozitës, denoncimet e vërteta të të djathtëve sa u përket lidhjeve të kreut të qeverisë me kriminelin detyruan Ramën t’i kundërvihej forcës më të madhe opozitare. “Fjala e opozitës ka prishur qetësinë e Edi Ramës, por ne kemi një mision më të rëndësishëm që na udhëheq. Lufta për të vërtetën, beteja e përditshme për dekriminalizimin e qeverisë, administratës dhe Parlamentit. Përpjekja çdo orë për interesat e qytetarëve të vendit. Sigurisht Edi Rama do të donte një opozitë si ajo që përshkruan me baltë të ulët e banalitet pervers. Iluzion do t’i mbetet”, – theksoi Basha.
Debati indirekt
Sipas Kryeministrit, vota e popullit në 23 qershor e detyronte opozitën për të qenë zëri i fortë qortues i Shqipërisë ndaj ekzekutivit dhe alternativa e re qeverisëse e këtij vendi, por kjo gjë, theksoi ai, nuk ka ndodhur. “Pikërisht pse nuk janë të tillë, po kanë mbetur të atillë siç ishin kur lanë pushtetin, janë sot opozita më e dobët, më e sajuar, më pa besueshmëri që mbahet mend në Shqipëri. Dhe e para opozitë që kokën e ka në shtëpi dhe trupin nën shtëpinë e kokës. Kanë ikur nga Parlamenti me ca arsye të vajtueshme për partinë që lindi nga një rebelim studentor kundër komunizmit; që ka qeverisur vendin 13 vjet nga 24 që kemi në pluralizëm. Janë mbyllur në Shtëpinë e Oficerëve e, për fat të keq, i ka zënë sëmundja ngjitëse e asaj godine, ku izolimi nga shoqëria dhe fryrja butaforike janë simptomat më të qarta”, – pohoi Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri rëndoi gjuhën ndaj opozitës duke pohuar: “Bubullojnë para çdo mikrofoni për gjëmat e hatatë që po i ndodhin orë e çast Shqipërisë, duke recituar me patetizëm luftarak ca deklarata që tek veshët e publikut mbërrijnë si zhurma e prodhuar nga njeriu prej overdozës së fasuleve”. Në fund të reagimit të tij, kreu i qeverisë theksoi se e vetmja keqardhje e tij ishte që qeveria nuk kishte përballë një opozitë me projekt të ri politik. “Me asnjë ide të vetme që do të na vinte në pozitë para publikut si më e mirë apo më tërheqëse për njerëzit sesa jona. Zero!”, – shkruante Rama. Ndërkaq, në reagimin e tij, lideri i demokratëve nuk ngurroi të nënvizonte se Kryeministri e ka kthyer në zakon bishtnimin e fakteve, duke gjetur rrugën më të shkurtër, atë të sulmit ndaj opozitës. “Në një ngjarje të rëndë 4 qytetarë mbetën të vrarë, nga djali i miqve të Kryeministrit, siç e cilësoi vetë me krenari, i cili ishte në kërkim dhe nuk ndalohej nga policia. Me precedentë të fortë kriminalë, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, vrasësi, i biri i miqve të Kryeministrit, bridhte lirshëm në Tiranë, i armatosur, madje kishte krijuar dhe bandën e tij. Nga i vinte ky imunitet këtij vrasësi, që nuk ndalohej nga policia edhe pse kishte urdhër për të? Më 26 prill të këtij viti, vrasësi, djali i miqve të Edi Ramës, ishte shpallur në kërkim. Po pse nuk arrestohej? E tha vetë Kryeministri; prindërit e tij i ka miq të ngushtë. Ky është fakti, më kokëfortë nuk mund të bëhet”, – u shpreh Basha. Në këtë kontekst, kryedemokrati theksoi se nëse policia nuk do të tërhiqej para lidhjeve dhe miqësive të Kryeministrit, vrasësi do të ishte atje ku e ka vendin sipas ligjit. “Dhe sot nuk do të kishim viktima, dramë në 4 familje e një shoqëri të tërë të tronditur nga pasiguria publike. Është e kuptueshme revolta që ka shkaktuar në publik kjo ngjarje. Shigjetat janë drejtuar ndaj Edi Ramës. Nuk e fsheh dot përgjegjësinë që ka në këtë histori. Është i lidhur me turp me këtë ngjarje të rëndë. Dhe çfarë bën? Sulmon opozitën”, – pohoi kreu i PD-së. Më tej, Basha tha se nuk ishte opozita ajo që e mbrojti vrasësin nga aksioni i policisë në Lazarat. “Nuk e ndaloi opozita policinë që ta prangoste, pasi ishte shpallur në kërkim. Nuk e solli opozita të kërkuarin nga drejtësia, me helikopter ushtrie drejt e në oborrin e Parlamentit, për ta tundur para kamerave si argument politik. Opozita po bën detyrën për interesin më të lartë të qytetarëve. Denoncimin e lehtësisë që gjen krimi dhe lidhjen e drejtpërdrejtë që ka me qeverinë, me Kryeministrin vetë”, – përfundoi lideri i opozitës.
PD/ Bumçi: Rama ka përgjegjësi për vrasjen, të japë llogari para qytetarëve
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin e vendit Edi Rama se ka përgjegjësi publike që e lidh me vrasjen e katërfishtë në Tiranë. Sipas deputetit të PD-së, Aldo Bumçi, kreu i qeverisë duhet të japë llogari përse vrasësi ishte i shpallur në kërkim nga policia për vepra të rënda penale dhe nuk ndalohej. “Kush e kishte porositur policinë të mos zbatonte urdhrin për ndalimin e vrasësit? Kush i kishte dhënë imunitet vrasësit që të bridhte lirshëm me pistoletë në brez? Pse ishte i paprekshëm vrasësi, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe autor i një vrasjeje tjetër? Edi Rama ka përgjegjësi për vrasjen dhe duhet ta mbajë këtë përgjegjësi”, – tha ai. Më tej, Bumçi tha se kreu i qeverisë burgos çdokënd që rregullon çatinë, “që shemb e bën gërmadha banesat e fukarenjve, rrënon dyqanet me të cilat ushqehen familjet, që rras brenda e dhunon të varfrit se nuk paguajnë energjinë pse s’kanë bukë të hanë, kryeministri që sillet me shqiptarët si komandat nazist, ky Kryeministër jep privilegje, jep mbrojtje, jep licencë për një vrasës”.
Ish-kryeministri/ Berisha: Avokati qeveritare për Xhuvanin
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, reagoi dje sërish sa i përket masakrës që rezultoi me vrasjen e katër personave, duke pohuar se qeveria po vazhdon avokaturën ndaj të akuzuarit kryesor për ngjarjen, Kostandin Xhuvani. “Rama u perpoq por deshtoi dje paradite per te prishur provat dhe çliruar nga akuza per vrasjen e katerfishte killerin serial te partise, Xhuvanin. Rama dje mbasdite, per te zvogeluar ne maksimum horrorin e vrasjes se katerfishte, serviri me krenari para publikut si pike kthese historike per Shqiperine, doreheqjen e Luiza Xhuvanit. Ai pa ngushelluar familjaret e viktimave apo denuar krimin makaber dhe autorin e tij, iu paraqiti nenave dhe baballareve te viktimave dhe mbare shqiptareve Luiza Xhuvanin, nene e vrasesit te kater viktimave si kampione, si heroine te barazise para ligjit, per te cilen ajo po sakrifikonte mandatin e deputetes”, – shkruante Berisha. Më tej, ish-kreu i qeverisë tha se ditën e djeshme Kryeministri zgjodhi Vlorën për të mbrojtur djalin e deputetes pasi, “nxori Didin per te mashtruar se Policia nuk e kishte ne kerkim Kostandinin i cili kishte pritur me arme ne dore policine ne aksionin antidrog ne fshatin e Tahirit dhe Didit, kishte qelluar dhe plagosur ne prill ne Gjirokaster te riun E.G dhe ishte shpallur ne kerkim nderkombetar, kishte pritur me bresheri policine ne operacionine Lazaratit dhe ishte ne njoftuar ne listen e shum te kerkuarve nga policia. Duket se dhe Didi ka hedhur ndonje teke kur Xhuvani killer dhe ne kerkim drekonte me Tahirin”.