Liga e Kampioneve është një ndër kompeticionet më prestigjioze dhe më të ndjekurit në arenën evropiane. Një turne ku ekipet evropiane duelojnë për t’u shpallur mbretër të kontinentit. Rëndësi kanë edhe golashënuesit, që me arritjet e tyre kanë çuar skuadrat veta drejt fitimit të këtij trofeu. Lionel Mesi është mbreti i ri, që rrëzoi Raul Gonzalesin me dy golat e shënuar ndaj Ajaksit. Ndërkohë, në garë është edhe Kristiano Ronaldo me 70 gola.
- Lionel Mesi – 72 gola
Mbreti i momentit në kompeticionin evropian është Lionel Mesi. Në ndeshjen ndaj Ajaksit, lojtari katalanas arriti të thyente ish-legjendën e Madridit, duke marrë një pozicion që kishte vite që nuk thyhej. Katër herë fituesi i Topit të Artë nuk është në formën e tij më të mirë, por po bën mjaft ndeshje të mira. E vetmja frikë që duhet ta mposhtë në fushë është beteja ndaj Ronaldos, i cili është vetëm dy gola larg. Një rivalitet që vetëm dhuron spektakël dhe që i çon këta lojtarë në një nivel dhe rekorde të reja.
- Raul Gonzales Sulmuesi i mirënjohur spanjoll shënoi një total prej 71 golash në karrierën e tij mahnitëse evropiane. Raul gjithmonë do të jetë sinonim me një turne që e fitoi në tri raste për gjigantët e kryeqytetit spanjoll. Sidoqoftë, pozicioni në krye të kësaj liste i Raulit nuk mund të ishte i qëndrueshëm dhe fundi erdhi pardje, pasi argjentinasi Lionel Mesi arriti që ta thyente me dy golat e shënuar ndaj Ajaksit.
- CR7 e ka shijuar fitimin e Ligës së Kampioneve me “djajtë e kuq” më 2008, ndërsa i ndihmoi anglezët e Aleks Fergusonit të shkonin edhe në një tjetër finale, në vitin 2009, kur humbën përballë Barcelonës. Të njëjtën eksperiencë e përjetoi edhe një vit më parë kur arriti që të fitonte përsëri këtë trofe, por kësaj radhe me galaktikët e Realit të Madridit. Portugezi për momentin është ai që bën ligjin duke qenë frika e çdo portieri. Një formë, e cila po habit shumë dhe që po i hap jo pak probleme rivalit të tij, Lionel Mesi. Portugezi momentalisht ka shënuar 70 gola, që do të thotë se është një gol larg të barazojë rekordin e Raulit dhe dy gola larg që ta thyejë atë rekord.
- Rud van Nistelroi – 56 gola. Një nga sulmuesit më prodhimtarë në epokën moderne të futbollit, Rud van Nistelroi sigurisht e ka lënë shenjën e tij në Ligën e Kampioneve gjatë karrierës së tij të shquar. Tre herë fitues i “Këpucës së Artë” në hapësirën e katër sezoneve të Ligës së Kampioneve, në vitin 2002, 2003 dhe 2005, Van Nistelroi ka një arritje mahnitëse prej një totali 56 golash. Frustrimi më i madh për holandezin, kur ai shikon prapa në karrierën e vet, do të jetë dështimi për ta fituar këtë turne, pavarësisht se ka kaluar vitet e pikut të tij si futbollist me Mançester Junajtidin dhe Realin e Madridit, dy klubet më të mëdha dhe më të suksesshme të kontinentit.
- Tierri Henri – Legjenda franceze dhe e “topçinjve” të Arsenalit është njëri prej atyre që “ka bërë namin” në Evropë me golat e tij. Një sulmues jo vetëm i frikshëm për mbrojtjet e skuadrave kundërshtare, por gjithashtu një lojtar që dhuronte spektakël me lojën e tijm ku loja me Ronaldinjon te Barça nuk harrohet lehtë. Edhe pse kurrë nuk e fitoi Këpucën e Artë, legjenda e Arsenalit zë vend në top 10. Ai realizoi 50 gola sa ishte lojtar i Monakos, Arsenalit dhe së fundmi edhe me katalanasit.
