Nishani, takime me Metën, Ramën dhe Bashën: Përzgjedhja me transparencë

0
136

Erneta Shevroja

nishani ne zyreKreu i shtetit, Bujar Nishani, priti dje zyrtarët më të lartë të politikës shqiptare, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, për çështjen e zgjedhjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Secili prej tyre qëndroi në Presidencë për rreth 30 minuta, ku konsultoi me kreun e shtetit kriteret dhe procesin e zgjedhjes. Mësohet nga burime pranë Presidencës se në këto takime Nishani ka bërë të ditur rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës, duke theksuar se emri i përzgjedhur do të jetë tërësisht nën germën dhe frymën e ligjit. Po ashtu burimet bëjnë të ditur se pas këtyre konsultave të fundit, shumë shpejt, Presidenti do të bëjë të ditur emrin e ri të guvernatorit të Bankës, i cili me shumë gjasë do të marrë edhe aprovimin e mazhorancës së majtë.

 

 

Presidenti Nishani

Ndërkaq, Presidenca, përmes një njoftimi zyrtar, bëri të ditura çështjet për të cilat u diskutua në konsultimet me krerët e shtetit. “Në fokus të takimeve të sotme (djeshme) ishte informimi nga ana e Presidentit për secilin prej bashkëbiseduesve të Tij i procesit të deritanishëm të ndjekur për përzgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë”, – thuhej në komunikatën e Presidencës.

Në këtë kontekst, kreu i shtetit “në takimet e zhvilluara, informoi se procesi i ndjekur synon arritjen e standardeve më të larta që çojnë drejt përzgjedhjes së kandidaturës më të mirë të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Përgjatë takimeve, Presidenti Nishani kërkoi nga ana e bashkëbiseduesve që procesi i konsultimit dhe përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë të shoqërohet me transparencë dhe mirëkuptim”, – mbyllet komunikata.

 

 

Konsultimet për procesin, jo emrat

I pari që mbërriti në Presidencë, me ftesë të kreut të shtetit Bujar Nishani, ishte Ilir Meta, takimi mes të cilëve zgjati 30 minuta. Pas përfundimit të takimit, kreu i Kuvendit dha një prononcim lidhur me diskutimin që pasi me Nishanin. Ai informoi se me Presidentin nuk u fol për emra konkretë, por biseda mes tyre ishte e përqendruar tek procesi i zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë.

“Kryesisht u fol për procesin dhe rëndësinë e vajtjes tek një emër gjithnjë përmes procesit. Pra, jo paracaktimit të një emri cilido qoftë ai. Do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të emër të jetë një garant i drejtimit profesional të bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni”, – tha Meta.

Pyetjes nëse mazhoranca ka një emër për kandidaturë për guvernator i BSH-së, kreu i Kuvendit u shpreh se do të respektohet e drejta Kushtetuese e Presidentit për propozimin e emrave. Mazhoranca, nga ana tjetër, tha Meta, shpreh vullnetin për të garantuar një zgjedhje sa më profesionale. “Natyrisht që ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të Presidentit dhe shpresojmë dhe do të ofrojmë gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni”, – u shpreh Meta. Në themel të këtij procesi qëndron vullneti i mirë për të garantuar një zgjidhje sa më profesionale dhe që do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Është një institucion shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin”, – vijoi kreu i Kuvendit.

Përveç temës për përzgjedhjen e guvernatorit, Meta bëri të ditur se në takim u diskutua edhe për politikën e jashtme. “Kryesisht kemi folur për çështje të tjera, për ato që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, por çështja kryesore ka qenë kurorëzimi i këtij procesi për zgjedhjen e guvernatorit të ri të vendit sa më shpejt, pra të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, – deklaroi Meta.

 

 

Takimi me Ramën e Bashën

Pas kreut të Kuvendit, dje rreth orës 11:30 në Presidencë mbërriti Kryeministri Edi Rama, takim që zgjati 45 minuta. Takimi me Kryeministrin, po ashtu kishte në fokus çështjen e zgjidhjes së guvernatorit të Bankës. Kujtojmë se mes këtyre institucioneve pasi një përplasje sa i përket të drejtës për të propozuar emrin. Ndërsa Kushtetua e parashikon që Presidenti është ai që propozon emrat, Kryeministri fill pas shkarkimit të ish-guvernatorit Ardian Fullani hapi garë për kandidatët e mundshëm. Kjo u kundërshtua nga Presidenti, i cili njëkohësisht u bënte thirrje gjithë ekspertëve të fushës të konkurrojnë për këtë post. Aktualisht të dyja institucionet, si Presidenca, ashtu edhe qeveria kanë gati lista me kandidatët për BSH të grumbulluara nga konkurset që bën publike rreth një muaj më parë. Presidenti Nishani gjatë ditëve të fundit shpesh herë kujtonte se ai është autoriteti i vetëm kushtetues që do të propozojë emrin e ri të guvernatorit të BSH. Në një prej daljeve të tij ne media, Presidenti Nishani theksoi se qeveria duhet të respektojë Kushtetutën, përndryshe ai paralajmëroi se nëse Parlamenti nuk bie në konsensus me emrin e propozuar prej tij, atëherë procesi mund të futet në një ngërç të panevojshëm. Mes Presidentit dhe Kryeministrit kishte edhe një fakt tjetër për të cilat ata nuk binin dakord. Presidenti është për një ekspert vendas, ndërsa kryeministri ishte i mendimit se në kreu të institucionit financiar të vendoset një ekspert i huaj.

Rreth orës 14:30 në Presidencë nisi takimi i tretë dhe i fundit, mes Nishanit dhe liderit të opozitës Lulzim Basha, i cili zgjati rreth 30 minuta. Kreu i demokratëve, po ashtu, nuk u prononcua lidhur me takimin.

 

Rama paraqet kandidaturën e Denada Priftit tek Presidenti për KM

 

Ndërkohë, përveç bisedimit për emrin e kreut të bankës së Shqipërisë, Kryeministri Rama dje dorëzoi tek Presidenti Nishani kandidaturën e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës. Mbështetja ndaj kandidaturës së Enada Priftit, Rama e përcolli këtë të hënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Rama vlerësoi karrierën e Priftit në Gjermani duke theksuar se kandidatura e saj plotëson të gjitha kërkesat e bëra publike nga mazhoranca për Bankën e Shqipërisë.
Denada Prifti vjen nga një eksperiencë e gjatë në institucionet financiare ndërkombëtare. Pjesën më të madhe të karrierës së saj Prifti e ka zhvilluar në Gjermani, në organizata financiare serioze, ndërkohë që për një kohë shumë të gjatë ajo ka qenë edhe në sektorin bankar.

 

 

Kushtetuesja rrëzon Presidentin Nishani për KLD-në

 

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Presidentit Bujar Nishani për pezullimin e ligjit për KLD-në. Përfaqësuesit e institucionit të Presidencës e kanë ribërë kërkesën për pezullimin e ligjit, duke u fokusuar vetëm në një nen, atë që flet për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KLD-së, por edhe kjo kërkesë u hodh poshtë nga Kushtetuesja. Presidenti kërkoi pezullimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar me argumentimin se ligji i ri, ku thuhet se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të presidentit, zgjedh zëvendëskryetarin nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi”, bie ndesh me Kushtetutën; i kufizon kompetencën Presidentit të Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të propozuar si zëvendëskryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli dhe i heq të drejtën që iu ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar si zëvendëskryetar i KLD-së.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency