Aplikimet/ Master, dy kriteret si do të përzgjidhen fituesit

0
211

Mesatarja nuk është kriter për të aplikuar. Fituesit shpallen në 21 nëntor

universiteti-politeknik-tirane-studenteAplikimet për programet e studimit “Master profesional” dhe “Master shkencor” do të bëhen deri në datën 17 nëntor 2014. Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse ose vërtetimin përkatës në një program të ciklit të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS ose janë në proces njësimi.

 

Dokumentet

Kandidati paraqitet personalisht dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm: Fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Për kandidatët që kanë përfunduar studimet në IAL publike, në mungesë të diplomës, IAL-të pajisin kandidatin me një vërtetim që provon mbarimin e studimeve sipas ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe lejon regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve. Për diplomat e fituara jashtë vendit, vërtetimin e njohjes në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar nga MAS, të diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës. Formulari i aplikimit dhe mandat pagesa e tarifës së aplikimit prej 2.500 lekë, paguar në Postën Shqiptare (për të gjithë kandidatët). Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë) dhe dy fotografi personale.

 

Fituesit

Lista emërore e kandidatëve fitues do të shpallet pranë sekretarive mësimore të Fakultetit përkatës të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara, brenda datës 21 Nëntor 2014. Kriteret për të qenë fitues në një nga programet e studimit master janë dy. i pari, dhe më kryesori do të jetë mesatarja, dhe fituesit do të përzgjidhen në bazë të rendit zbritës derisa të plotësohen kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Po kështu kriteri i dytë do të jetë dhe Universitetit. Përparësi do të kenë studentët që kanë mbaruar studimet në universitetet publike dhe më pas ata të privatit.

 

Të rinjtë/ Nga Mjekësia te Gjeologji-Minierat, studentët në protestë

“Nuk do të zhvendosemi nga Fakulteti i Gjeologji-Minierave, pavarësisht se kjo godinë me një vendim të qeverisë do të kalojë në varësi të ministrisë së Drejtësisë, për t’i shërbyer Gjykatës së Lartë”. Kjo është deklarata që bën dekani i këtij Fakulteti Përparim Hoxha. Ai shprehet se bashku me stafin akademik i është kërkuar qeverisë që të anulojë këtë vendim, që sipas tyre është arbitrar. “Nuk bëhet fjalë për zhvendosje të studentëve, ka një vendim të qeverisë që nënkupton një pjesë e ambienteve të fakultetit të Gjeologji-Minierave t’i kalojë në administrim Ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën e Lartë. Këtë vendim stafi akademik, studentët, Këshilli i Fakultetit e quan jo të drejtë, arbitrar dhe që nuk jep zgjidhje. Në këto kushte ne i kemi kërkuar ministrisë së Arsimit, qoftë kryeministrit që të anulohet ky vendim”, – tha Përparim Hoxha, dekan i Dakultetit të Gjeologji-Minierave. Por edhe nëse nuk do të ketë kthim mbrapa të vendimit të qeverisë, studentët nuk do të lëvizin nga ambientet e saj këtë vit akademik shprehet dekani. Ndërkohë studentët kanë protestuar edhe ditën e djeshme, duke paralajmëruar Kryeministrin se nuk do të ndalen deri në anulimin e vendimit. “As ministri, as kryeministri nuk kanë thënë që do të lëvizin studentët. Duhet të mbarojë, nëse bëhet projekti për ristrukturimin e godinës pastaj të lëvizin studentët. Nuk bëhet fjalë për këtë vit”, – tha Hoxha.

 

Mjekësia

Me qindra studentë të Mjekësisë vazhdojnë të kërkojnë përfshirjen e tyre në sezonin e vjeshtës, për të shlyer detyrimet në kredite, pasi në të kundërt rrezikojnë stazhin. Ata kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, pasi drejtuesi i saj profesor Ali Refatllari, nuk e ka anuluar vendimin e marrë disa javë më parë, duke lënë jashtë dyerve të këtij universiteti me qindra të rinj. Këtë të fundit e cilësojnë vendimin si tendencioz dhe diskriminues. Për herë të parë këtë vit, drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë kanë vendosur kritere për studentët e sezonit të vjeshtës, duke vendosur një prag kreditesh për të shlyer, në të kundërt ata që nuk plotësojnë këto kritere, nuk kalojnë në vitin pasardhës.

 

 Akuza/ Bashkia e Tiranës: Ministria e Energjisë, ndërtim pa leje

Bashkia e Tiranës ka akuzuar Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë se ditën e enjte, rreth orës 22:00 ka kryer punime të jashtëligjshme në godinën e saj. “Inspektorët e Inspektoratit Urbanistik të Bashkisë së Tiranës të sinjalizuar nga qytetarët kanë konstatuar kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Inspektorët kanë gjetur në vendngjarje një betoniere e cila po hidhte beton. Në momentin që kanë kërkuar lejen e punimeve, kanë ndërhyrë forcat e policisë të cilët kanë tentuar të pengojnë punën e inspektorëve. Inspektorët nuk janë tërhequr por kanë kryer të gjitha procedurat siç i parashikon ligji, duke mbajtur procedurat përkatëse e duke bëre pezullimin e tyre. Kjo nuk është hera e parë që institucione shtetërore janë kapur në flagrancë, duke kryer ndërtime pa leje. Bashkia e Tiranës kërkon nga institucionet shtetërore të respektojnë ligjet dhe rregullat e këtij vendi”, – thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar pas akuzave nga ana e Bashkisë së Tiranës, e cila deklaroi se ka pezulluar një ndërtim pa leje në ambientet e jashtme të këtij institucioni. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Energjisë dhe Industrisë bën me dije se bashkia është njoftuar që në muajin tetor për disa ndërhyrje në pjesën e pasme të godinës që kanë të bëjnë me kanalizimet. “Me shkresën nr. 6310 prot., datë 21.10.2014 është vënë në dijeni Bashkia e Tiranës për domosdoshmërinë e ndërhyrjes nga ana e MEI, në pjesën e pasme të godinës të institucionit, për shkak të keqfunksionimit të vazhdueshëm të sistemit të kanalizimeve, për largimin e ujërave të bardha dhe të zeza”, – thuhet në njoftimin e MEI. Sipas Ministrisë së Energjisë për këto ndërhyrje, Bashkia ka qenë dakord duke ofruar edhe asistencë.