- Alfredo di Stefano – 49 gola. Legjenda e Realit pa dyshim se zë vend edhe në këtë listë të mbushur me emra të mëdhenj. Alfredo di Stefano është lojtari më i mirë golashënues i top 10 më të lartë në raportin numër golash-numër ndeshjesh. Me 49 gola e tij evropianë në vetëm 58 ndeshje, Di Stefano mbetet një pikë referuese për sulmuesit pasardhës. Me paraqitjen e tij të shkëlqyeshme fitoi pesë gara në mes të viteve 1956 dhe 1960, ndërsa është ndoshta lojtari më i dekoruar në historinë e këtij kompeticioni. Di Stefano shënoi një “hat-trick” në fitoren e paharrueshme 7-3 ndaj Eintrahtit të Frankfurtit në 1960, për të ndihmuar në finale nënshkrimin e fitimit të trofeut të pestë të njëpasnjëshëm në “Hampden Park”.
- Andrij Shevçenko – 48 gola. Edhe pse te Çelsi nuk tregoi shumë, Sheva ishte shpërthyes gjatë periudhës me Dinamon e Kievit dhe me Milanin. Në këto dy “stacione” të karrierës së tij futbollistike, Shevçenko ka siguruar një vend në top10 shënuesit më të mëdhenj të Evropës në Champions. Ikona ukrainase e futbollit e fitoi Këpucën e Artë të Ligës së Kampioneve dy herë, por duke pasur një hendek të madh shtatëvjeçar (në vitin 1999 dhe 2006). Në vitin 2003 ai shënoi gol vendimtar, kur Milani mposhti Juventusin në finalen e “Old Trafford”, duke e fituar trofeun. Me 48 gola fitoi Këpucën e Artë më 1996 dhe 2006.
- Eusebio – 47 gola. Një nga lojtarët më të mëdhenj që mban kjo listë është pa dyshim edhe Eusebio. Legjenda portugeze udhëhoqi Benfikën në garat evropiane, duke i mundësuar suksesin historik në vitin 1960, duke mposhtur Realin. Nga 64 ndeshje në Ligën më prestigjioze të futbollit, ai realizoi 47 gola, duke fituar Këpucën e Artë në vitet 1965,1966 dhe 1968.
- Filipo Inzagi – 46 gola. Edhe pse është zënë shumë herë “offside”, Inzagi e ka vendin në këtë top 10. Sulmuesi italian ka realizuar 46 gola, duke e ndihmuar Juventusin dhe Milanin në LK. Ai ka realizuar golat edhe në disfatën e kuqezinjve ndaj Liverpulit në ndeshjen dramatike të 2007-ës. Çuditërisht, Inzagi është një nga lojtarët e vetëm që ka fituar dy herë Ligën e Kampioneve, por pa mundur të bëjë të vetën Këpucën e Artë të kësaj gare gjatë karrierës së tij. Kontributet më të rëndësishme sulmuesi i spikatur për nuhatjen para portave kundërshtare i pati në finalen e vitit 2007 në Athinë. Aty Inzagi fitoi edhe çmimin “Lojtari i ndeshjes”, ndërsa Milani mundi Liverpulin e fitoi trofeun, duke u hakmarrë për disfatën famëkeqe të Stambollit, në finalen pararendëse të dy viteve më parë, të cilën kuqezinjtë e kishin humbur.
- Alesandro del Piero – 42 gola. Del Piero e ndihmoi tanimë ish-klubin e tij, Juventus, në garën evropiane, duke realizuar plotë 42 gola. Italiani ndihmoi “Zonjën e Vjetër” për ta ngritur trofeun më 1996. Alesandro del Piero është një prej katër lojtarëve të profilizuar në 10-shen e shënuesve më të mirë të Ligës së Kampioneve, i cili golat e tij në këtë kompeticion i ka realizuar vetëm për një klub, Juventusin. Ish-ikona dhe kapiteni bardhezi ka shënuar 42 herë për kampionët aktualë italianë në këtë garë elitare për klube në Evropë gjatë karrierës së tij të gjatë me torinezët, duke fituar dy herë edhe çmimin e golashënuesit më të mirë sezonal. Ai i ndihmoi të tijtë për ta fituar trofeun në vitin 1996, duke qenë vendimtar në triumfin eventual mbi Ajaksin. Gjithashtu, ai ka marrë pjesë në tri finale të tjera për Juven, edhe pse të gjitha ato përfunduan në disfatë. Pavarësisht nga të qenët një golashënues pjellor në Champions, Del Piero ka shënuar vetëm një gol në katër paraqitjet e tij në finalet e Ligës së Kampioneve kundër Borusias së Dortmundit në vitin 1997.